Ekonomiks i mirë për ditë të vështira

Shkencat natyrore kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në lehtësimin e jetës së njerëzve. Në mënyrë që të nderohen shkencëtarët që zbuluan dije të re, u themelua çmimi prestigjioz Nobel, i cili zakonisht ndahet në baza vjetore. Në vitin 1968, familjes së çmimeve nobel iu shtua edhe ai për kontributin në shkencën shoqërore, ekonomi. Në fillim, reagimet kundër nuk ishin të pakta, pasi që shumë mendje të ndritura vunë në pikëpyetje rëndësinë e kësaj shkence që shpeshherë di të jetë kontroverse. Për më tepër, Çmimi Nobel për Ekonomi nuk është ‘real’ pasi që ndryshe nga shkencat e tjera, sponsorizohet nga Banka Qendrore e Suedisë. Në mesin e kampit që argumentonte kundër Nobelit për Ekonomi ishte edhe familja e Alfred Nobelit, në nderim të cilit iu vu emri këtij çmimi. Argumentet kryesore hidhnin dyshime lidhur me kontributin e shkencës në fjalë në lehtësimin e jetës së njerëzve.

Për shembull, në vitin 1997, Çmimi Nobel për Ekonomi iu nda Myron S. Scholes dhe Robert C. Merton, të cilët kishin propozuar një model për vlerësimin e derivateve financiare. Ky model, sipas profesorit të Oxfordit Ha-Joon Chang, nuk u provua kurrë me të dhënat e observuara. Si rrjedhojë, këta nobelistë u shpërblyen për një model abstrakt, i cili nuk prodhoi ndonjë dije të shtuar për ekonominë dhe shoqërinë. Megjithatë, nuk janë të rralla rastet kur fituesit e Çmimit Nobel për Ekonomi kanë dhënë kontribut të madh. Të tillë janë edhe profesorët e nderuar, fitues të Noblit për Ekonomi në vitin 2019, Michael Kremer, Esther Duflo dhe Abhijit Banerjee. Të njohur edhe si eksperimentalistë, këta shkencëtarë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër varfërisë në shumë vende në zhvillim. Përmes metodave të avancuara ekonometrike, këta tre ekonomistë kanë kontribuar në ridizajnimin e politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Në këtë mënyrë, janë shembulli më i mirë si ekonomistët u ndihmojnë njerëzve të largohen nga ‘kurthi i varfërisë.’

Së fundi, Esther Duflo dhe Abhijit Banerjee – të dy profesorë në universitetin prestigjioz MIT dhe çift në jetën private – kanë publikuar librin e ri të titulluar “Ekonomiks i mirë për ditë të vështira.” Në këtë libër, autorët shtjellojnë të gjitha temat e ‘ngrohta’ në ekonomi, nga tregtia tek rritja ekonomike, nga pabarazia tek politikat sociale, dhe nga edukimi e emigrimi tek inovacionet.

1.

Një grua merr vesh nga doktori që i ka mbetur vetëm gjysmë viti jetë. Doktori i sugjeron të martohet me një ekonomist dhe të zhvendoset në Dakotan Jugore (shtet në ShBA ku njerëzit nuk kanë shumë dëshirë të emigrojnë).

Gruaja: “A do ta kurojë kjo sëmundjen time?”

Doktori: “Jo, por gjysmë viti do të duket një periudhë goxha e gjatë e jetës.”

Nobelistët e fillojnë librin me këtë barsoletë, e cila fatkeqësisht ka shumë të vërteta. Anketat e ndryshme tregojnë që ekonomistët, së bashku me politikanët, mbesin profesionet që gëzojnë më së paku besim tek populli amerikan. Ngjashëm besoj të jetë edhe në shumë vende tjera të botës. Pse njerëzit kanë kaq pak besim tek ekonomistët? Nobelistët në libër sugjerojnë që ekonomistët në përgjithësi merren shumë me diskutime abstrakte, saqë shpeshherë harrojnë kur përfundon shkenca dhe fillon ideologjia. Me fjalë tjera, ata janë të interesuar të gjejnë model ekonometrik që t’i vërtetojnë bindjet e veta. Pavarësisht sa matematikë të komplikuar mund të përdorin ekonomistët, çdo herë duhet të kemi rezerva pasi që shkenca në fjalë nuk mund të jetë ekzakte. Pra, çdokush mund të gabojë. Ajo çka është e rrezikshme është të ‘mos bëni gabime.’ Kështu, pretendimi për të vërtetën absolute nuk iu lejon që t’i shihni faktet, edhe pse mund të jenë shumë të qarta.

Veç kësaj, lidhja shkak-pasojë për një periudhë kohore mund të mos ekzistojë në një periudhë tjetër. Për këtë arsye, është e pakuptimtë kokëfortësia në një konsistencë politikëbërëse afatgjate.

2.

Në kohë të vështira të ekonomisë, partitë e të djathtës ekstreme janë goxha të zëshme, pasi ato dinë më së ‘miri’ t’i gjejnë fajtorët për gjendjen e krijuar. Target i preferuar mbesin emigrantët. Kur papunësia rritet, fajet i kanë emigrantët të cilët po na marrin vendet e punës. Kur rritet krimi, fajet i kanë emigrantët të cilët janë të paedukatë. Por, kur emigrantët ndihmojnë vendin, le të themi në fitoren e Kupës Botërore në futboll, ata nuk janë më emigrantë. Ata janë francezë.

Retorika e tepruar kundër të huajve ndikon në opinionin publik, pasi që krijohet përshtypja që emigrantët po e ‘marrin’ vendin. Për shembull, të huajt përbëjnë 10 për qind e popullsisë së Italisë, por perceptimi publik tregon shumica e italianëve besojnë që kjo shifër shkon në 26 për qind. Të anketuarit zakonisht nxjerrin në pah përqindjen e madhe dhe në rritje të myslimanëve, që shumë herë është shqetësuese për ta.

Gjatë vitit 1980, afër 125 mijë kubanë emigruan në Miami në kërkim për një të ardhme më të mirë. Në vendin pritës, zërat kundër tyre nuk ishin të pakta. Për të matur efektin e tyre në ekonominë amerikane, ekonomisti i famshëm David Card, duke përdorur metodën e njohur ekonometrike “diferenca në diferencë,” konkludoi se pagat e banorëve vendas nuk u ndikuan nga ardhja e emigrantëve. Gjithashtu, gjetjet e tij shfaqin shumë benefite për ekonominë amerikane. Kjo pasi që shumë emigrantë kanë aftësi, ambicie, talent dhe durim, karakteristika këto që i bëjnë ata të suksesshëm – rrjedhimisht edhe ekonominë e një vendi. Për shembull, Henry Ford ëshë djali i një emigranti irlandez, babai biologjik i Steve Jobs ishte nga Siria, Sergey Brin ka prejardhje nga Rusia, apo një nga njerëzit më të pasur të kohës, Jeff Bezos, ka prejardhje nga Kuba.

Pra, shumica e njerëzve migrojnë që të punojnë, dhe për punën që bëjnë marrin hakun. Një barsoletë sovjetike thotë që: “Ata shtireshin që po na paguanin, dhe ne shtireshim sikur po punonim.” Kjo situatë doli të jetë e dëmshme për të gjithë.

3.

Më tej, profesorët e nderuar sjellin një diskutim të mrekullueshëm për tregtinë ndërkombëtare. Lufta tregtare në mes ShBA-së dhe Kinës ishte një nga temat më të diskutuara vitet e fundit. Përpara se presidenti Tramp të nënshkruante hyrjen në fuqi të tarifave, një anketë e plotësuar nga ekspertët dhe profesorët e ekonomisë, republikanë e demokratë, u pyetën nëse tarifat e reja do të rrisin mirëqenien në vend. Rreth 65 për qind e tyre “nuk u pajtuan plotësisht” më këtë konstatim. Të tjerët, “nuk u pajtuan.” Askush nga ta nuk ishte i mendimit që lufta tregtare do të sillte ndonjë të mirë për vendin. Por, pse zbatimi i tarifave kishte përkrahje në popull?

Autorët tregojnë që ekonomistët më së shumti janë të koncentruar t’i diskutojnë përfitimet nga tregtia, duke i injoruar kështu një pjesë të shoqërisë, e cila në shumë raste nuk është e vogël. Paul Samuelson, gjithashtu fitues i Çmimit Nobel, në një studim të tij sqaron që tregtia e lirë rrit Bruto Produktin Kombëtar, dhe kështu çdokush mund të përfitojë nëse qeveria i tatimon fituesit nga tregtia e lirë dhe pastaj të hyrat nga tatimet shpërndahen tek humbësit. Vetëm se, humbësit mbesin në mëshirën e proceseve politike, pasi askush nuk i siguron që këto të hyra do të shpërndahen. Modeli Stolper-Samuelson supozon që ekziston një pagë unike për të gjithë punëtorët me nivel të njëjtë të aftësive. Autorët në libër argumentojnë se këto supozime janë vështirë të besueshme, sepse evidenca nuk e mbështet modelin. Për më tepër, studimi i famshëm i Petia Topalova në lidhje me efektet e liberalizimit në Indi, tregon që zonat që janë më të ekspozuara ndaj tregtisë së lirë kanë nivel më të ngadalshëm të zvogëlimit të varfërisë dhe punës tek të miturit krahasuar me zonat tjera – pikërisht e kundërta e asaj çfarë sugjeron modeli Stolper-Samuelson. Gjetjet e Topalovës argumentojnë kundër teorisë se të varfrit e vendeve të varfra përfitojnë nga tregtia. Për këtë arsye, fillimisht u refuzua nga revistat shkencore pasi që nuk përputhej me bindjet e bordit editorial – duhet të jetë ndonjë gabim në të dhëna, hamendësonin ata. Ndërkohë, qasja e Topalovës u aplikua edhe në shumë vende tjera dhe rezultatet ishin të ngjashme. Kësisoj, pas shumë refuzimeve, punimi i Tapolovës e fitoi çmimin e punimit më të mirë nga revista në të cilin u publikua – një nga revistat më të mira në botë.

4.

Rritja ekonomike është një faktor i rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të një vendi. Por, a është kjo rritje pasqyrim real i mirëqenies? Për shembull, kur një punëtor merr pushim për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij, Bruto Produkti i Brendshëm (BPB) zvogëlohet, por kështu nuk mund të themi edhe për mirëqenien e punëtorit. Rritja e BPB-së i njeh vetëm ato mallra dhe shërbime që kanë çmim në treg. Kësisoj, autorët ofrojnë një kritikë të thellë për modelet abstrakte të rritjes ekonomike, duke numëruar dobësitë e tyre në përshkrimin e realitetit.

Alokimi jo i mirë i resurseve, sipas nobelistëve, del të jetë një nga problemet kryesore që ngadalëson rritjen ekonomike të vendeve në zhvillim. Sistemi bankar ka një rëndësi pivotale në tejkalimin e kësaj sfide, pasi që financimi i bizneseve inovative siguron rritje të aktivitetit ekonomik brenda vendit. Në anën tjetër, nëse bankat financojnë aktivitete që nuk panë efekt të mjaftueshëm në rritjen e BPB – bie fjala, kredi për aktivitete spekulative nëpër tregje financiare – atëherë vendi do të vazhdojë të ketë një rritje të ngadaltë ekonomike.

Gjithsesi, pabarazia në të hyra mbetet një problem tjetër që përballen vendet. Me fjalë tjera, nga rritja ekonomike po përfitojnë top 1 për qind e njerëzve më të pasur, përderisa pjesa tjetër e shoqërisë nuk përjeton ndonjë ndryshim të evidentuar. Thomas Piketty argumenton që tatimi i ulët progresiv ka luajtur një rol të madh në thellimin e pabarazisë. Si rrjedhojë, debati për rritjen e tatimit për njerëzit e pasur ka arritur në nivele më të larta të politikëbërjes, pasi që shumë politikanë si Alexandria Ocasio-Cortez janë duke mbështetur tatimin progresiv deri në 70 për qind të të hyrave. Gjithashtu, kandidatja potenciale për presidente, Elizabeth Warren, ka propozuar së fundi tatim në pasuri prej 2 për qind për të gjithë ata që kanë asete më shumë se 50 milionë dollarë, dhe 3 për qind për ata që kanë asete më shumë se një miliard dollarë.

5.

Në fund, autorët argumentojnë që ekonomiksi i mirë nuk mundet të na shpëtojë i vetëm, por pa të, jemi të prirur t’i përsëritim gabimet e njëjta. Idetë janë të fuqishme, dhe mund të sjellin ndryshime pozitive. Gjithsesi, ekonomiksi është shumë i rëndësishëm për t’iu lënë në dorë vetëm ekonomistëve, përfundojnë nobelistët e nderuar.

/Albian Krasniqi/ sbunker