Lubonja: Rrugëtimi ynë nga diktatura në post demokraci

Dështimi i takimit të Washingtonit midis Kosovës dhe Serbisë, si rrjedhojë e njoftimit për ngritjen eventuale të aktakuzës për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi, po interpretohet edhe si pasojë e përplasjeve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Përderisa në njërën anë mendohet se ka një përballje agresive midis Bashkimit Evropian dhe administratës amerikane në Ballkan, aktorë të tjerë vazhdojnë ta shtrijnë ndikimin e tyre në rajon, si Turqia, Kina, Rusia. Paralelisht, sovranitetet e shteteve të paintegruara në Bashkimin Evropian mbeten të kufizuara, integrimi evropian nuk shihet në horizont, e po fuqizohen njëkohësisht regjimet vendore autoritare, pa e harruar shpopullimin masiv të popullatës më aktive si mungesë perspektive për jetesë.

Në ç’drejtim po ecen sot rajoni, tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe çka po mbetet nga procesi i transformimit shoqëror dhe demokratik që e pati nxitur si një lloj ëndrre integrimi evropian? A jemi sot më afër një Evrope të bashkuar dhe demokratike, apo kthimit tek egoizmat nacionale dhe projektet konservatore e sovraniste? Cilat janë arsyet e kthimit të ideve etnike dhe territoriale? Ç’drejtim duhet ndjekur dhe cilat mund të jenë alternativat progresive, duke pasur parasysh aktualitetin e dominimit të politikave neoliberale globaliste dhe të alternativave konservatore nacionaliste e sovraniste?

Për këto tema, pas dështimit të takimit në Shtëpinë e Bardhë dhe teksa po paralajmërohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi pothuajse paralelisht nga Washingtoni dhe Brukseli, bashkëbiseduam me publicistin Fatos Lubonja.

Dështimi i takimit në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, si rrjedhojë e njoftimit për ngritjen eventuale të aktakuzës për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi, po komentohet edhe si pasojë e vazhdimit të përplasjeve gjeopolitike, respektivisht midis SHBA dhe BE (sidomos Gjermanisë) rreth zgjidhjes së kontradiktave në Ballkanin Perëndimor. Çfarë drejtimi mund të marri tanimë Ballkani Perëndimor, kontesti Kosovë-Serbi, në raport me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është edhe në prag të zgjedhjeve presidenciale?

Fatos Lubonja: Jemi pak në fushën e hipotezave sepse kemi pasur një mungesë transparence në këtë histori, por që flet shumë për mëdyshjet dhe frikën e vetë protagonistëve. Për, mua, veprimi me nxitim dhe me njëfarë force nga ana e SHBA-së, ishte një aksion politik që synonte diçka përtej zgjidhjes së çështjes Serbi-Kosovë. Pikëpyetje ka qenë se cili ishte apo është akoma ky qëllim. A ishte se Trumpit i duhej para zgjedhjeve një sukses për t’ia paraqitur amerikanëve, apo diçka më shumë se kaq? Nuk besoj se publiku amerikan do të ishte kaq i ndjeshëm ndaj zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi sa kjo të ndikonte në zgjedhjet. Nuk është sekret që Trumpi dhe të tijtë kanë qenë më afër lëvizjeve si Brexit apo partive sovraniste që kërkojnë një ridizenjim të Evropës. Për mua këtë vizion të Trumpit dhe këtë çarje me establishmentin evropian, për sa i përket rishikimit të kufijve, që prapë nuk artikulohet hapur, kanë dashur ta shfrytëzojnë, qoftë Grenelli për karrierën e tij, qoftë liderë ballkanikë si Vuçiç dhe Thaçi për qëllime të pushteteve dhe lojërave të tyre. Nxitimi i Thaçit për ta arritur sa më parë marrëveshjen nëpërmjet amerikanëve duke mbajtur një qëndrim gati denigrues ndaj Evropës ishte një gabim dhe miopi e madhe politike e shkaktuar ndoshta nga halli i tij personal. Gjithsesi gjykoj se prokurori i Gjykatës Speciale nuk është shtytur nga qarqe evropiane anti-Trump. Madje as nga ato anti-Trump brenda SHBA. Më shumë besoj se ai e bëri publike akuzën për Thaçin, – sigurisht me qëllim para datës 27, – në mbrojtje të punës së tij për të bërë drejtësi, duke patur parasysh se, siç shkruan Carla del Ponte në librin e saj, qëllimet politike kanë penguar jo rrallë punën e Tribunalit të Hagës dhe se këto negociata minonin punën e bërë. Është një veprim politik që patjetër lehtësohet edhe nga fakti se gjen shumë aleatë. Uroj që kjo ngjarje të ndikojë që edhe politikanët ballkanikë por edhe Evropa edhe SHBA ta marrin shumë më seriozisht dhe më me përgjegjësi punën për marrëveshje dhe jo te tentohen marrëveshje të shpejta spektakolare që mund të hapin më shumë sesa të zgjidhin probleme.

Dinamika e re e Washingtonit në procesin Kosovë-Serbi, por edhe në ngjarjet në Shqipëri, po shpërfaq njëkohësisht edhe pafuqinë e Bashkimit Evropian i cili nuk po arrin t’i zgjidhë kontestet kryesore në rajonin e Ballkanit Përëndimor, duke qenë megjithatë donatori kryesor në Ballkanin Përëndimor? Si shpjegohet kjo?

Fatos Lubonja: Aktivizimi SHBA-ve lidhur me Shqipërinë nuk vjen nga ndonjë shqetësim demokratik i tyre. Lidhet, më së shumti, me atë që thashë më lartë. Qeveria shqiptare dhe Edi Rama, si negociator indirekt, janë mbështetur nga administrata Trump, sepse ju duhet një Shqipëri jo kundërshtare e këtij projekti. Kaq mund të jetë angazhimi amerikan. Por, edhe në qoftë se nuk qëndron kjo, nuk mendoj se Washingtoni ka demokracinë apo korrupsionin për shqetësim të parë në Shqipëri, sepse, po të ishte kështu, do të ishte sjellë shumë ndryshe nga ç’po sillen me qeverinë Rama. Temë tjetër është pafuqia e Evropës në proceset demokratizuese të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo lidhet me dobësinë e vetë Evropës. Dhe kur e them këtë, nuk e kam parasysh vetëm faktin se Evropa ka shumë probleme, që kanë të bëjnë me unitetin e solidaritetin brenda vetes, që i shfaqi më mirë se çdo tjetër pandemia. Unë ngulmoj edhe tek një arsye tjetër e kësaj pafuqie: euroburokratëve, që ju intereson ta mbajnë gjallë narracionin e tranzicionit, që formulohet në shprehjen: ‘Shqipëria ka bërë hapa paranë rrugën e duhur, po jo aq sa duhet’. Por duke njohur suksese atje ku ka dështime dhe rrugë të gabuar nuk mund t’i korrigjosh ato dhe të bësh përparim të vërtetë.

Drejtimi i gabuar

Nga rënia e Murit të Berlinit, integrimi evropian është paraqitur realisht si e vetmja perspektivë politike që i ofrohej rajonit, me idenë se po mbyllej kapitulli i luftërave, nacionalizmave, etj. Por, sot gjendja është paksa paradoksale. Përderisa në njërën anë kemi regjime ballkanike gjithnjë e më autoritare që po shtrihen në rajon duke u paraqitur si “pro-evropianë” me mbështetjen e fuqive përëndimore në emër të një lloj stabilokracie; në anën tjetër kemi një shpopullim masiv të qytetarëve potencialisht më aktiv për ndryshime progresive drejt Bashkimit Evropian. Çka po mbetet sot nga procesi i transformimit shoqëror që e kishte nxitur si një lloj ëndrre integrimi evropian pas rënies së Murit të Berlinit? Sa ka kuptim sot projekti evropian?

Fatos Lubonja: Bashkimi me Evropën i vendeve të Ballkanit Perëndimor, si kalim nga një pikë në një pikë tjetër, ishte një narrativë frymëzuese, por që u bazua mbi dy ide shumë sempliste të asaj kohe. Njëra ishte ideja e Fukujamës për “Fundin e Historisë”, që nënkuptonte se Perëndimi e kishte arritur atë. Tjetra një ide e Huntington-it i cili, në kuadrin e “Përplasjes së qytetërimeve”, flet dhe për “vende të ndara”, duke pasur parasysh vende si Turqia, ku sipas tij elitat janë me mendësi perëndimore, por popullsia ka mbetur me mendësi orientale; dhe, sipas tij, këto elita pro-perëndimore në vendet ballkanike kanë për detyrë ta udhëheqin popullin e tyre drejt “Tokës së Premtuar”, Perëndimit (fundit, qëllimit të historisë, sipas Fukujamës). Elitat tona pro-perëndimore morën këtë detyrë, duke marrë edhe legjitimitet nga elitat e Perëndimit për ta kryer këtë tranzicion. Kjo ishte narrativa.

Po flisni për vitet ’90?

Fatos Lubonja: Flas për vitet e ‘90, por edhe për sot, ndërkohë që sot e konsideroj tranzicionin një mit që e ka humbur fuqinë inspiruese? Pse ? E para, sepse vetë Përëndimi nuk kishte prekur « fundin e historisë », por ishte dhe është edhe vetë duke ecur. E tregojnë këtë lëvizjet sovraniste,  Brexit, etj., por edhe fakti se në Përëndim sot flitet për post-demokraci. E dyta, sa i përket vendeve si tonat, pas gati 30 viteve, nuk mund të flitet më për hapa në një drejtim të drejtë, por për drejtim të gabuar, drejt instalimit të regjimeve autoritare. Tani pikëpyetja është: Pse Përëndimi apo euroburokratët vazhdojnë të thonë : keni bërë hapa para, por duhet të bëni edhe ca hapa të tjerë? Pse ata ngulmojnë akoma në narrativën e tranzicionit? Unë mendoj sepse kjo është narrativa dominante e pushtetit të establishmentit, që sundon në Përëndim, rënia e së cilës do ta rrëzonte edhe këtë establishment. Aq më tepër kur ndaj kësaj narrative, kanë për kundërshtarë partitë sovraniste, që angazhohen për kthim te shteti-komb, të djathtët për arsye nacionaliste, të majtët, për të rifituar më shumë të drejtat sociale që janë humbur… Nga kush? Dhe këtu është problemi që shpjegon edhe mbështetjen ndaj liderëve autoritarë në Ballkan. Nuk mendoj se është thjesht stabilokracia shkaku. Një shkak më i thellë për mua është se sëmundja e neoliberalizmit dhe globalizmit ku politikanët janë shndërruar në menaxherë të interesave të bankave, të lobingjeve të mëdha, shkurt të një pakice, çka ka çuar në post-demokraci, ka përfshirë edhe rajonin tonë në formën më të shëmtuar. Establishmenti Perëndimor nuk do ta shohë këtë tek ne, sepse nuk do të shohë dështimin e këtij modeli. E mbështet një vend si Shqipëria që të mirëmbajë mitin e tranzicionit drejt këtij modeli.

A jemi sot më afër mitit të tranzicionit apo mitit të bashkimit të Evropës?

Fatos Lubonja: Ideologjia neoliberal-globaliste e modelit evropian është në fazën e krizës së saj, prandaj dhe miti i tranzicionit drejt këtij modeli e ka humbur forcën e tij frymëzuese e besimdhënëse. Kemi nevojë për një narrativë të re, apo në terma hegeliane : për një sintezë të re midis anëve më të mira të këtij modeli dhe alternativave të propozuara ndaj tij. Nëse mund të flitet për afërsi apo largësi, mund të them se jemi të gjithë më afër ndërgjegjësimit për krizën dhe nevojën e kësaj sinteze.

Duket se pafuqia e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor i ka hapur rrugë aktorëve të tjerë në Ballkan, si Kina, Rusia, Turqia…, të cilët nuk kërkojnë shtet të së drejtës dhe respektim të minoriteteve. Nga ana tjetër kemi një përafrim të disa liderëve nacionalistë e konservatorë ballkanikë me vendet e Grupit të Vishegradit, apo edhe me rrymat si të Salvinit dhe të Orbanit, si në rastin e Aleksandër Vuçiqit. Si e shpjegoni paradoksin se sot kemi liderë evropianë sovranistë dhe konservatorë të cilët janë bërë pishtarë të zgjerimit evropian të Ballkanit Përëndimor?

Fatos Lubonja: Nuk më rezulton që këta të jenë « pishtarë të zgjerimit evropian të Ballkanit Përëndimor » sipas modelit aktual, sepse vetë sovranizmi dhe konservatorizmi nënkupton të kundërtën e një zgjerimi sipas modelit aktual. Ajo që i bashkon është fakti se në këta vende gjejnë sivëllezër në autoritarizëm. Por ka një ndryshim thelbësor midi këtyre sivëllezërve sipas meje në aspektin e qëndrimit ndaj ideologjisë dominante në Evropë. Ky ndryshim reflektohet edhe në faktin se Përëndimi është shumë kritik ndaj autoritarizmave në rritje në Hungari dhe Poloni, por, siç e thashë, nuk e shpreh asnjë fjalë për autoritarizmin në rritje në Shqipëri ose në Serbi. Pse ndodh kjo? Sipas meje, jo pse Orbani apo Kazinski janë më shumë autokratë sesa Rama apo Vuçiçi, por se të parët janë kundër modelit aktual evropian, që Rama dhe Vuçiçi nuk e prekin. Nëse keni vënë re, Orbanin apo Kazinskin i cilësojnë « liderë iliberalë ». Por ç’kuptojmë me « liberal », që sot është bërë neoliberal? Nënkuptojmë një sistem social ekonomik ku interesat e individëve apo grupeve ekomomike mbizotërojnë ndaj interesave të komunitetit apo shoqërisë, (mjaft të kesh parasysh transferimet e kapitaleve nëpër glob) por edhe promovimin e disa vlerave progresiste të së majtës që hyjnë në termin « recognition » (njohje) që promovojnë njohjen e respektimin e diversiteteve etnike, të ngjyrës, seksualiteteve, martesat gay dhe lesbike, feminizmin, lëvizjen e lirë të njerëzve etj. Duke shfrytëzuar plagët që ka krijuar ky sistem ekonomik, të tilla si pabarazia ekonomike në rritje, pasiguria e njerëzve etj. dhe duke e trajtuar fenomenin e emigracionit si rrezikim të sigurisë dhe të vlerave konservatore të vendasve, sovranistëtkonservatorë i mëshojnë nevojës për mbrotjen e komunitetit nëpërmjet mbrojtjes së vlerave konservatore të kishës, kombit, dhe godasin vlerat progresiste. Kurse Edi Rama psh., nuk e prish aspak projektin neoliberal global, në kuptimin ekonomik që ka çuar tek një pakicë që sundon mbi një shumicë të atomizuar pa mbrotje dhe pa komunitet dhe as nuk mbron vlera konservatore anti “recognition”. Madje herë pas here bën edhe mikëpritësin ndaj emigrantëve, siç e keni parë në disa raste. Kjo e bën më të pranueshëm si liberal, paçka se vendi ka rrëshkitur në fashizëm ekonomik.

Nacionalizmi si dështim i projektit evropian

Është folur shumë për “deballkanizimin” e Ballkanit Perëndimor, në kuptim të relativizimit të ndarjeve etnike, nacionalizmave, pretendimeve territoriale, ndryshimit të kufijve etj. Por sot duket se ka një rikthim në këto parime politike?

Fatos Lubonja: Siç e thashë kthimin tek nacionalizmat, që nuk janë zhdukur asnjëherë në Ballkan e bile as në Evropë, e shoh më shumë edhe si një dështim të projektit evropian neoliberal globalist. Liberalizmi klasik që erdhi bashkë me industrializimin ka qenë emancipues dhe çlirues i njeriut nga shumë pranga, por në formën neoliberale globaliste të sotme ku njeriut i propozohet lumturia tek konsumerizmi i përditshmërisë dhe jo në projekte apo ideale që i përbashkojnë, ka krijuar shumë probleme. Ideja se po të punosh mirë për gardhin tënd, çdo gjë do të shkojë mirë për të gjithë ka dështuar në njëfarë kuptimi, sepse njeriu është edhe qenie sociale dhe ka nevojë jo vetëm për projektin individual, por edhe për një përkatësi. Kjo është në natyrën njerëzore.  Dhe këtë lloj përkatësie, njeriu e ka gjetur historikisht tek feja më herët, e tek kombi më vonë, por edhe në dy dështime tragjike si komunizmi dhe fashizmi. Ajo që shoh për momentin është se të djathtët e kanë më të gatshëm modelin alternativ: kthimi tek feja, kthimi tek kombi, tek një e djathtë sociale. Kurse ne në Ballkan nuk e kemi përjetuar liberalizmin klasik, as demokracinë; ne kemi kaluar nga nacional–komunizmi në nacional–neoliberal-globalizëm, bashkime këto që të dyja paradoksale, por efikase për regjime autoritare.

Ju thoni që e djathta e ka më lehtë sepse kthehet tek feja apo kombi. Por, në anën tjetër nuk është që edhe e majta, në këtë rast ballkanike, ka arritur ta ndërtojë një projekt alternativ, ku do ta mendonte një bashkësi përtej këtyre koncepteve. Sepse nëse e shohim, në Francë, Spanjë e gjetiu, kundërshtarët e neoliberalizmit, shpeshherë orientohen për kthim tek ideja e shtetit-komb dhe shtetit klasik sovran si alternativë, duke përdorur edhe strategjinë e asaj që po quhet popullizëm i majtë. Por, për t’u rikthyer tek Ballkani Perëndimor, nuk mungojnë forcat politike, edhe ato që thirren si të majta, që e shohin bashkimin e trojeve të tyre etnike në një shtet të vetëm, si kundërpërgjigje ndaj neoliberalizmit dhe globalizmit. Sa mund të flitet për përgjegjësi e së majtës vendore?

Fatos Lubonja: Përsa i përket vendeve ballkanike si tonat pyetja e parë është: a ka të majtë në këto vende? Duke u nisur nga përvoja e Shqipërisë, por ndoshta edhe e Kosovës, mund të them se tek ne nuk ka të majtë në kuptimin social ekonomik, që përfaqëson më shumë pjesën e brishtë të shoqërisë, që anon më shumë nga shteti social. Kjo për arsye historike, sepse e majta është demonizuar për shkak të regjimeve komuniste, por edhe për arsyet e imitimit të neoliberalizmit  në Perëndim ku ndërsa deri në vitet ’90-ta kishte një kapitalizëm që quhej borgjez dhe proletarë; në kuptimin që kishte parti të së djathtës me vlerat e borgjezisë dhe parti proletare, sindikata tani është ndërtuar nga një kapitalizëm post-borgjez, post-proletar, post-demokratik, me një pakicë lartë dhe shumicën e atomizuar poshtë, i të cilit ne jemi një karikaturë e keqe. Edhe në Perëndim e majta e ka më të vështirë ndërtimin e alternativës sepse, me një anë kthimin tek shteti-komb,  edhe pse në emër të rifitimit të demokracisë dhe të drejtave sociale shihet si një përparësi e së djathtës, e më një anë sepse duket shumë i vështirë transformimi i një evrope neoliberale në një Evropë sociale që është pak a shumë projekti i Varoufakis. Ajo që i ndodhi Syrizas në Greqi në këtë kontekst ishte shumë domethënëse.

Po sa mundet të ndërtohen projekte të tilla në Ballkanin Perëndimor, me shtete që kanë sovranitete të kufizuara, apo që nuk e kanë traditën e organizimeve sindikale evropiane, institucioneve demokratike etj.?

Fatos Lubonja: Problem ynë i madh është se ne kemi kaluar nga diktaturat në post-demokraci, ndërkohë që Perëndimi ka pasur demokraci në mes, që do të thotë kishte partitë borgjeze dhe proletare, sindikatat etj. d.m.th. një traditë të një sistemi imunitar, që reagon, prandaj dhe aty ka, gjithsesi, përpjekje për alternativa. Kurse tek ne sovranitet i kufizuar nënkupton edhe mendim të kufizuar në kornizat e ideologjisë dominante.

Shteti i së drejtës

Në kuptimin e një shtetasi ose qytetar ballkanik, ku gjindeni sot kundrejt shtetit-komb dhe Evropës sociale?  Ku do të duhej të orientohet një shtetas ballkanik me këtë Bashkim Evropian dhe me këto përplasje interesash gjeopolitike në rajon? Cili është drejtimi i duhur?

Fatos Lubonja: Drejtimi i duhur fillon para këtyre ndarjeve që folëm deri tani. Ne kemi nevojë mbi të gjitha, të vendosim themelet, të kalojmë nga një shtet i personave dhe klaneve, në shtetin e së drejtës, ku në karrigen e pushtetit vendoset ligji, jo Edi Rama, Hashim Thaçi apo Albin Kurti. Kemi nevojë për ndarjen e pushteteve, po ashtu. Mbi këto themele duhet të ngrihet pluralizmi i përfaqësimit; ku unë mund të kem projektin tim të majtë, dikush mund ta ketë projektin e vet të djathtë dhe të dialogojmë dhe të arrijmë sintezat më të mira.  Përsa i përket Shqipërisë e Kosovës shoh si imperativ kthimin si tek sociabiliteti (majtas) edhe komunitarizmi (djathtas) për ta kundër balancuar peshën e një oligarkie që e ka kapur shtetin. Në Shqipëri nuk shoh as njërën as tjetrën. Në Kosovë shoh Vetëvendosjen që kërkon t’i bëjë të dyja. Por këtë e shoh problematike pasi kështu eliminohet dialektika progresizëm – konservatorizëm, nacionalizëm – internacionalizëm. Veçanërisht për sa i përket nacionalizmi duhet ta kemi parasysh gjithmonë përvojën edhe të së kaluarës, sepse nuk mund të kthehemi tek një komunitet që e ndërton identitetin e vet kundër komunitetit tjetër, etnisë tjetër dhe që rreshton individët e tij në një identitet të vetëm. Prandaj mendoj se na duhet qoftë një parti e djathtë sociale, qoftë edhe një e majtë sociale dhe liberale, në kuptimin kulturor, jo ekonomik. Personalisht deri vonë kam qenë me idealin e një të majte, e cila kërkon një Evropë sociale. Me kohën, kam krijuar dyshime në mundësinë e transformimit të kësaj Evrope neoliberale globale në sociale, ajo që i refuzoj më shumë sistemit ekzistues është pabarazia e theksuar dhe njeriu i konsumerizmit, njeriu i alienuar. Kam qenë dhe mbetem për lirinë e individit për të drejtat e tij themelore, edhe atë të lëvizjes së lirë, por jam edhe kundër njeriut të çrrënjosur. E majta sovraniste në Perëndim, kur akuzon Sorosin, duke e konsideruar si kampion të neoliberalizmit global, e akuzon me idenë se lëvizja e lirë në formën e emigracionit i shërben kapitalit që ka nevojë për krah sa më të lirë pune e që kështu krijon një nënproletariat dhe jo atyre që emigrojnë që mbeten kështu njerëz të çrrënjosur nga vendi i tyre, pa mundësinë e ndërtimit të një jete autentike. Kjo për mua është një kritikë serioze që duhet marrë fort në konsideratë. Shqiptarët kanë nevojë ta rivlerësojnë bashkësinë dhe idenë e rrënjëve të tyre, vendlindja në kuptimin e “haimatit”, vendit ku ke lindur ti, qytetin, krahinën, atje ku ke kaluar fëmijërinë. Por, gjithmonë në kuptimin e atij dallimit që bën Derrida, kur flet për multikulturalizëm dhe multikomunitarizëm. Ai e bën një dallim. Me multikomunitarizëm ka parasysh komunitete të ndryshme që jetojnë të ndara nga njëri-tjetri. Kurse me multikulturalizëm ka parasysh shkëmbime kulturore, pra ekzistojnë kultura të ndryshme, por që shkëmbehen me njëra-tjetrën. Mendoj se ideja e kulturave të ndryshme kombëtare që ruhen, që nuk asimilohen nga neoliberalizmi në emër të një homologimit, siç e quan Passolini, është shumë e rëndësishme. A e keni parë se sa me lehtësi dhe papërgjegjshmëri po e shkatërron Edi Rama trashëgiminë kulturore për të ndërtuar ndërtesa simbol të neoliberalizmit globalist, të cilat mund t’i gjesh si në Kinë, ashtu edhe në Brazil edhe në Australi? E pra, mbrojtja e rrënjëve kulturore të përbashkëta është e lidhur ngushtë edhe me mbrojtjen e demokracisë, të drejtave sociale e kulturore, që neoliberalizmi globalist po i asgjëson në emër të interesave të pakicës.

 A jeni duke thënë se edhe e majta vendore duhet ta privilegjojë ndërtimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës?

Fatos Lubonja: Siç e thashë, çështja e ndërtimit të shtetit të së drejtës është themeli mbi të cilin duhet të ngrihet e majta e djathta apo çdo lloj përfaqësimi. Nuk mund të mendojmë se na vjen një parti e majtë që do të na ndërtojë shtetin e së drejtës. Unë përdor metaforën e themeleve dhe kateve sipër, sikur këta do të ngrihen njëri pas tjetrit. Në fakt metafora ka kufizimin e vet. Më e saktë është të thuash se po të lindë një parti e majtë që përfaqëson një pjesë të papërfaqësuar dhe krijon një dialektikë të vërtetë e majtë – e djathtë, kjo mund të shkojë paralel me ndërtimin e shtetit të së drejtës. Se, tek e fundit, shteti i së drejtës lind nga nevoja për të pasur drejtësi për të gjithë. Pra, ndërtimi i shtetit të së drejtës bëhet një punë dhe interes i përbashkët.

Por sa ka gjasa të ndërtohen në Ballkanin Perëndimor shtete ligjore dhe shtete të së drejtës, në aktualitetin e agjendave gjeopolitike dhe politikave neoliberale e globaliste, si dhe të etnizimeve politike e pasioneve nacionaliste ?

Fatos Lubonja: Po të shohim historinë tonë, ne kemi qenë gjithmonë periferi e perandorive. Dhe ndryshimet na kanë ardhur nga jashtë, si pasojë e ngjarjeve që kanë ndodhur në botë; qoftë lindja e shteteve-kombeve, qoftë rënia e komunizmit, apo edhe pavarësia e Kosovës. Kështu që për fat të keq, sot për sot ne jemi dhe do të mbetemi nën dominimin e sistemit ekzistues. Për momentin, unë shoh se autoritarizmat e bazuara mbi sistemin oligarkik do të mbizotërojnë akoma, me pasoja shumë të dëmshme. Në qoftë se do të ketë ndryshime të rëndësishme në botë, ato do të na vijnë me vonesë dhe në mënyrë përçude, siç na kanë ardhur gjithmonë. Cilat mund të jenë ato? Më shumë ka gjasa që ky sistem neoliberal globalist ta pësojë një goditje më së shumti nga sovranizmat. Pra, nuk është çudi që të kemi një Evropë e cila nuk do të shkojë drejt Evropës sociale, të kombinuar me liritë e individit, siç do të aspiroja unë, por, një kthim tek egoizmat nacionale, por në një formë tjetër, jo në formën e luftërave. Nuk përjashtohet edhe rreziku që ky sistem neoliberal globalist të avancojë edhe më duke i zhdukur shtetet kombe dhe qeveritë e tyre e duke marrë pushtetin dhe qeverisjen tonë multinacionalet e fuqishme që sot japin shenja të qarta të këtyre ambicieve – po të kesh parasysh personazhe të tilla si Bill Gates, e të tjerë. Tek ne, kam frikë se të dyja këto ndryshime do të shfaqen në mënyrën më përçude, siç u shfaq edhe komunizmi, edhe kapitalizmi.

Jemi nën fatin e historisë?

Fatos Lubonja: Për fat të keq, historia këtë na e provon. Vazhdimësi e historisë së një populli që nuk mëson nga historia.

Marrë nga Le Monde Diplomatique shqip

Artikulli paraprakSi t’i përgjigjeni pyetjeve më të zakonshme të një interviste pune?
Artikulli tjetërStrategjia e ndryshimit të përqendrimit