“Nëse e dimë – fillimisht – ku jemi ne dhe çfarë dëshirojmë do të mundemi të përcaktojmë çfarë të bëjmë dhe si ta realizojmë.”
Abraham Linkoln
Ka shtatë kushte kryesore për të jetuar një jetë të lumtur dhe plot harmoni:
- Shtylla shpirtërore nënkupton: dashurinë për All-llahun e Madhërishëm, mirëkuptimin me njerëzit dhe lëmoshat pa interes.
- Shtylla e shëndetit nënkupton: mendimin e shëndoshë, pirjen e ujit, ushqyerjen e shëndetshme dhe marrjen me sport.
- Shtylla e personalitetit nënkupton: vetëbesimin, ngritjen e vetvetes, njohjen e saj dhe pamjen.
- Shtylla e familjes nënkupton: lidhjet familjare, lidhjet bashkëshortore dhe lidhjen e prindërve me fëmijët.
- Shtylla shoqërore nënkupton: lidhjet shoqërore dhe fuqia e komunikimit me të tjerët.
- Shtylla e profesionit nënkupton: qëllimet e tua të punës, puna, veçoria jote në punë dhe përmirësimi i aftësive të tua për punë.
- Shtylla materiale nënkupton: të ardhurat momentale dhe qëllimet e tua materiale.
Sikur t’u vësh re do ta shohësh dhe do ta kuptosh se ti çdo ditë merresh me këto shtatë shtylla, e di ose nuk e di këtë. Për shembull, në shtyllën shpirtërore: ti çdo ditë fal namaz, lutesh, jep lëmoshë, je tolerant dhe ia fal ndokujt ndonjë gabim ose të paktën i buzëqesh ndokujt etj. Ndërsa në shtyllën e shëndetit, ti çdo ditë pi ujë dhe ushqehesh, çdo ditë ecën dhe je në lëvizje etj. Pastaj në shtyllën e personalitetit, ti çdo ditë flet me dikë për jetën tënde, dëshiron gjithmonë të dukesh më i dalluari në mesin e të tjerëve dhe vazhdimisht dëshiron t’i përmirësosh ndjenjat e tua etj. Në shtyllën e lidhjes familjare, çdo ditë je në komunikim me familjarët e tu, qoftë kjo lidhje me prindërit e tu, me bashkëshorten tënde ose me fëmijët e tu etj. Në shtyllën e shoqërisë, çdo ditë je në kontakt me njerëz të tjerë me personalitete të ndryshme dhe në njërën ose në tjetrën mënyrë ti ke lidhje me ta. Në shtyllën e profesionit, ti shkon çdo ditë në shkollë nëse je nxënës, shkon në punë çdo ditë nëse punon ndokund. Ose një amvise që çdo ditë kujdeset për mirëmbajtjen e shtëpisë, për ushqimin etj. Dhe në shtyllën materiale, vazhdimisht je në kontakt me paratë, qoftë ai kontakt duke qenë ti blerës apo shitës. Ose edhe kur merr të holla nga prindërit e tu, ti ke një qëllim dhe një plan për paratë që merr nga ata.
Fatkeqësisht shumica e njerëzve janë përqendruar në dy shtyllat e fundit, në shtyllën e profesionit dhe në atë të materiales. Prandaj shumica e tyre nuk kujdesen për shëndetin e vet, as për familjen e tyre, as për shpirtëroren e tyre, e as për gjë tjetër.
Që të jesh i lumtur dhe që të kesh një jetë plot harmoni duhet që qëllimet e jetës tënde t’i kesh të shpërndara në shtatë shtyllat e lartpërmendura dhe duhet që qëllimet e tua të jenë të qarta dhe të përcaktuara.
Qëllimet janë ato që më së shumti ndikojnë në mendimet pozitive, sepse ato të bëjnë të përqendrohesh në atë çka dëshiron. Qëllimet i japin kuptim jetës. Prandaj, njerëzit pa qëllime ndihen të humbur.
Nëse dëshiron të planifikosh dhe t’i përcaktosh qëllimet e tua në shtatë shtyllat bazë të jetës së lumtur ndiq pyetjet e radhës:
Ku (si)jam unë tani?!- Këtu mund të shkruash ku je ti, pra si e ke gjendjen në çdo njërën prej shtyllave. Për shembull, në atë shpirtërore mund të shkruash: unë fal namazin çdo ditë dhe me rregull, por ndodh që ndonjëherë habitem në namaz, pra nuk përqendrohem në atë që them gjatë namazit. Ose mund të shkruash: nuk i kryej namazet me rregull. Ose: nuk shkoj në xhami. Ose mund të shkruash: unë nuk lutem fare. Ndërsa në mirësjelljen me njerëzit mund të shkruash: nuk mund t’ia fal ndokujt nëse më ofendon ose nëse më shan dhe mërinë e mbaj për një kohë të gjatë. Ose mund të shkruash: ia fal nëse ndokush më shan ose më bën keq, por largohem përgjithmonë nga ai. Ndërsa në lidhje me lëmoshat mund të shkruash: unë jam koprrac, nuk jap përveç asaj që jam i obliguar të jap, zekatin, për shembull. Ose mund të shkruash: unë nuk e jap as atë që jam i obliguar ta jap.
Me rëndësi është që ta shkruash gjendjen tënde në lidhje me veprimet shpirtërore, pra me shtyllën e Parë të jetës, por ta shkruash ashtu siç është, të jesh i sinqertë në çdo gjë që shkruan, në mënyrë që t’ia arrish qëllimit pasi e ke përcaktuar atë.
Ndërsa, sa i përket asaj se ku je ti në lidhje me shendetin, gjegjësisht shyllën e dytë të jetës së lumtur, ti mund të shkruash: unë momentalisht nuk bëj diçka të veçantë për shëndetin tim, ha sa dua dhe çfarë dua, nuk merrem me sport e as nuk eci shumë. Kam mendime negative gjatë shumicës së kohës. Ose mund të shkruash: unë kujdesem për shëndetin tim, merrem me sport, eci në këmbë çdo ditë një orë më së paku dhe zakonisht kam mendime pozitive.
Ndërsa, sa i përket gjendjes sate në lidhje me shtyllën e tretë, personalitetin tënd, ti mund të shkruash: unë dua ta zbukuroj (përmirësoj) personalitetin tim me lexim, me përcjellje (ndjekje) të emisoneve të ndryshme shkencore etj. Ose mund të shkruash: unë nuk lexoj fare dhe nuk bëj asgjë për ta ngritur personalitetin tim.
Në lidhje me atë se si është gjendja jote, pra ku je ti, me shtyllën e tretë, lidhjen familjare, ti mund të shkruash: lidhja ime me prindërit dhe vëllezërit është e keqe. Ose mund të shkruash: lidhja ime me familjen është normale, nuk ka solidaritet të veçantë mes nesh. Ose mund të shkruash: lidhja ime me anëtarët e familjes është shumë e fortë dhe e veçantë, ia kalojmë bukur së bashku.
Në lidhje me atë se ku je ti ose në çfarë gjendje je ti me shoqërinë apo rrethin ku jeton, mund të shkruash, unë jam i shoqërueshëm, i dua njerëzit, dal shpesh me shokët dhe miqtë në shëtitje, piknik, në kafene etj. Ose mund të shkruash: unë jam tip i mbyllur, kam veshtirësi të rri me njerëzit me të cilën kam një lidhie ne një farë mënyre, e sidomos me disa nuk mund të kontaktoj fare e as që mund të rri.
Në lidhje me gjendjen tënde në shtyllën e profesionit ti mund të shkruash: e dua shumë punën time dhe lidhja ime me kolegët dhe drejtorin është shumë e lirë. Ose mund të shkruash të kundërtën, pra: unë nuk e dua punën time, lidhjet e mia me kolegët dhe drejtorin nuk janë të mira.
Dhe në fund do të shkruash gjendjen tënde në shtyllën e shtatë, pra në shtyllën materiale. Aty mund të shkruash: unë nuk kam problem sociale (me gjendjen materiale), nëse nuk kam pasuri të mjaftueshme e di se është sprovë nga ana e All-llahut të Madhërishëm, më sporvon që të më bëjë më punëtor dhe ta kërkoj më shumë rizkun nga Ai. Ose mund të shkruash: unë kam gjendje të rëndë materiale edhe për këtë fajësoj shtetin, shoqërinë dhe njerëzit në përgjithësi.
Pasi ke mbledhur përgjigjet e tua, pra njohuritë e tua për veten, rishikoji dhe shkruaji me shkronja te mëdha, në fund të tyre, atë që ti dëshiron, atë që ti dëshiron ta përmirësosh ose atë që dëshiron ta ndryshosh, nga më e keqja në më të mirë. Pa dyshim se ne cdonjërën shtyllë do të ketë diçka që duhet ta ndryshosh, renditi në një listë. Radhitjen bëje duke filluar nga më e rëndësishmja për ty, ashtu siç ti e sheh apo ate që ti e sheh më të rëndësishme. Pastaj shkruaje kohën deri kur ti do ta ndryshosh gjendjen tënde në cilëndo prej shtyllave. Pastaj shkruaj se si do të mund i’i bësh ato ndryshime dhe si mund t’i arrish ato qëllime. Pastaj shkruaj pengesat në të cilat mund të hasësh gjatë realizimit të qëllimeve të tua. Pastaj shkruaj se cili do të jetë përmirësimi pasi t’i kishe realizuar qëllimet. Dhe në fund shkruaj se çfarë do të bësh pasi t’i realizosh qëllimet e tua, pra pasi të ndryshosh nga të qenët negativ ose gjysmë negativ në pozitiv.
Të betohem dhe jam i bindur se, pasi t’i përcaktosh qëllimet e tua, pasi t’i radhitësh ato dhe pasi të planifikosh realizimin e tyre, jeta jote nuk do të jetë ashtu siç ka qenë. Jeta jote pas kësaj do të jetë ndryshe, do të pësojë një ndryshim të madh. Jeta jote do të ketë një kuptim tjetër, do të shohësh se si nuk do të humbësh as edhe një sekondë të vetme në rrugën e ndryshimit të vetvetes, nga të qenurit negativ ose pasiv në pozitiv ose aktiv.
Edhe një gjë duhet ta kesh të qartë, duhet ta dish mirë se po veprove kështu nuk do të kesh më një qëllim në mesin e qëllimeve të dikujt tjetër. Sepse populli thotë: nëse nuk ke plan për jetën do të jesh pjesë në planin e dikujt tjetër. Andaj të sugjeroj që të fillosh që sot, t’i përcaktosh qëllimet e tua në çdonjërën nga shtatë shtyllat kryesore të jetës dhe mos harro se All- llahu i Lartësuar nuk ia humb mundin askujt.
\Strategji të të menduarit\