A është feja opium për masat?
Në artin e drejtimit të masave, një ndër modalitetet më të përdorura –dhe që përdoret akoma- është: “Sulmi ndaj rivalit (armikut) politik si propaganda më efikase për të fituar hegjemoninë ndaj rivalëve politike. Kjo ndodh sepse duke e përdorur tjetrin si objekt sulmi, akuzuesi synon të ulë vlerat e subjektit të sulmuar dhe njëkohësisht me anë të efektit rikoshet ai thur lavde ndaj figurës së tij duke e ngritur veten në piedestal në mënyrë indirekte’’. Kjo gjë krijon tek masat impaktin psikologjik të autoritetit të vlerave që lufton për t’i shpëtuar ata nga “të ligat” që i kanosen, çka i nënshtron edhe më shumë masat dhe krijon bazë mbështetje prej tyre. Njëkohësisht kështu reduktohen dhe demoralizon edhe më shumë kundërshtarët politik. Prandaj gjejmë në histori se çdo diktator e kishte –të nevojshme- një armik të jashtëm dhe të brendshëm. Përveç armikut të jashtëm (imperialistëve perëndimor), ndër armiqtë kryesor të brendshëm për komunistët ishte edhe religjioni si doza më e keqe “opiumale” për popullin. Në fakt, ideologjia komuniste nuk synonte në vetvete borgjezinë dhe elitat e shoqërisë -ajo për ta ishte një mjet për të arritur qëllimin- sesa synonte ideologjinë e djathtë, e cila në vetvete origjinën e ka tek religjioni: “Zoti i trashëgoi njeriut tokën dhe trashëgimia (pronësia) është e shenjtë.’’ Komunistët e dinin se nga ky nocion lindte më pas e drejta e pronës private, renta e tokës, sipërmarrjes, tregtisë, industrisë dhe industrializimit dhe në fund ndarja e klasave. Po të vëmë re ideologjia komuniste kundërshtonte me forcë të gjitha këto hallka të zhvillimit shoqëror. Pas shekujsh të edukimit të shoqërisë njerëzore me idenë e “pronarit dhe punëtorit’’, apo “borgjezit dhe proletarit’’, Marksi dhe Engëlsi -ndryshe nga disa komunistë të tjerët që e kërkuan këtë ndryshim me arsimim- ngulmuan që me dhunën e revoltës proletare të rrëzohej borgjezia dhe uzurpatorët që përndanin dhe shpërndanin në mënyrë të pa drejtë të mirën publike. Sipas disa historianëve, ideja se mjeti justifikon qëllimin, u përdor nga komunistët, sepse ata e dinin shumë mirë që lufta ideologjike e nisur prej tyre ishte e humbur që në fillim dhe në mungesë të aftësive dhe fuqive dogmatizuese ata u strehuan tek dhuna. Duke ditur këtë, hartuesit e propagandës komuniste në përpjekje për të neutralizuar ideologjitë fetare u përqendruan në tre pseudo-teza kryesore: “Komunizmi si evolucion shkencor i njerëzimit, Feja (këtu përfshiheshin edhe ideologjitë e djathta) si prapambetje e njerëzimit dhe Objektet e kultit si burime indoktrinimi të pa drejtë”.
• Për të sendërtuar të parën ata u bazuan te teoritë darviniane, sidomos ajo e evolucionit. Pikë së pari, siç dihet gjerësisht edhe tek studiuesit e shkencave ekzakte çdo teori mund të ndryshojë në çdo kohë. Pra, vet teoria është një tezë e ngritur pas shumë eksperimentesh dhe konkluzionesh të një grupi studiesish, e cila mund të hidhet poshtë në çdo kohë nga një zbulim i ri. Fjala bie në Amerikë, një tjetër teori ecën në mënyrë paralele me teorinë e Darvinit, e cila e hedh poshtë teorinë e evolucionit me fakte shkencore. Ajo quhet teoria e kreacionizmit. Edhe sikur ta merrnim të mirëqenë teorinë e Darvinit si teori dominuese (në botën e civilizuar ajo trajtohet si çdo teori tjetër) prapë se prapë në vetvete një teori nuk disponon kapital legjitimues për përdorimin e dhunës dhe forcës nga aparati shtetëror. Këtu komunistët nuk dalluan nga religjiozët e mesjetës që shpallnin luftë për hir të idealit fetar.
• Për pikën e dytë, ata emetuan idenë se feja është regres për njerëzimin. Në fakt komunistët nuk e kuptuan se prapambetja apo progresi, s’ka të bëjë me moralin apo fenë, por ka të bëjë pikërisht me shfrytëzimin e natyrës (materies) në dobi të racës sonë. Pra ishte revolucioni industrial ai që po e çonte njerëzimin përpara, ndërkohë që ky zhvillim ishte i pranueshëm edhe nga feja. Komunistët ishin ata që në këtë fushë e çuan racën tonë të paktën gjysmë shekulli pas me teoritë e tyre se: “Shtimi makinerive dhe pajisjeve do rrisë papunësinë” apo me teorinë tjetër se: “Shtimi kapitalistëve do t’i çojë ata në luftë mes vetes për të mbijetuar”. Kështu ata legjitimonin monopolin dhe centralizimin e ekonomisë. Edhe kjo tezë bëri që kudo në botë vendet komuniste të prodhonin skarcitete dhe mallra pa ndonjë vlerë të brendshme, mallra që ishin monopol dhe subvencionoheshin dëshpërimisht nga shteti, ndryshe nga teoritë e djathta ku nxitet konkurrenca e lirë dhe e ndershme me anë të avantazheve krahasuese dhe konkurse, të cilat në vetvete nxisin rritjen e kualitetit dhe ekuilibrojnë çmimin e mallrave në pikën optimale të tregut.
• Për sa i përket objekteve të kulteve ata i konvertuan kishat dhe xhamitë në qendra kulturore dhe muze arti, të cilat në vetvete ishin një propagandë e pastër komuniste. Po të flisnim me gjuhën e tyre, media dhe arti në atë kohë ishin konvertuar në doza morfinogjene për të qetësuar dhimbjet e masës. Të gjitha “gjetjet” në fakt hedhin dritë mbi “impotencën ideologjike” të ideatorëve të komunizmit. Sepse, pikë së pari partia-shtet kudo në botë, në përpjekje për të luftuar klasat krijoi pa dashje klasën më të madhe dhe më të padrejtë sunduese, atë të qeverisë që grabiti dhe mori në dorë çdo gjë. Pikë së dyti në tentativë për të luftuar fenë, komunizmi u ndërtua mbi baza fetare, si ndihmesa e të varfrit duke e marrë pasurinë nga të pasurit dhe më pas shpërndarja e saj tek të varfrit. U prishën kultet fetare, por u ndërtua kudo në vend kulti i Diktatorit. U përhapën thënie pothuajse teologjike si: “Degjenerimi moral sjell degjenerim politik”, “degjenerimi familjar si qelizë kryesore e shoqërisë shkatërron shoqërinë” etj. Dëmet kryesore të komunizmit vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot. Ato përhapën te masa idenë se ligjin e bën më i forti, duke shtypur kështu instinktin e dallimit midis asaj se çka është e drejtë dhe çka jo. Po ashtu njerëzit u brumosën me idenë e legjitimimit të forcës dhe shfuqizimit të drejtësisë prej saj. Kjo gjë vazhdon të mbajë në këmbë te ne kulturën e pandëshkueshmërisë. Gjithashtu akoma nuk na është hequr nga mendja koncepti organik që kemi për shtetin dhe që vet shteti ka ndaj vetes dhe që në vetvete nuk po lejon përhapjen e konceptit mekanicist ku shteti shikohet si një mjet që është në shërbim absolut të qytetarit. Ndër këto pasoja, nuk bën dallim as religjioni të cilin akoma e shohim si “opiumin” e dëmshëm të shoqërisë, ndërkohë që “Opiumi” i vërtetë akoma s’na ka dalë. LHSH