Sektori bankar në vitin 2019, ngjashëm me vitet e fundit ka shënuar performancë mjaft të mirë financiare, duke mbajtur nivel të profitabilitetit dukshëm më të lartë se mesatarja historike.
Vlera neto e profitit të realizuar në vitin 2019 arriti në 86.2 milionë euro, për 2.0 përqind më e ulët se në vitin paraprak, thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2019, përcjell Buletini Ekonomik.
Të hyrat e sektorit bankar arritën vlerën prej 263.2 milionë euro dhe u karakterizuan me rritje vjetore prej 4.2 përqind. Kontributin kryesor në rritjen e të hyrave kishin ato prej interesi, gjegjësisht, të hyrat prej kredive, letrave me vlerë dhe plasmanëve në bankat tjera. Kurse, të hyrat nga jo interesi shënuan rënie krahasuar me vitin e kaluar, gjegjësisht të ardhurat tjera operative dhe tarifat e komisionet.
Shpenzimet e sektorit bankar arritën vlerën në 176.9 milionë euro dhe u karakterizuan me rritje vjetore prej 7.5 përqind. Shpenzimet u karakterizuan me rritje në pothuajse të gjitha kategoritë, por atributin kryesor në rritje e kishin shpenzimet për tarifë dhe komisione në kuadër të shpenzimeve të jo interesit; dhe shpenzimeve për depozita në kuadër të shpenzimeve të interesit. Rritja më e lartë e shpenzimeve krahasuar me rritjen e të hyrave ndikoi që raporti i shpenzimeve ndaj të hyrave të sektorit të rritet në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.