Unilever eksperimenton javën e punës me 4 ditë (pa shkurtim page)

Katër ditë pune në javë dhe pagë, sa për pesë. Ky është projekti eksperimental i njoftuar nga Unilever, gjiganti i markave si Lipton dhe Dove, për 81 punonjësit neozelandezë.

“Në valën e revolucionit të shkaktuar nga pandemia COVID-19 në botën e punës, nxitja për një javë me katër ditë pune po rritet gjithnjë e më shumë” – shpjegoi Nick Bangs, managing director i Unilever në Zelandën e Re. “Duke parë rritjen e fortë të regjistruar nga kompania, ky është momenti ideal për të provuar diçka kaq ambicioze. Dëshirojmë të rrisim produktivitetin dhe të përmirësojmë, në të njëjtën kohë, mirëqenien e personave”.

Punonjësit do të jenë të lirë të zgjedhin ditët e punës dhe të pushimit brenda një javë. Eksperimenti do të zgjasë një vit, në fund të të cilit, Unilever do të vlerësojë ecurinë e filialit në Zelandën e Re së bashku me shkollën e biznesit të University of Technology në Sidnej. Pas kësaj, do të vendosë nëse do të zgjasë këtë projekt dhe ta shtrijë edhe tek 150 mijë punonjësit e tjerë në botë.

Eksperimenti i Unilever

“Me këtë nismë duam të heqim barrierat që pengojnë krijimin e vlerës dhe ta gjykojmë ecurinë jo në bazë të kohës, por të rezultateve” – shtoi Bangs. “Unilever e mori këtë nismë duke marrë shkas nga puna e Andrew Barnes dhe ekipit të tij të Perpetual Guardian”.

Pika e referimit është kompania neozelandeze e planifikimit të pasurive të patundshme, e para që eksperimentoi javën e punës me katër ditë në vend. Eksperimenti, i cili zgjati dy muaj, dha rezultate të tilla sa që bindi Perpetual Guardian ta bëjë të përhershëm orarin e reduktuar: rritje e produktivitetit me 20%, reduktimi i stresit të punonjësve, të ardhura të qëndrueshme dhe rënie të kostove. Për këtë qëllim, Andrew Barnes krijoi një organizatë jofitimprurëse për të mbështetur tranzicionin e javës me katër ditë punë.

Disa muaj para se të niste eksperimentimin Unilever, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, foli për javën me katër ditë pune si një instrument që do të ndihmonte në rimëkëmbjen pas pandemisë.

Një eksperiment i ngjashëm u krye nga Microsoft, i cili mbylli zyrat në Japoni çdo të premte në muajin gusht të 2019-s. Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, produktiviteti u rrit me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po në vitin 2019, kryeministri rus, Dimitri Medvedev deklaroi se “sipas të gjitha gjasave, kontratat e punës në të ardhmen do të mbështeten në një javë me katër ditë pune”. Në ato ditë, një studim i Bankës së Anglisë parashikoi që java me katër ditë do të zëvendësojë atë me pesë ditë pune brenda 2050-s.

Burimi: Forbes

Artikulli paraprakPse nuk duhet të gënjeni në CV-në tuaj
Artikulli tjetërPropozim për t’u njohur punonjësve të drejtën e shkëputjes