Në forumin e përbashkët mes Dhomës së Tregtisë së Izmirit dhe asaj të Tiranës marrin pjesë dhjetëra kompani nga Turqia dhe Shqipëria
TIRANË (AA) – Po mbahet sot në Tiranë, forumi i biznesit i kompanive turke të sektorit të IT-së (Teknologjisë së Informacionit) dhe sektorit të pajisjeve mjekësore, organizuar nga bashkëpunimi mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Izmirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim të mbajtur në këtë aktivitet, atasheu i Turqisë në Tiranë për Tregtinë, Halis Kaya vuri theksin tek rëndësia e organizimit të këtij forumi, duke thënë se këto lloj takimesh janë shumë të nevojshme për rritjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.
Ndërsa Emre Ilalan, anëtar i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Izmirit, në fjalën e tij u shpreh se “Jemi të lumtur që jemi këtu sot. Kemi marrë dy sektorë të veçantë sot për bazë në këto takime. Pajisjet mjekësore dhe IT. Shpresoj që bashkë më kompanitë shqiptare do të bëjmë bashkëpunime të mira për të ardhmen. Unë besoj se ky takim sot do të jetë një fillim për marrëdhëniet tona të ardhshme’’, tha ai në fjalën e tij.
Ndërsa nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Arben Shkodra në fjalën e tij të mbajtur në këtë forum falënderoi biznesmenët për pjesëmarrjen dhe shtoi se ky takim duhet të jete shtysë për rritjen e bashkëpunimit.
Ndërsa duke thënë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë janë shumë të mira në çdo fushë, Shkodra ka theksuar: “Duhet të rrisim më tepër marrëdhëniet tona ekonomike sepse Turqia është një partner shumë strategjik për Shqipërinë. Dy vendet tona po kalojnë në një fazë shumë të rëndësishme. Turqia kaloi një referendum shumë të rëndësishëm. Në përfundim të këtyre proceseve zgjedhore ne duhet të intensifikojmë marrëdhëniet tona. Dhomat tona të tregtisë kanë marrëdhënie të mira. Dhoma e Tiranës ka marrëveshje të nënshkruara me disa dhoma turke të tregtisë. Ajo që dëshirojmë ne është fakti që duam t’i konkretizojmë ato. Ne do të bëjmë përpjekjen tonë maksimale për t’i hedhur këto(marrëveshje) në aktivitete dhe bashkëpunime fizike.’’
Në forumin e përbashkët mes Dhomës së Tregtisë së Izmirit dhe asaj të Tiranës marrin pjesë dhjetëra kompani nga Turqia dhe Shqipëria, kompani këto të cilat operojnë në sektorin e IT-së dhe në fushën e pajisjeve të mjekësisë.
Pas fjalimeve forumi njëditor do të vazhdojë gjatë ditës me takimet dypalëshe mes kompanive të të dy vendeve.