Raporti i të Bërit Biznes i Bankës Botërore është një nga dokumentet më të përmendura nga politikëbërësit, analistët dhe studiuesit, në pothuajse secilin vend të botës. Qëllimi kryesor i këtij dokumenti është raportimi për rregullat si: procedurat ligjore, koha e pritjes, kostot e fillimit të biznesit, efiçienca e gjyqësorit, energjia, etj. Këto rregulla shihen si përcaktuese të cilësisë së një ambienti ndaj të bërit biznes. Thënë këtë, nuk janë të rralla rastet kur qeveritë nëpër botë kanë ushtruar presion të vazhdueshëm tek institucionet përgjegjëse që t’i marrin reformat e nevojshme në mënyrë që të përmirësohet ambienti i biznesit dhe rrjedhimisht të ngrihet vendi në renditjen e tabelës. E metë e madhe e derivuar nga stimujt për t’u reformuar është dilema sa e dobishme është reforma në vetvete.
Pra, vendi mund të ketë shënuar progres në regjistrimin e shpejtë të bizneseve, por cili është ndikimi real që ky përmirësim ka në ambientin e të bërit biznes – pavarësisht përmirësimit në renditjen e raportit. Për studiuesit e pavarur dhe ata që nuk kanë qenë të kënaqur me peshën që u është dhënë indikatorëve në përcaktimin e përgjithshëm të renditjes, Banka ka publikuar peshat e përdorura, në mënyrë që kritikët të kenë mundësi të rindërtojnë indeksin sipas argumenteve dhe besimeve të tyre. Kështu, me gjithë të metat, raporti është një “Proxy” i mirë i ambientit të biznesit.
Tradicionalisht, institucionet financiare ndërkombëtare të dala nga marrëveshja e Bretton Woods-it – Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – janë ndër organizatat më të besuara në botë. Kredibiliteti i tyre nëpër vite është ndërtuar nga ekonomistët më eminentë, të cilët janë të dëshmuar në fushën akademike, pasi u shpërblyen edhe me çmime Nobel. Rishtazi, një hulumtim i pavarur i kompanisë WilmerHale pretendon se drejtoresha aktuale e FMN-së, Kristalina Georgieva, gjatë kohës sa ka udhëhequr me Bankën Botërore, ka ushtruar presion mbi stafin e saj në mënyrë që të vendosë Kinën, Arabinë Saudite dhe Azerbajxhanin në pozita më të larta në Raportin e të Bërit Biznes. Këto pretendime luhatën ndjeshëm integritetin e institucioneve kryesore financiare në botë dhe pezulluan publikimin e raportit në fjalë. Në debatin e ngritur u përfshinë disa nga emrat më të njohur të fushës së ekonomisë, të cilët në të kaluarën kishin punuar në po të njëjtat institucione.
Anne Kruger, ish-drejtoreshë menaxhuese e FMN-së dhe shefe për ekonomi në Bankën Botërore argumenton se Georgieva duhet të zëvendësohet në mënyrë që institucioneve t’u kthehet kredibiliteti. Sipas saj, raporti i kompanisë WilmerHale ofron prova të mjaftueshme se ka pasur ndërhyrje në rënkimin e Kinës në indeksin e vitit 2018. Kjo ndërhyrje kishte ardhur nga hierarkia e lartë, duke ndryshuar të dhënat dhe duke eksploruar metodologjinë të reja. Pa to, Kina do të kishte rënë disa pozita. Në raport thuhet që edhe Banka kishte pasur interesin e vet, pasi në atë kohë priste rritje të kapitalit nga përkrahja e Kinës.
Ndryshimet në indeksin e raportit janë një lojë me shumë zero, pasi përmirësimi i pozitës në indeks për një vend nënkupton përkeqësim të pozitës për vendin tjetër. Si rezultat, vendet me pozitë më të ulët në indeks janë më pak atraktive për investimet e huaja dhe dekurajojnë investimet dhe të bërit biznes. Paul Romer, ish-shef i ekonomisë në Bankën Botërore, kritikon qasjen e përdorur në raportin e indeksit, pasi ka pasur vazhdimisht ndryshime në metodologji, duke u dhënë më shumë rëndësi orientimit ideologjik dhe politik të qeverive. Romer argumentoi për manipulimet që janë bërë, duke përmendur vende specifike si Kili. Ky vend përjetoi ndryshime të mëdha duke lëvizur nga vendi i 25-të në atë të 57-të, gjatë periudhës 2006-2017. Manipulimet, sipas Romerit, pretendojnë përkeqësim të ambientit të biznesit në Kili gjatë qeverisë së majtë. Paul Romer shkoi edhe më larg, duke kërkuar falje ndaj Kilit për manipulimet e bëra.
Jayati Ghosh, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Massachusetts, kritikon ekonomistët botërorë për debatin e vonuar në lidhje me indeksin e të bërit biznes. Sipas saj, indeksi do të duhej të maste ambientin në përgjithësi, por në vend të kësaj mat vetëm rregullat e qeverisë. Gjithashtu, Ghosh argumenton që raporti nuk përfshin çështje të rëndësishme për investitorët si: stabiliteti makroekonomik, koordinimi i politikave, punësimi, krimi, korrupsioni, stabiliteti politik, pabarazia dhe varfëria. Kështu, sa më pak rregulla ka një vend, aq më lart do të ngjitet në indeks, pavarësisht se nga rregullat mund të krijohet një ambient më i mirë i biznesit. Jayati Ghosh sugjeron që Banka duhet t’u kërkojë falje vendeve në zhvillim për dëmin që ua ka shkaktuar me këtë raport.
Në anën tjetër, fituesi i çmimit Nobel në Ekonomi Joseph Stigliz, zhvillimet e fundit në FMN i quan puç. Fillimisht, ai rikujton që ishte një lloj konsensusi se Kristalina Georgieva kishte bërë një punë shumë të mirë në përgjigje ndaj pandemisë. Stigliz analizon në detaje raportin e firmës WilmerHale, duke i hedhur poshtë shumë pika. Sipas tij, Kina në vitin 2018 – vit kur pretendohet ndërhyrja e Georgievës – ka të njëjtën pozitë në indeks krahasuar me vitin paraprak. Pastaj, atë që raporti e quan si presion ndaj shërbyesve civilë të bankës, Stigliz e përshkruan si kërkesë apo lutje që të kenë kujdes që numrat të jenë të saktë. Veç kësaj, shefi i ekonomisë në Bankë, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e raportit, deklaroi se asnjëherë nuk kishte pasur presion nga Georgieva.
Pretendimeve të raportit se pozita e Kinës në indeks u favorizua për shkak të rritjes së kapitalit të Bankës, Stigliz u përgjigjet duke argumentuar se Kina kishte shprehur interesim dhe ishte entuziaste të përkrahte Bankën me kapital prej kohësh; ndërsa në anën tjetër, ShBA-ja nën administratën Trump kishte filluar hezitimet.
Edhe ekonomisti i famshëm Jeffery Sachs doli në përkrahje të Gerogievës, duke e quajtur skandalin histeria anti-Kinë. Argumenti qendror i Sachs është se për Kongresin Amerikan, Gerogieva nuk është armik i përbetuar i Kinës dhe për rrjedhojë nuk është në linjën e tyre të histerisë anti-Kinë. Sachs sugjeron që nëse qeveria amerikane e largon Gerogievën, do të provonte që FMN-ja është institucion i kontrolluar nga ta, ku vendet e tjera nuk kanë mjaftueshëm vend dhe duhet të kërkojnë shtigje të tjera.
Një tjetër ish-shef i ekonomisë në Bankën Botërore dhe profesor në Universitetin Cornell, Kaushik Basu, përfshihet në debat duke shikuar përpara. Ai sugjeron që të shfrytëzohet momenti nga pezullimi i indeksit dhe të adresohen mangësitë, në mënyrë që të zhvillohet një raport më i mirë. Ai e pranon që shtetet gjithmonë kanë lobuar për ta përmirësuar pozitën e tyre në indeks, por këto lobime kanë qenë pa efekt. Ai lavdëron Bankën për procesin transparent të hetimeve dhe veprimet e ndërmarra, duke e quajtur vendimin për suspendimin e raportit si të kuptueshëm për situatën aktuale. Basu jep tri propozime për zhvillimin e Raportit të ri të të Bërit Biznes.
E para, Banka duhet të fillojë të mbledhë të dhëna de-fakto për vendet, duke observuar ndryshimet në kohë reale, në vend të monitorimit të ndryshimit të rregullave. Kjo, natyrisht, do të krijonte kosto shtesë nga anketat e nevojshme. Pastaj, profesor Basu sugjeron që raporti duhet të përmbajë informata për ligjet e punës dhe zbatimin e tyre. Dhe, në fundit, raporti i ri duhet të përfshijë indikatorë që tregojnë sa i drejtë dhe fer është ambienti i biznesit në një vend. /sbunker/