Suksesi është udhëtim. Është sikur të hipësh në një anije dhe të lundrosh me të duke synuar cakun. Gjatë këtij udhëtimi do të ketë vështirësi, valë, dallgë, përplasje, lëkundje dhe erëra të forta, gjë që na kujton se edhe vetë jeta është kështu, me të tilla kthesa, tatëpjeta e rrëshqitje.
Jeta është flijim, luftë, përpjekje, orvatje dhe mund, jeta është dhënie dhe marre, fitim dhe humbje, lumturi dhe mërzi, jeta është e tillë sikur je duke udhëtuar qetë me anije në det, befasisht vijnë valët dhe përplasen fuqishëm tek ti, të lëkundin, të trembin, të frikësojnë, të fusin tmerrin, por ai që vërtet do suksesin dhe ndeshet me këtë gjendje, ai sakrifikon, vazhdon, ec, e çan udhën, ngase siç thonë kinezët “i uluri mbi tokë nuk rrëzohet”. Ai që nuk do suksesin, nuk përpiqet, ai madje as që gjen veten në këtë rrugëtim. Ai që synon të jetë i suksesshëm, gjithnjë shoqërohet me besim të thellë në Zotin Një, ka ambicie dhe entuziazëm të flaktë.
Zoti shpalli në Kuran:”O Jahja! Merre librin me të gjithë forcën që ke !”. (Merjem: 12)
Pra, merre librin me vendosmëri, me seriozitet, me ngulmim! Cilin libër? Librin e besimit, librin e fitores, librin e suksesit, merre me forcë atë dhe asnjëherë mos ndalo!
Kurse përtacët, gjumashët, ata madje as që jetojnë, sepse ata akoma nuk kanë hipur në anijen e jetës, nuk kanë hipur akoma e as që mund ta drejtojnë timonin e saj. E si pra, ata të kenë sukses?!
Suksesi ka nevojë që fillimisht të hipësh në anijen jetës, të thuash “bismilah” dhe të brohorasësh, se s’ka për mua hamendje, por ka vetëm rrugëtim dhe kjo duke e shfrytëzuar si karburant besimin në Zotin Një.
Çdokush që e lakmon suksesin, dëshiron të përshendetet nga dielli dhe nga yjet, medoemos atij i duhet që të hipë në anijen e jetës, të shohë, të vëzhgojë dhe të kuptojë. Se nëse nuk lëviz këmbët, anija ndalet, arritja për tek ëndrra vonohet, ndërsa nëse i lëvizë ato, ajo vazhdon,edhe nëse përmbysesh dhe rrotullohesh, përsëri kthehu, merr frymë dhe hip prapë, sepse kështu është jeta.
Çdo i suksesshëm bie dhe ngrihet, bie dhe ngrihet;
Derisa kështu një ditë te yjet të ngjitet!
I suksesshmi e vlerëson kohen, e çmon atë, e shfrytëzon atë duke mësuar, vepruar, shkruar, punuar, planifikuar, memorizuar, lexuar, kurse dështaku, vrasësi i saj mbetet gjithnjë në rreshtin e fundit. Koha është toka ku hidhet fara e suksesit dhe e punës.
Një njeri që brenda një minute nuk mund të bëj diçka të bukur dhe të dobishme, realisht ai është njeri që nuk di ta vlerësojë kohën. Ndaj edhe e le atë të kalojë bosh!
Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami