Sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut shkaku më i madh i vdekjeve në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë» për vitet 2018 dhe 2019
Rezultatet e Shkaqeve të Vdekjeve janë përpunuar në mënyrë analitike dhe në tabela, me standarde sipas klasifikimeve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Eurostat-it.
Publikimi “Shkaqet e Vdekjeve në Kosovë” për vitet 2018/2019, është bërë në bazë të përpunimit të pyetësorit statistikor për vdekje, DEM-2, të pjesës “Certifikata mjekësore për vdekje”.
Ky publikim u mundësua me punën e përbashkët të ASK-së dhe Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik (IKSHPK).
Përpunimi i informacioneve për shkaqet e vdekjeve krijon mundësi të gjëra për analiza mjekësore, në fushat ku është fokusuar interesi i tyre. Pyetësori për vdekje – DEM-2, në të cilin gjendet pjesa “Certifikata mjekësore për vdekje”, pyetja – shkaku i vdekjes, mundëson të shënohet drejt sëmundja, trauma ose lëndimi, që ka shkaktuar vdekjen. Të njëjtat janë përpunuar dhe janë tabeluar sipas KNS – 10.
Grupimi standard dhe paraqitja në tabela mundëson analiza dhe krahasime me vendet e tjera. Kodimi i sëmundjeve sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, revizioni i tretë (KNS – 10), vlerësohet nga OBSH si kodim i fundit më analitikë, që e aplikojnë sot vendet e zhvilluara.
Për të realizuar këtë hulumtim të rëndësishëm statistikor, është e domosdoshme që mjekët në spitale, klinika, qendrat mjekësore, ambulance etj., ta bëjnë përshkrimin e diagnozës, në pyetësorin statistikor DEM-2, në pyetjen 23: Shkaku i vdekjes nga: “historia” e pacientit, për personat e kuruar në spitale; “kartoni” për personat e kuruar në ambulanca; ose nga ndonjë dokument valid, nga i cili shihet qartë diagnoza, për personin e vdekur.
Nga gjithsej vdekjet e raportuara në vitin 2018, 90.9% janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 9.1% janë të pakoduara (pa diagnozë).
Në vitin 2019, 73.2% janë të koduara (me diagnozë), ndërsa 26.8% janë të pakoduara (pa diagnozë).
Vdekjet e pakoduara, janë pasojë e mungesës së diagnozës nga personeli mjekësor, kompetent për konstatimin e vdekjes dhe shkakut të vdekjes.
Sipas kodifikimit të shkakut të vdekjes, në Kosovë prin “sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut”, për të dy vitet.
Në vitin 2018, pas “sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut” vjen grupi i sëmundjeve “simptomet, shënjat dhe rezultatet jonormale klinike dhe laboratorike”, të paklasifikuara gjetiu.
Në vitin 2019, pas “sëmundjeve të sistemit të qarkullimit të gjakut” vijnë “Tumoret”, e kështu me radhë, sipas paraqitjes tabelare.