Në seminaret dhe konferencat e përvitshme që Tony Robbins zhvillon, gjithnjë pyetet nga publiku i tij, se cilët janë sekretet për vendosjen efektive të qëllimeve dhe për arritjen e tyre. “Ju duhet një vizion i gjerë dhe një plan i arritshëm çdo fillim viti” shprehet ai.
Por, është vënë re se që në javët e para të muajit shkurt, shumica e njerëzve heqin dorë nga qëllimet e vendosura për të arritur gjatë Vitit të Ri. Pse ndodh kjo? “Sepse ato nuk janë qëllimet tuaja të vërteta,” shprehet Robbins. “Ju nuk i menduat mirë ato. Ishte pragu i vitit të ri, çdokush fliste për to, dhe ju të ndikuar nga ajo çfarë ndodh përreth, menduat për disa gjëra që do të donit të bënit ose të ndryshonit. Por ato nuk kanë qenë qëllimet tuaja të vërteta, të cilat do t’i realizonit pavarësisht çdo gjëje”
Ndaj, për të vendosur dhe për të arritur qëllime në mënyrë sa më efektive, ndiqni strategjitë e Tony Robbins, pasi jeni ende në kohë:
1.Mos e harroni: Ndjekja e qëllimit ka po aq rëndësi sa qëllimi vetë
P.sh. Nëse qëllimi juaj është të fitoni $100’000 nga biznesi juaj, në vend që të fokusoheni te sasia e parave që doni të arrini, duhet të mbani parasysh arsyen pse po e ndiqni këtë qëllim dhe sesi ai mund t’ju rrisë si person. “Thelbi i çdo qëllimi që i vendosim vetes nuk është ta arrijmë atë qëllim, por është personi që ne bëhemi gjatë rrugës” thotë Robbins. “Nëse ju rriteni gjatë procesit të përmbushjes së qëllimeve, atëherë ky është sukses.”
2.Vendosni qëllime me një shtrirje të caktuar zbatimi
Njerëzit zakonisht heqin dorë nga qëllimet e tyre të Vitit të Ri, pasi ato janë shumë ‘të larta’ për t’u arritur. Ndaj, mundohuni të vendosni qëllime që mund të arrihen në mënyrë të arsyeshme brenda një viti; ose, në qoftë se qëllimi juaj kërkon më shumë kohë për t’u arritur, mundohuni ta ndani në etapa atë çfarë doni të arrini vitin e parë dhe në vazhdim.
3.Fokusohuni tek ajo çfarë doni, jo tek ajo çfarë nuk doni
Një gabim i madh që bëjnë njerëzit kur përcaktojnë qëllimet e tyre është se fokusohen tek ajo çfarë nuk duan dhe jo tek ajo çfarë duan vërtetë të arrijnë. I shprehin synimet e tyre në formën “Nuk dua të jem i shëndoshë, prandaj do të duhet të humbas 20 kg” , në vend që të thonë “Dua të jem i shëndetshëm dhe elegant, prandaj do dobësohem derisa të arrij peshën time ideale.”
Nëse po përpiqeni të identifikoni thelbin e qëllimit tuaj dhe atë që dëshironi vërtet, Robbins ofron këtë këshillë të thjeshtë: Provojeni me aktivitete fizike.
“Do të hyni në depresion nëse varni kokën, ulni shpatullat, flisni me ngadalë dhe mendoni për gjëra të cilat ju frikësojnë” shprehet ai. “Por nëse shkoni për një ecje intensive apo vrap dhe filloni të fokusoheni tek ajo çfarë doni, shumë shpejt do ta arrini atë.”
4.Mos u ndalni edhe pasi ta keni arritur qëllimin
Është e thjeshtë: Gjithmonë duhet të arrini qëllime. Mos u ndalni kurrë.
Marrim përsëri shembullin e mësipërm. Le të themi se e arritët qëllimin e fitimit $100’000 dhe ndjeni një shpërthim krenarie dhe energjie në momentin e parë. Po më pas? Pa një qëllim tjetër për të përmbushur me qëllimin e parë që arritët dhe pa i dhënë kuptim çdo dite të jetës me qëllime të ndryshme, do të ndiheni të humbur.
Tony Robbins citon: “Kur jeni duke arritur në fundin e përmbushjes së një qëllimi, duhet të filloni të përballeni me qëllimet që vijnë pas, sepse përndryshe do të keni rënie energjie”
5.Mos u shqetësoni edhe nëse nuk i arrini qëllimet
Siç u përmend edhe më sipër, Robbins mbështet fuqishëm mendimin se nuk ka rëndësi edhe nëse qëllimi nuk arrihet; e rëndësishme është rritja e individit gjatë procesit. “Progresi dhe rritja janë ato që na bëjnë të ndihemi gjallë”, shprehet Robbins. “Ose rritemi, ose vdesim. Kështu është jeta.”
Vetëm mbani mend: Rritja ka forma të ndryshme te persona të ndryshëm. Mundohuni të dalloni se cila formë rritje është më e vlefshmja për ju dhe shkoni drejt saj.
“Nuk mjafton thjesht të rriteni”, thotë ai. “Duhet të rriteni në atë formë që të keni një jetë të mrekullueshme dhe të ndiheni të plotësuar”