Qeveria e Kosovës paralajmëron paketë të re për rimëkëmbje ekonomike

Qeveria e Kosovës po parashikon që brenda këtij viti të nisë zbatimin e një pakete të re për rimëkëmbje ekonomike. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati ka treguar se kjo paketë do të bëhet pasi të ndodhë rishikimi i buxhetit. Kurse, përfaqësues të opozitës kanë thënë se Qeveria nuk e ka marr seriozisht çështjen e rimëkëmbjes.

 

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati ka paralajmëruar një paketë të re të rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës, paralelisht me rishikimin e buxhetit, për të cilët tha se shumë shpejt do të jenë në Kuvend për votim.

Murati në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për ekonominë si pasojë e pandemisë Covdi-19 tha se me uljen e numrave mund të bëhet edhe rimëkëmbja ekonomike.

“Ne jemi në përgatitje, shumë shpejt do ta keni edhe rishikimin e buxhetit. Ka qenë e pamundur edhe të bëhet pako e rimëkëmbjes ekonomike pa e ditur hapësirën fiskale, është dashur t’i monitorojmë të hyrat, shpenzimet që ta kemi të qartë çfarë hapësire fiskale mund të përdorim për të krijuar këtë pako të rimëkëmbjes. Shumë shpejtë paralelisht do t’i kemi të dyja”.

Ministri Murati kritikoi edhe ish qeverinë e kaluar për masat e ndërmarrave për ndihmat dhënë bizneseve.

“Masat e qeverisë së kaluar e kanë parë edhe qytetarët që as nuk ka pasur hapje as mbyllje. Numrat kanë thyer rekorde të zeza në vazhdimësi dhe nuk janë të qarta kriteret e shpërndarjes së 60 milionë eurove”.

Murati  ka thënë se sivjet performanca e ekonomisë do të jetë më e mira në dy dekadat e fundit. Sipas Muratit, kjo do të vjen si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve dhe akumulimi të të ardhurave.

Ai ka thënë se duhet të bëhet thirrje për konsum të prodhimeve vendore.

“Arsyeja e rënies ekonomike janë lidhur me pasigurinë dhe çfarëdo likuiditeti shtesë nuk ka mundur ta rrisë ekonominë, sepse qytetarët kanë pasur pasiguri. Rruga e vetme për të dalë nga kjo gjendje, ka qenë vënia nën kontroll e rritjes së rasteve. Si rrjedhojë e ardhjes së mërgatës dhe rritjes së shpenzimeve pas akumulimit të të ardhurave, presim që këtë vit ta kemi performancën më të mirë ekonomike në këto dy dekadat e fundit. Duhet të bëjmë thirrje për konsumim të prodhimit vendor dhe formatizim të ekonomisë”.

Kurse, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza  ka thënë se Qeveria nuk e ka marrë seriozisht çështjen e rimëkëmbjes.

Sipas Hamzës, pa vaksinim të popullatës nuk do të ketë rimëkëmbje ekonomike në vend.

“Pa vaksinim të popullatës nuk do të ketë rimëkëmbje ekonomike. Kemi një numër të madh të bizneseve që janë mbyllur dhe shumë punëtorë janë larguar nga vendet e punës. Borxhi publik është rrit dhe shpenzimet kapitale janë ulur. Në planin qeveritar nuk është paraparë asnjë masë se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike. Shfrytëzojeni këtë seancë t’iu tregoni qytetarëve se a do t’i rrisin tatimet. Nëse nuk keni plan, atëherë zbatojeni Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Nëse filloni me këto masa, do të ishte një ndihmesë për qytetarët dhe bizneset. Siç e dini ky Ligj ka afat edhe gjashtë muaj”.

Ai shton se deri në rishikimin e buxhetit të Kosovës, organizatat buxhetore do të kenë vështirësi për funksionimin e tyre.

“Që eeveria e Kosovës nuk e ka marr seriozisht çështjen e rimëkëmbjes shihet nga miratimi i vetëm një pako ekonomike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar pako prej 900 milionë euro, ashtu Shqipëria ka miratuar pako prej miliarda lekë dhe Mali i Zi ka miratuar pako prej mbi 1 miliard euro. Deri në rishikimin e buxhetit do të ketë vështirësi për organizatat buxhetore. Mbështetje shtesë prej 40 milionë euro për bizneset që kanë qenë të mbyllura gjatë pandemisë. Të mbështeten sektorët që kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit. Gjithashtu, të rimbursohen gjobat e bizneseve që kanë qenë aktive gjatë pandemisë”.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami  ka thënë se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë po ndodh shumë më shpejt se që është parashikuar.

Ish-ministrja e Ekonomisë shtoi se ish-qeveria Hoti ka ndarë mbi 285 milionë euro për qytetarët, bizneset e institucionet.

“Vetëm gjatë viti 2020 janë dhënë 285 milionë euro drejtpërdrejtë, dhe gjithsej për gjashtë muaj jajë vu në mbështetje qytetarëve 285 milionë euro por ato kanë qenë kapacitetet tona. Kemi dyfishuar subvencionet në bujqësi, kemi ndihmuar bizneset e grave. Qeveria Kurti ka marr mandatin me 22 mars dhe si mund të krenoheni me progresin ekonomike”, tha Bajrami.

Bajrami është shprehur se as rënia e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 e as rimëkëmbja ekonomike nuk është meritë e Qeverisë Kurti.

“Me rënien e numrave të infektuarve është e pakuptueshme që të krenoheni aq shumë se nuk ka asnjë vendim e asnjë masë që ju të merrni merita. Nëse flasim për shifrat e majit, nuk ka masë ekonomike dhe  vendim që efektet e saj do t’i krijonte menjëherë pas 1 muaji. Qeveria Kurti ka marrë mandatin më 22 mars dhe si mundeni të krenoheni me programin ekonomik. Ne bëmë çdo gjë që të mos ketë mbyllje totale. Rimëkëmbja po ndodh shumë më shpejt se që e kemi parashikuar, pikërisht për shkak të masave që kemi marrë”.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj thotë se nga kjo qeveri nuk po shihet ndonjë iniciativë apo planifikim ekonomik që do u vijë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve.

Lekaj ngriti si shqetësim edhe uljen e të ardhurave në nivelin lokal.

“Qytetarët nuk harrojnë që Vetëvendosje ishte ajo që bllokoi me muaj të tërë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike ku sipas jush ishte një ligj i rrezikshëm dhe i palogjikshëm e siç e dimë mungesa e këtij ligji penalizoi shumë veprimtari dhe biznese e qytetarë dhe se një pjesë të madhe të fajit në këtë proces të humbjeve keni gisht edhe ju si parti, madje më shumë se të gjithë. Për keqardhje, atëherë ka pasur për çka të votohet ndërsa tani nga ministria dhe qeveria nuk po shohim ndonjë iniciative, ide apo planifikim ekonomik për të ndihmuar bizneset sektori ekonomi apo qytetarë. Kjo nuk mund të njihet ndryshe përveç një dështim si rrjedhojë e pa planifikimit të një qeveri pa projekte që nuk di të udhëheqë. E për më keq ne si opozitë nuk mund t’i mbyllim sytë sepse pandemia ka krijuar efektet negative gjithandej vendit dhe kjo ka ndikuar në uljen e mirëqenies qytetare”.

Lekaj tutje tha se me Qeverinë Kurti situata po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe kjo po vërehet edhe në pushtetin lokal.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ende nuk filluar shpërndarjen e mjeteve nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike për bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili në Kuvendin e Kosovës është miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka ndarë 222 milionë euro për sektorin privat, shëndetësor, skema sociale, arsim dhe kulturë.

Deri më tani nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, për sektorin privat janë ndarë 30 milionë euro. Nga kjo vlerë, 6 milionë e gjysmë janë ndarë për të vetëpunësuarit, 1 milion për gratë në ekonomi dhe 1.5 milionë për mbulimin e tarifës së garantuar për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, 13 milionë euro për sektorin e bujqësisë dhe 8 milionë për subvencionim të tarifës për Burime të Ripërtërishme të Energjisë.

Artikulli paraprakAeroporti i Stambollit lider në Evropë me 686 fluturime në ditë
Artikulli tjetërEksporti ka shënuar rritje për 66 për qind