Pionierët më interesantë të teknologjisë së gjelbër për vitin 2021

Një përzgjedhje e disa prej pionierëve të teknologjisë së gjelbër më inovativë dhe interesantë. Nga fluturimi me emetime zero te të dhënat satelitore për të verifikuar ripyllëzimin

 

Lista e pionierëve të teknologjisë për vitin 2021 e World Economic Forum sapo është publikuar, me një gamë të larmishme dhe gjithëpërfshirëse.

Këtë vit përfaqësohen 26 vende, me El Salvadorin, Etiopinë dhe Zimbabve që shfaqen në klasifikim për herë të parë. Nga 100 kompani, më shumë se një e treta janë sipërmarrje që drejtohen nga gratë. Ndërkohë që inovatorët dhe sipërmarrësit, të cilët përbëjnë listën eTechnology Pioneers janë të përqendruar te një përzgjedhje e gjerë teknologjish,mes tyre ka një përfaqësim të fortë të atyre që ndjekin ndryshime mjedisore pozitive.

 

Plastikë e ricikluar e cilësisë së lartë

Në Indi, Banyan Nation ka krijuar një sistem riciklimi për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga ndotja prej plastikës. Procesi i riciklimit përfshin një shkallë të lartë pastrimi dhe rafinimi, që shndërrohet në një plastikë të ricikluar me cilësi të lartë, e përshtatshme për t’u përdorur në shumë funksione. Kompania po krijon vende të reja pune për vendasit dhe thotë se rikuperon gjithë ujin e përdorur në proceset e saj të riciklimit.

 

Fluturim me zero emetim

Duke marrë emrin e vëllezërve amerikanë, të cilët ishin pionierët e fluturimit në Kitty Hawk në Karolinën e Veriut në vitin 1903, Wright 1 është një avion elektrik, i projektuar për të fluturuar në distanca rreth 1300 km. Kompania që po ndërton avionin, Wright, thotë se projekti i tyre do të sjellë“fluturimin me zero emetime dhe me të njëjtën kosto të një flote që përdor karburant fosil”. Ata parashikojnë se kjo gjë do të realizohet brenda vitit 2030.

 

Peshk i kultivuar në laborator

Peshkimi i tepërt dëmton speciet e peshqve dhe mund të shkaktojë, në afat të gjatë, dëme në mjedise me ekuilibra delikatë, si barrierat koralore. Një startup në Hong Kong, Avant Meats, ofron si alternativë peshk të kultivuar në laborator. Qelizat staminale të peshkut ushqehen me lëndë ushqyese dhe rrisin fileto të ngrënshme në më pak kohë se ajo e nevojshme për të rritur një peshk me përmasa të ngrënshme. Kjo alternativë për kultivimin e peshqve në laborator nuk shkakton ndotje dhe sëmundje.

 

Inteligjenca Artificiale verifikon kompensimin

Pachama është një kompani teknologjike   që përdor Inteligjencën Artificiale dhe të dhënat satelitore për të çuar në një tjetër nivel kompensimin e karbonit. Platforma e saj u lejon kompanive që po punojnë drejt emetimeve zero apo neutralitetit të karbonit të mbështesin me besim një larmi projektesh për përthithjen e karbonit. Nga ripyllëzimi te projektet e ruajtjes së habitateve, Pachama është në gjendje të vërtetojë efikasitetin e projekteve, duke analizuar automatikisht imazhet satelitore.

/ World Economic Forum

Artikulli paraprakAmazon, lider në blerjen e energjisë së rinovueshme
Artikulli tjetërSiguria e faqes tuaj: si dhe pse ta përmirësoni!