Përgjigje ekonomike ndaj pandemisë: diskutim mbi burimet e financimit

Rishtazi, Dr. Alban Zogaj dhe Dr. Lumir Abdixhiku kanë publikuar punimin e tyre të titulluar “Nga humbja në rikthim: përgjigje ekonomike ndaj pandemisë”. Profesorët e ekonomisë, ofrojnë analizë për intervenimet e mundshme të qeverisë, analizë e cila duket që i ka munguar diskutimit për rimëkëmbjen ekonomike. E thënë ndryshe, autorët analizojnë pasojat kryesore makroekonomike të shkaktuara nga kriza shëndetësore dhe propozojnë disa politika që vendi ynë duhet t’i aplikojë. Vetëm se, janë dy çështje nga punimi të cilat duhet të diskutohen.

Fillimisht, rritjen e depozitave në sistemin financiar, autorët e arsyetojnë me një teori standarde të makroekonomisë, sipas së cilës, rritja e depozitave ndodh si rrjedhojë e tkurrjes së investimeve dhe rrjedhimisht, rritjes së kursimeve. Pra, autorët shkruajnë se “Njerëzit në kohë krize tkurrin shprehjen investuese. Njerëzit, në kohë krize, orientohen drejt kursimeve. Në këtë vijë, në këtë logjikë, janë rritur edhe depozitat e kosovarëve në bankat kosovare.” Ndonëse nuk mund të refuzohet tërësisht ky argument, trendi i rritjes së depozitave ndër vite lë të kuptohet se duhet të jetë diçka tjetër që është përgjegjës për këtë rritje. Në fakt, Figura 1 në punimin e autorëve, nuk ofron pasqyrë të qartë për historikun e nivelit të depozitave, pasi përfshin vetëm periudhën janar 2019-shtator 2020. Në anën tjetër, trendi i rritjes së depozitave na ka shoqëruar për çdo vit. Sipas BQK-së, në vitin 2017, depozitat janë rritur 7.2% krahasuar  me vitin paraprak; pastaj, në vitin 2018 janë rritë 6.8%, e kështu me radhë. Grafiku më poshtë paraqet nivelin e depozitave në historinë e re të Kosovës.

Image

Nëse tkurrja nga situata me pandeminë është logjika e rritjes së depozitave në vitin 2020, atëherë cila është logjika e rritjes në vitin 2019 – e cila si përqindje duket më e madhe se kjo e vitit 2020? Pra, duhet të jetë diçka tjetër që e shpjegon rritjen e nivelit të depozitave, apo jo?

Ndoshta, Teoria Krijimit të Kreditit (ang. Credit Creation Theory of Banking) mund të na ofrojë përgjigje. Sipas kësaj teorie, kur krijohet një kredi e re, banka komerciale e regjistron shumën e kredisë si depozitë. Pra, sugjeron që rritja e depozitave është në korrelacion pozitiv me kreditë e reja. Depozitat janë rritur vazhdimisht në shumicën e vendeve të botës, dhe nuk është e lehtë të gjeni një vend që ka përjetuar ulje të depozitave në sistemin bankar.

Çështja e dytë, e cila vlen të diskutohet ka të bëjë me propozimin për uljen e TVSH-së.  Autorët argumentojnë se ulja e TVSH-së “do të ulë çmimet e rrjedhimisht do të inkurajojë individët të shpenzojnë më shumë.” Kjo narrativë funksionon shumë mirë në teori, por jo patjetër edhe në praktikë. Ashtu siç argumenton z. Zogaj në një shkrim tjetër në lidhje më përshkallëzimin e TVSH-së nga 16% në 8% – Ligj i hyrë në fuqi më 1 shtator 2015 – ulja e TVSH-së jo patjetër përkthehet në ulje të çmimeve. Për këtë arsye, Kosova nuk do të duhej të aplikonte uljen e TVSH-së bazuar në praktiken e vendeve të zhvilluara perëndimore. Nëse çmimet nuk do të uleshin, kjo do të nënkuptonte më shumë të hyra për bizneset – e që për situatën që gjenden, do të ishte e mirëseardhur. Por, tendenca e madhe për import mbetet kërcënimi kryesor që do të minimizonte efektet multiplikuese të politikës në fjalë. Bazuar në këtë qasje, ndoshta, TVSH-ja do të ishte mirë të zvogëlohej vetëm për produktet vendore. Kësisoj, edhe nëse çmimet nuk ulen pas zvogëlimit të TVSH-së, të hyrat shtesë do t’i gjeneronin kompanitë vendore dhe efekti fiskal multiplikues do të ishte më i madh.

Përtej punimit të autorëve për përgjigjen ndaj pandemisë, dua që shkurtimisht të diskutoj dy propozime në lidhje me burimet e financimit, të cilat janë duke u debatuar në revistat prestigjioze të ekonomisë.

1. Rritja e borxhit publik

Borxhi publik është duke u rritur në shumë vende të botës. Nga politikëbërësit konservatorë, kjo shihet si veprim jo i duhur, pasi borxhi do të jetë barrë për gjeneratat e ardhshme. Pra, buxheti i shtetit trajtohet si buxheti i familjes; borxhi shihet si barrë të cilën familja do ta bartë mbi supe. Profesoresha Stephanie Kelton, promovuese e Teorisë Moderne Monetare, argumenton që deficiti buxhetor nuk është i dëmshëm vetvetiu. Nëse një shtet harxhon 100 Euro, ndërkaq arkëton 90, i bie që ka një decifit prej 10 Eurosh. Vetëm se, deficiti prej 10 Eurosh lidhet me suficit  në të njëjtën shumë, në një pjesë tjetër të ekonomisë. E thënë me pak fjalë, problemi nuk qëndron në atë se vendi ka borxh, por kujt i ka borxh. Nëse borxhi është i brendshëm, atëherë në terma makroekonomikë, edhe servisimi i këtij borxhi nuk e dëmton ekonominë. Kjo sepse, siç argumenton edhe nobelisti Paul Krugman, borxhin publik ia kemi obligim vetvetes.

Në një publikim të fundit, ekonomistët e mirënjohur Furman dhe Summers, argumentojnë se qasja tradicionale e krahasimit të borxhit me GDP nuk është përshkruesi i duhur i qëndrueshmërisë fiskale. Duke pasur parasysh që normat e interesit janë pothuajse zero –  e për shumë vende edhe negative –  qeveritë duhet të përdorin borxhin për ndryshime strukturore në ekonomi. Për më tepër, Martin Wolf, editor në Financial Times, sugjeron që servisimi i borxhit është indikator më i mirë i gjendjes së ekonomisë, sesa niveli i borxhit vetvetiu.

Ku duhet të marrë borxh Kosova? Së pari, duhet të shfrytëzohen burimet e brendshme nëpërmes letrave me vlerë, të cilat emitohen nga BQK-ja me kërkesë të Ministrisë së Financave. Deri më tani, blerëse të këtyre letrave kanë qenë bankat komerciale. Ndonëse qytetarët mund të investojnë në këto letra përmes bankave komerciale, nuk është vërejtur ndonjë tendencë e tillë. Ndoshta, normat e ulëta të interesit nuk kanë prodhuar stimuj të mjaftueshëm. Por nëse qytetarë kanë kursime të konsiderueshme, atëherë institucionet do të duheshin t’i shfrytëzonin këto mjete, duke u ofruar norma më të volitshme të interesit. Me një promovim të kësaj ideje, letrat me vlerë do të bëheshin atraktive edhe për diasporën tonë. Tek e fundit, nga servisimi i këtij borxhi, do të përfitonin qytetarët tanë dhe jo ata të vendeve të huaja.

E dyta, duhet të konsiderohen programet e institucioneve si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këto institucione, ofrojnë kredi për vendet në zhvillim, me kusht që të realizojnë reforma të caktuara në institucione. Duke parë nivelin e normave të interesit, institucionet tona duhet t’i përshpejtojnë hapat në rea //lizimin e reformave të kërkuara. Gjithsesi, duhet pasur kujdes me udhëzimet shabllon të BB apo FMN, pasi çka është e sukseshme në një vend, mund të jetë dështim në vendin tjetër.

2. Aplikimi i tatimit në pasuri

Politikat neoliberale, që nga vitet e 80-ta, kanë nxitur rritjen e pabarazisë në të ardhura. Për shembull, rreth gjysma e të ardhurave në ShBA, shkon tek top 1% e njerëzve më të pasur. Kriza e fundit, besohet që vetëm ka përkeqësuar gjendjen e pabarazisë në botë. Për këtë arsye, nëpër revistat prestigjioze të ekonomisë janë duke u diskutuar mënyra të reja të tatimit, të cilat nëse jo për momentin, në të ardhmen duhet të merret seriozisht. Tatimi në pasuri është një nga opsionet që është duke u diskutuar nëpër shumë vende. Tatimi në pasuri është një lloj tatimi vjetor, i cili tatimon pasurinë neto të individëve – asetet minus borxhet. Sipas një analize, 1% tatim në pasurinë e 10% e njerëzve më të pasur, është e lidhur me 2 deri 2.5% rritje të GDP-së, me kusht që evazioni fiskal dhe shmangia nga tatimet mbetet e njëjtë. Gjithsesi, Argjentina është një nga vendet që ka filluar të aplikojë këtë tatim rishtazi, dhe është duke përjetuar një largim të ndjeshëm të kapitalit nga vendi. Me gjasë, në vendet ku kapitali është lehtë i transferueshëm, ky lloj tatimi mund të jetë thikë me dy tehe.

Siç argumenton edhe Martin Sandbu në Financial Times, në situatën në të cilën ndodhemi, pyetja nuk duhet të jetë a duhet ta fusim tatimin në pasuri, por a mundet ekonomia ta përballojë mosfutjen e saj.

Politikëbërësit në Kosovë duhet të mendojnë seriozisht për tatimin e tillë në të ardhmen. Top të pasurit duhet të tatimohen jo vetëm pse janë të pasur, por sepse janë pjesëmarrës të rëndësishëm në përcaktimin e rregullave të lojës. Me fjalë tjerat, individët që i kanë 3 shtëpia, nuk do duhej të paguanin tatimin e sheshtë për pronat, sikurse ata që kanë vetëm një. Ndonëse ky lloj tatimi është duke u diskutuar nëpër shumë vende të botës, Kosova nuk duhet të jetë mbrapa, të paktën në debate dhe konsultime. Për më tepër, ndryshe nga Argjentina, vendi ynë nuk është rrezikon ikjen masive të kapitalit – të paktën jo në masë të madhe.

Krejt në fund, përderisa kemi debate sesi duhet të intervenohet në ekonominë tonë, shpresoj që do të kemi edhe diskutime për burimet e financimit. Me sa duket, politikëbërësit tonë nuk e kanë kurajën për të menduar për projekte afatgjata të financuara me borxh. Apo ndoshta, e njohin vetën, dhe kanë frikën që borxhin do ta bëjnë rrush e kumbulla dhe ta lënë barrë për gjeneratën e ardhshme? /sbunker/

Artikulli paraprakShkaqet e Vdekjeve në Kosovë, 2018/2019
Artikulli tjetërPandemia ndihmon tregun e Netflix dhe platformave të tjera, + 28% abonentë