Pengesat përballë ndryshimit
Vetëdija dhe inteligjenca njerëzore padyshim se kanë arritur që në njëzet vitet e fundit të konceptojnë domethënien e ndryshimit dhe
kërkesat e tij në kuptimin më të përsosur. Ndoshta ndryshimet e mëdha dhe të shpejta që kemi parë rreth nesh kanë ndikuar në të kuptuarit e njerëzve të ndryshimit dhe i kanë bërë më të bindur se ekziston një potencial i madh për ndryshm në moral, shprehi dhe në traditat e tyre. Përkundër gjithë kësaj, ne besojmë se rruga e
ndryshimit në mendjet dhe zemrat tona ende është e ngushtë. Prandaj është e mundur që rrugët e tilla të bllokohen tërësisht.
Bllokada mund të vijë për shkak të një ideje, koncepti, ndjenje ose ndoshta kujtimeve të dështimit ose të një përvoje të pasuksesshme.
Vlen të potencojmë se në rrugën e ndryshimit gjenden shumë pengesa. Shumica prej këtyre pengesave janë thjesht të natyrës mendore ose intelektuale. Përvoja e gjerë dhe e madhe njerëzore në këtë aspekt tregon se rrethanat nuk paraqesin ndonjeë pengesë të rëndësishme përballë vendosmërisë sonë për të ndryshuar dhe për t’u ngitur në pozita më të mira. Besoj se çdonjëri prej nesh ka parë dikë, i cili ka arritur rezultate të mëdha në situatat më të këqija.
Ngjashëm, shumica prej nesh kanë parë njerëz që dështojnë në jetën e tyre edhe pse i gëzojnë rrethanat më të mira. Na duhet një vetëdijesim i plotë për faktet e tilla që të jemi më të qëndrueshëm në raport me vetveten. Njeriu duhet të pranojë se neglizhenca e tij personale është shkaku kryesor për shkuarjen në drejtimin e gabuar qe ndikon në aftësinë e tij për të arritur qëlimet e tij dhe për t’i përmbushur shpresat e ti.
Pengesat kryesore ndaj ndryshimit
1. Përvojat e vjetra
Kur të mendojmë për të ndryshuar një shprehi të vjetër në jetën tonë, ne nuk fillojmë nga pika zero.
Në fakt, ne përpiqemi të zbulojmë aftësinë tonë për të bërë këtë duke u bazuar në kujtimet për përvojat personale sa i përket ndryshimit dhe përshtypjeve të thella që janë lënë në ndjenjat nga veprimet tona. Një i ri i cili dëshironte të largonte shprehinë e shtyrjes së gjërave për më vonë nuk arrinte të mbaronte ndonjë punë në kohën e duhur. Kur vendosi të bënte një plan veprimi për të hequr këtë shprehi të keqe, iu kujtua ajo që i kishin thënë mësuesit dhe anëtarët e familjes. Ata i thoshin: “Ti je neglizhent dhe të pëlqen të gjesh arsye për të mos i bërë detyrat. Një personi si ti nuk bën ti besohet ndonjë detyrë. Njeriu nuk ka mundësi të mbështetet në ty. Kisha pasur dëshirë t’ju kërkoja të bënit diçka dhe ta bënit atë ashtu si duhet”
Të gjitha këto shprehje dhe komente u bënë përvoja të vjetra në mendjen e të riut dhe ai filloi të besonte se vërtet ishte një person neglizhent. Ai filloi të mendojë se nuk mund të ishte ashtu
siç kërkohej. Për shembull, atij iu kujtua përpjekja për të lënë duhanin më parë. Ai ishte përpjekur të mos harronte ti lante dhëmbët përpara gjumit dhe ishte përpjekur të ulte zërin kur fliste me të tjerët, mirëpo kishte dështuar në të gjitha.
Atëherë si do të arrinte sukses ti jepte fund vonimit të gjërave? A ishte e mundur që e ardhmja të dallonte nga e kaluara?
Për të mos u zgjatur shumë në këtë parim dua të potencoj se ka shumë njerëz, të cilët kur kanë qenë fëmijë janë etiketuar me shumë cilesi negative. Gjithashtu ka pasur shumë njerëz që kanë shijuar dështimin. Megjithatë, të njëjtit kanë befasuar të gjithë njerëzit përreth tyre me suksesin e madh që kanë arritur më pas në jetën
tyre. Kush mund të thotë se njerëzit nuk do të arrijnë me kalimin e kohës më tepër vetëdije, vendosmëri, vullnet të fortë dhe këmbëngulje për t’i përmirësuar karakteristikat e tyre dhe për t’i bërë personalitet e tyre plotësisht të ndryshme prej atyre që kanë qenë?
Unë nuk dëshiroj t’i them askujt “Shiko se çfarë të është thënë ty dhe çfarë kanë thënë lidhur me ty”, sepse kjo e bën personin të ndihet i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Por unë i them: Palosi të gjitha përshkrimet e dështimit, hezitimit dhe situatave të pakëndshme dhe nisu në një rrugë të re duke u mbështetur në Allahun Fuqiplotë dhe duke shikuar horizontet e pafundme që po ju thërrasin në çdo gjuhe.”
2. Frika nga rezultatet e ndryshimit
Është e qartë se të gjithë njerëzit i trajtojnë shprehitë e tyre mbi parimin ‘më i mirë një zog në dorë sesa dy në qiell’.
Natyrisht se ata mund edhe të mos e deklarojnë këtë, mirëpo brengat dhe frika e provimit të gjërave të reja shfaqin këtë ndjesi. Për shembull, nëse dikush dëshiron ta ndryshojë rrugën e karrierës së tij ose të lë punën në shtet për të hapur një biznes, shohim shumë ngurrim për të marrë një vendim brenda një periudhe kohore. Disa njerëzve u kalojnë dhjetë vjet duke menduar se çfarë vendimi duhet të marrin. Burimi i këtij ngurrimi është frika nga e panjohura.
Gjithashtu është frika e dështimit që dikush mund të hasë kur të marrë një vendim të tillë në jetë. Nganjëherë, ne frikësohemi të marrim një vendim për shkak të mungesës së qartësisë së veprimit të synuar. Në këtë mënyrë shpesh shohim ngurrim te disa njerëz të cilëve u ofrohet vend pune jashtë shtetit. Individët e tillë janë
plotësisht të sigurt për përfitimet që do ti marrin si rezultat i vendimit të tyre. Ata janë me dy mendje se a të qëndrojnë në shtëpi dhe të vazhdojnë punën e njëjtë, apo të udhëtojnë jashtë vendi dhe të fillojnë punën e re.
Disa njerëz frikësohen nga ndryshimi për shkak të frikës së konfrontimit me të tjerët. Njëri nga shembujt më të mirë të kësaj është ajo që e vërejmë në mesin e disa anëtarëve të partive politike dhe organizatave islame. Disa nga këta anëtarë verbërohen nga grupi, partia ose organizata e tyre. Ata gjithnjë anojnë kah opinioni i organizatës së tyre. Ata besojnë se opinioni i partisë së tyre është i vetmi opinion i drejtë përderisa opinionet e të gjitha partive të tjera janë gabim. Megjithatë, nëse dikush tërhiqet nga partia, ai mund të humbë shumë miq dhe kontakte shoqërore. Për më tepër, anëtari që
tërhiqet nga partia nuk do tu shpëtojë kritikave dhe fajësimeve nga të tjerët. Në fakt, një anëtar i tillë madje mund të armiqësohet. Prandaj, ai i mban lidhjet me partinë ose organizatën e tij, edhe pse lidhja e tij bëhet më tepër një formalitet.
Shumë eksperimente tregojnë se faktori frikë në të gjithë atë që u përmend më lartë është kryesisht i pavend. Shumica e njerëzve që kanë bërë ndryshime në jetën e tyre kanë marrë vendime të duhura.
Ata gëzuan rezultatet që u kanë ardhur bashkë me suksesin dhe lumturinë pas ndryshimeve të bëra. Është e vërtetë se anëtarët e familjes, miqtë dhe kolegët mbeten burim kryesor i frikës dhe paralajmërimeve për të mos bërë ndryshime. Për rrjedhim, duhet t’i kushtojmë vëmendje të ngushtë këtj fakti.
3. Vonimi i bërjes së ndryshimit
Kio është njëra nga pengesat më të mëdha, e cila pengon progresin e ndryshimit. Njeriu është shumë i shkathët në bindjen e vetvetes se koha e tashme as nuk është më e mirë e as më e përshtatshme për të bërë ndryshimin.
Ndryshinmet duhet të ndodhin në të ardhmen, jo tani. Të marrim shembullin e një biznesmeni, i cili ndien neglizhimin e tij për t’i vizituar të afërmit dhe farefisin. Ai fillon të mos ndihet mirë dhe të turpërohet për neglizhencen e tij. Kur e vendos në agjendën e tij planin për të vizituar nga një familje në javë, ai zbulon se do të jetë në udhëtim jashtë vendi për dy ose tri javë. Pastaj mendon dhe i thotë vetes: “Do të filloj vizitën pasi të kthehem nga ai udhëtim, mirëpo kur kthehet i del një problem i madh në njërën nga fabrikat e tij, të cilës i duhet ta ndalë prodhimin në tërësi. Këtu fillon tregimi për humbjet e tij. I duhet një muaj i plotë për të zgjidhur problemin. Në fund të muajit, njëri prej fëmijëve të tij sëmuret rëndë. Ai duhet ta dergojë fëmijën në një vend të zhvilluar me qëllim që të gjejë tretman mjekësor për të. Edhe tre muaj të tjerë i duhen të kthehet pas mbarimit të kurimit. Në këtë mënyrë, shohinm se sa herë kishte vendosur ti vizitonte të afërmit, i kishte dalë diçka përpara. Kjo situatë vazhdoi për nëntë muaj dhe gjatë kësaj kohe nuk pati
mundësi të vizitonte asnjë nga të afërmit e tij. Kur erdhën pushimet e vitit, ai më në fund gjeti disa orë për ti kaluar në shtëpinë e gjyshit të tij.
Ky model i angazhimeve të njëpasnjëshme që e pengon atë nga fillimi i ndryshimit shpesh përsëritet në jetën e shumë njerëzve në mënyra të ndryshme. Dëshiroj që secili prej nesh ta pyes veten për gjërat të cilave i përkushtohet. Për shembull, sa orë e shikon televizorin dhe relaksohesh? Sa orë lexon gazetë çdo ditë? Sa ftesa për darkë i pranon, sidomos nga njerëz që vijnë prej elitave dhe klasës së lartë? Përkushtimi ndaj të gjitha situatave të ngjashme është një indikator se gjërat që ky person i vonon nuk kanë qenë vërtet në listën e tij të prioriteteve. Kjo është vërtet e pamundshme. Këtu nuk kemi të bëjmë me mungesë të kohës ose me ballafaqim me probleme.
Ekziston gjithashtu një grup i madh i njerëzve, të cilët e shohin ‘ndryshimin’ si një projekt për të ardhmen që nuk e dinë saktësisht kur do të fillojë. Kur njerëzit e tillë kritikohen nga të tjerët për neglizhencën e tyre, ata e pranojnë problemin. Ata japin arsyetimin vijues: “Çdo gjë do të ndryshojë në të ardhmen e afërt, me lejen e Allahut!” Mirëpo, kur u kërkohet të specifikojnë kohën kur do ta fillojnë ndryshimin në të ardhmen, ata i rudhin supet. Kjo më kujton shembullin e një berberi, i cili e vendos një shenjë në dritare e cila shkruan: “Qethja është falas nesër” Disa njerëz vijnë të nesërmen te ky berber me qëllim që të qethen falas, mirëpo befasohen me atë që u thotë berberi: Lexojeni mbishkrimin! Ai thotë nesër dhe jo sot!” Në këtë mënyrë, askush nuk ka mundësi t’i qeth flokët falas, sepse e nesërmja kurë nuk vjen! (Natyrisht se kjo është një shaka).
Dëshiroj të jemi të vetëdijshëm lidhur me realitetin vijues: Nuk ekziston diçka që quhet ‘kohë ideale për ndryshim’. Historia na ka treguar se shumë gjëra të mëdha janë arritur, plotësuar dhe kryer në rrethana të vështira. Historia gjithashtu na mëson se ka pasur shumë njerëz që kanë jetuar në situata të mrekullueshme dhe të shkëlqyera, mirëpo përkundër kësaj nuk kanë regjistruar ndonjë fitore të madhe në asnjë nivel ose në asnjë fushë.
4. Te kuptuarit e potencialit dhe aftësive tona
Përçmimi dhe nënvlerësimi i aftësive dhe të arriturave personale është njëra nga arsyet e dembelisë, neglizhencës dhe vonesës në bërjen e ndryshimeve.
E dimë se ekzistojnë mijëra njerëz të cilët besojnë, secili sipas nivelit të tij, se nuk dinë të bëjnë asgjë më mirë sesa atë që janë duke e berë dhe se kurrë nuk mund të arijnë më tepër sesa që kanë arritur. Ata ndiejnë se aftësitë, potenciali dhe talentet e tyre bashkë me rrethanat dhe gjendjet e tyre nuk u japin mundësi të synojnë diçka më të mirë sesa ajo që tashmë e kanë. Për rrjedhim, ideja e ndryshimit për njerëzit e tillë as që ekziston. Unë besoj se ky është nga gabimet më të mëdha në të cilën bien njerëzit. Pa marre parasysh sa i vogël na duket potenciali ynë, në realitet, ne kem zbuluar vetëm një pjesë të vogël të atij potenciali. Për më tepër, në shumicën e rasteve ne nuk e përdorim potencialin tonë në nivel të kënaqshëm. Përveç tjerash, aftësitë dhe rrethanat tona vazhdojnë të zhvillohen dhe të përmirësohen që nënkupton se mundësia për ndryshim drejt më të mirës ende ekziston.
5. Progresi ynë të mos ndalet përkundër gabimeve dhe të metave tona
Ne jemi vetëm qenie njerëzore. Ne nganjëherë bëjmë gabime dhe herëve të tjera gjërat i bëmë si duhet. Nga çdo gabim që e bëjmë marrim një mësim. Jam i sigurt se kur të vijmë në fundin e jetës sonë ende do të ketë vend për të fajësuar veten për veprimet tona.
Problemi qëndron kur ne të mendojmë se gabimet tona janë si shkak i ndonjë të mete në trurin ose në intelektin tonë. Më kujtohet një i ri, i cili një herë udhëtoi në një shtet të huaj. Derisa ishte atje, ai e humbi pasaportën. Ai e mori veturën e babait dhe pësoi nje aksident. Atij i ndodhën edhe disa gjëra të kësaj natyre. Si rezultat i këtyre incidenteve ai filloi të besonte se nuk ishte njeri normal ose të paktën ai ishte më pak se një njeri normal. Me kalimin e kohës, ky person mbaroi studimet në mjekësi dhe u bë një mjek tek i cili vinin shumë njerëz për kurim për shkak të besimit të fortë të tyre në shkathtësitë mjekësore të tij.
Është me rëndësi të theksohet se në këtë botë nuk ka përsosuri.
Nganjëherë njerëzit bëjnë gabime që as fëmijët nuk i bëjnë! Ne jemi njerëz dhe jemi të prirë të gabojmë. Nganjëherë ne mposhtemi nga tekat, dëshirat dhe epshet. Nganjëherë, ne bëjmë veprime shumë të urryera dhe të neveritshme deri në atë masë që kur të tjerët të na shohin do të mendojnë se jemi njerëz abnormal dhe kemi sjellje të devijuar. E vërteta është që ne nuk jemi të atillë. Prandaj, ne duhet ta shikojmë atë që na ka ndodhur njëherë vetëm si një gabim ose rrëshqitje të vogël. Kjo rrëshqitje nuk duhet ti shkatërrojë ndjenjat tona lidhur me vetveten, edhe nëse ajo ka qenë një vepër shumë e keqe. Ajo mund të ketë ndodhur në një kohë kur na ka humbur logjika ose një kohë e dobësisë, andaj nuk duhet ta mundojmë veten me të. Për në fund themi se arsyet që e largojnë idenë e ndryshimit nga mendjet tona janë të shumta dhe besoj se shembujt që i kemi ofruar në këtë studim të shpejtë janë të mjaftueshëm.
Libri:Ndrysho ose do të humbësh
Një vizion Islam i parimeve dhe metodave të ndryshimit personal
Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar