Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Në dispozitat e këtij Ligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkruan Telegrafi.
Njëra nga këto ndryshime është ndryshimi i Ligjit të Fondit Pensional (Trusti) që parasheh rimbursimin nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.
Fondi Pensional i Kosovës kohë më parë kishte publikuar të dhënat sesa është vlera që qytetarët i kanë në llogaritë e tyre.
Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.
Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë.
Nga numri total i kontribuueseve në Trust, 12 për qind e tyre kanë deri 10 mijë euro.
Deri në 20 mijë euro në llogari kanë mbi 40 mijë qytetarë ose 6 për qind, kurse mbi këtë vlerë janë rreth 13 mijë qytetarë apo vetëm 2 për qind e kontribuueseve. Pra, vetëm 8 për qind e kontribuesëve kanë mbi 10 mijë euro në llogaritë e tyre.
Aktualisht sipas Trustit, numri i përgjithshëm i kontribuueseve është 639,264.
Kujtojmë se, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës. Menjëherë pas kësaj, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëhit.
“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.
Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim.
“Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi.
Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Ligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /ge/