Norvegjia bëhet vendi i parë në botë në të cilin, shitja e makinave elektrike (me prodhuesin gjerman të makinave Volkswagen që zëvendëson Tesla, si prodhuesi kryesor i automjeteve me bateri elektrike) kapërcen shitjen e makinave me motor me benzinë, diesel dhe hibrid.
Sipas të dhënave të publikuara nga Norwegian Road Federation (OFV), automjetet elektrike përfaqësojnë 54,3% të të gjitha makinave të shitura në Norvegji në vitin 2020. Bëhet fjalë për një rekord botëror, por edhe lokal, duke qenë se në 2019, shitjet e makinave elektrike zinin vetëm 42,4% të totalit, kurse dhjetë vite më parë, vetëm 1% të totalit të gjithë makinave të shitura.
Arsyeja për interesin kaq të lartë për makina elektrike nga ana e një vendi që, për më tepër është edhe prodhues i naftës, lidhet ndoshta me dëshirën e qeverisë për të eliminuar plotësisht të gjitha makinat tradicionale nga tregu brenda vitit 2025, si dhe zgjedhjen për të përjashtuar makinat elektrike nga çdo taksë. Më shumë se 500 mijë makina elektrike janë shitur deri më tani në 2020 në Europë.
“Jemi sigurisht në rrugën e duhur për të arritur objektivin në vitin 2025” – tha Øyvind Thorsen, drejtuesi ekzekutiv i OFV.
Shitjet e automjeteve me bateri elektrike (Battery electric vehicles – BEVs) u rritën në muajt e fundit të 2020-s, duke arritur nivelin më të lartë në dhjetor, në kuotën 66,7% të tregut automobilistik.
Në anën tjetër, shitjet e makinave me motor diesel kanë rënë nga një rekord prej 75,5% në tregun norvegjez në 2011 në vetëm 8,6% vitin e kaluar. Shitjet totale të makinave në Norvegji vitin e kaluar ishin 141.412, nga të cilat 76.789 tërësisht elektrike.
Burimi: The Guardian