Xhasim El-mutava
Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:”Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Teube, 60)
Zekati është nga një nga pesë shtyllat e islamit. Ai është një sistem social pasi është në funksion të shoqërisë. Institucioni i zekatit është përligjur nga vetë Zoti i botërave, që është i Gjithëditur, i Drejtë dhe i Urtë. Nëse zekati jepet në formën që e kërkon islami dhe u shpërndahet kategorive të përmendura në ajetin e mësipërm, nuk do të kishim kaq shumë të varfër.
Sot, shoqëritë arabe dhe islame, janë shoqëritë ku haset më së shumti fukarallëku dhe varfëria. Tek ne nuk është zhvilluar industria, ekonomia është e dobët dhe tregëtia po ashtu. Veçsa përmendëm, edhe zekati nuk jepet dhe nuk shpërndahet siç duhet.
Profeti a.s, i ka ndarë pasuritë për të cilat jepet zekati në pesë lloje: Floririn dhe argjendin, drithërat dhe frutat, mallrat e tregëtisë, kafshët, thesaret dhe mineralet.
Dr. Zaglul Nexhar:”Islami urdhëron që për pasurinë e ndejtur të jepet zekat. Kjo bëhet me qëllim që të nxisë pronarët e saj, t’a investojnë dhe t’a shtojnë. Zekati i pasurisë është 2.5 % dhe është obligim që të jepet çdo vit. Institucioni i zekatit, është një faktor i fuqishëm për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë, pasi ai nxit investimin e pasurisë.
Nëse pasuria shndërrohet në kapital investues dhe prodhues, atëherë nuk jepet zekati për pasurinë si vlerë, por jepet për të ardhurat prej saj. Padyshim që kjo e shtyn dhe nxit investitorin që të prodhojë më shumë, me qëllim që t’i shtojë të ardhurat.
Zekati i floririt, argjendit dhe njësisë monetare është 2.5 %. Nëse një pjesë e pasurisë rrjedhëse investohet në një fabrikë apo aktivitet çfarëdo, atëherë zekati i saj merret nga produkti dhe të ardhurat. Kjo është një metodë e mrekullueshme për t’a nxitur shoqërinë islame drejt produktivitetit dhe aktivitetit. Ashtu siç është një metodë e efektshme për t’a konsoliduar rolin e njeriut mbi tokë, me qëllim që të përmbushë misionin e tij si halifulla.
Ashtu siç jepet zekat për floririn, argjendin dhe vlerën monetare, jepet edhe për dridhërat. Nëse drithërat vaditen me ujin e shiut, zekati i tyre është 10 % e prodhimit. Por nëse vaditen artificialisht, me krahë pune, atëherë jepet 5 % e prodhimit.
Zekat jepet edhe për kafshët. Kështu, nëse devetë, delet dhe lopët arrijnë numrin e duhur për zekat, duhet të jepet 2.5 % e tyre.
Ashtu siç jepet zekat edhe për thesaret e gjetura nën tokë. Përsa u përket thesareve, dijetarët kanë mendime të ndryshme. Disa thonë se ato janë vlerë monetare (flori, argjend etj…) të fshehura nga popujt e lashtë. Në një rast të tillë, jepet 20 % e kësaj pasurie të gjetur.
Kurse disa të tjerë mendojnë se tek thesaret hyjnë dhe mineralet me vlerë si nafta, gazi etj… Në këtë rast, disa dijetarë mendojnë se duhet të jepet zekat 20 % e tyre. Kurse disa të tjerë mendojnë se duhet të jepet vetëm 2.5 % e tyre.
Nëse prodhuesit e këtyre mineraleve si naftës dhe gazit, do të jepnin zekatin rregullisht, kjo do i mjaftonte umetit musliman që të plotësojë nevojat e tij.”
Prof. Xhasim El-mutava:”Dhënia e Zekatit, ka dimensione të shumta, ku mund të rendisim ato ekonomike, politike, madje edhe edukative. Mua më kujtohet që kur kam qenë i vogël, ditën e parë të Ramazanit babai merrte një shumë nga pasuria e tij dhe e ndante në zarfe të mëdhenj. Ne të gjithë mblidheshim rreth tij dhe e shihnim tek i fuste të hollat në zarfe dhe në një fletore shënonte disa emra. Kur e pyeta se për çfarë shërbente ajo fletore, ai më tha se aty regjistronte emrat e të varfërve dhe të hollat që do merrte secili nga zekati.
Unë ulesha pranë babait dhe shihja shumën që i jepte familjeve të varfëra çdo vit, në fillim të Ramazanit.
Diçka e tillë ka ndikuar shumë në formimin, edukimin, karakterin, psikologjinë dhe mënyrën e të menduarit. Sa herë që shihja të varfër, më vinte në mendje babai me zarfet e tij në dorë, duke shkruar emrat e fukarenjve. Ditën e parë të Ramazanit, ai hynte në shtëpi me zarfet, regjistrin dhe të hollat në dorë. Të gjithë ne e ndihmonim në shkrimin e emrave dhe ndarjen e të hollave për çdo të varfër.
Ne duhet t’i edukojmë fëmijët tanë me këtë frymë, me qëllim që ata të ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e dhënies së zekatit dhe se ai përbën një nga shtyllat e fesë islame.
Ashtu siç kryhet namazi hapurazi, po ashtu haxhi dhe agjërimi, edhe zekati duhet dhënë hapurazi, me qëllim që të përjetohet nga e gjithë shoqëria. Nëse një familje e varfër është harruar nga biznesmenët dhe të pasurit, ne duhet t’ua kujtojmë që edhe ajo ka nevojë. Dhe ky është një nga objektivat e zekatit.
Zekati është një përtëritje vjetore e umetit musliman, i cili u kujton të pasurve që të kujdesen për familjet e varfëra.
Institucioni i zekatit, është një institucion i mrekullueshëm social, të cilin Zoti e obligoi për muslimanët e pasur.
Dr. Zaglul Nexhar:”Mrekullia sociale në institucionin e zekatit shfaqet në disa forma:
1 – Stimulon pasanikët për investimin e pasurive të tyre. Profeti Muhamed a.s nxit në disa hadithe që pasuria të investohet, me qëllim që të mos harxhohet nga zekati dhe sadakaja.
Kjo është një nga metodat më të mira për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë.
2 – Zekati është obligim vetëm për pasurinë dhe vlerën monetare të depozituar dhe të ndejtur. Nëse dikush ka një ndërmarrje apo fabrikë, e cila përbëhet nga trualli ku është ndërtuar, objekti, makineritë, mjetet etj… nuk paguan zekat për të gjithë këto. Zekat paguan vetëm për produktin e aktivitetit që ushtron, ose për të ardhurat që përfiton prej tij. A nuk është kjo një mënyrë për të stimuluar njerëzit për t’i investuar pasuritë e tyre? Një vlerë monetare e depozituar në banka apo kudo tjetër, nuk i shërben askujt. Zoti kërkon që me pasurinë tonë, t’i shërbejmë shoqërisë. Duke e investuar atë, ne hapim vende të reja pune, krijojmë familje të reja muslimane dhe kështu rritet mirëqenia në shoqëri.
3 – Siç e thamë dhe më lart, për kategori të ndryshme pasurish, jepet zekat në sasi të ndryshme. Kështu, për floririn dhe argjendin jepej 2.5 % e totalit, për prodhimet bujqësore jepej 5 % e totalit, nëse ato janë vaditur në mënyrë artificiale dhe 10 % nëse janë vaditur në mënyrë natyrale nga shiu. Kurse përsa i përket thesareve të gjetur dhe mineraleve si nafta dhe gazi natyror, jepet 20 %. E gjithë kjo ndarje, është tregues i urtësisë së Ligjvënësit suprem.
Veç sa përmendëm, dua të theksoj në faktin se zekati është krejtësisht i ndryshëm nga taksat vjetore që njohim. Ne e dimë që taksa vendoset për gjithçka, e tundshme qoftë apo e patundshme, prodhues apo joprodhues. Taksat shpesh herë janë edhe të padrejta. Sot, në perëndim njihet taksa mbi vlerën e shtuar, ku nëse rroga e një personi është nën një nivel të caktuar, nuk paguan taksë. Por nëse e kalon atë nivel, paguan 10 – 20 % të rrogës. Madje në disa raste arrin në 90%.
Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në Britani dhe e di mirë sistemin e taksave atje. Shumë sipërmarrje e ndërpresin prodhimin tek 50 %, pa e kaluar atë. Ata thonë se nëse e kalojnë 50 %, gjithçka e merr shteti. Ndërsa nëse mbeten tek 50 % të ardhurat janë të tyre.
Kështu, dallimi mes dispozitave të Zotit dhe atyre të njeriut është shumë i madh.
Në shoqëritë perëndimore dhe shoqëritë tona të cilat kanë filluar të perëndimorizohen, ka marifete nga më të ndryshmet për t’iu shmangur taksave. Llogaritarët dhe ekonomistët e kompanive, janë bërë mjeshtra të hileve dhe marifeteve në këtë fushë. Ata përdorin lloj-lloj marifetesh për të ulur të ardhurat vjetore dhe njëkohësisht edhe taksën që paguhet duke u bazuar mbi të ardhurat. Diçka të tillë, ata e konsiderojnë edhe si zgjuarsi dhe aftësi. Ndërkohë që zekatin, muslimani e jep me qëllimin që të afrohet sa më shumë me Zotin. Madje ka disa muslimanë të cilët e japin zekatin një vit para, duke llogaritur të ardhurat e vitit të kaluar.
Kështu, shohim një dallim të madh mes atij që paguan zekatin me dëshirë dhe për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe atij që paguan taksat nga e keqja dhe se është i detyruar.
Ai që paguan zekatin, jo vetëm që e bën këtë me qejf, por i lutet Zotit me përgjërim që t’ia pranojë. Ndërkohë që ai që paguan taksa, përdor dhe shpik hile dhe marifete nga më të ndryshmet për t’a shmangur ose ulur sasinë.”
Prof. Xhasim El-mutava:”Institucioni i zekatit është një mrekulli më vete dhe hyn tek të gjithë llojet e të ardhurave. Më e mrekullueshme dhe e habitshme, është se ky institucion dhe sistem të cilin e caktoi Zoti në Kuran dhe Profeti a.s në hadithe, vazhdon të funksionojë më së miri, edhe sot pas njëmijë e katërqind vitesh. Kjo, edhe pse monedha është e ndryshme, ashtu siç janë të ndryshme sistemet ekonomike, aktivitetet, format e investimit etj… Sistemi i zekatit ka arritur t’u përshtatet të gjithë këtyre ndryshimeve, duke mos ndryshuar. A nuk është kjo një mrekulli më vete…?”
Është një sistem që ekziston që para katërmbëdhjetë shekujve pa ndryshuar. Sot ne jemi dëshmitarë të ndryshimit të ligjeve dhe kodeve çdo njëzet vite. Çfarë ligji është ky i cili ka arritur të rezistojë për 1.400 vite?! Çfarë ligji dhe sistemi është ky që është i aftë të rezistojë dhe të ofrojë zgjidhje deri në Ditën e Kijametit? Një sistem dhe legjislacion i tillë, padyshim që e ka burimin vetëm nga Zoti i Gjithëditur dhe i Gjithëpushtetshëm.
Siç e përmendëm dhe në fillim, kemi pesë lloj pasurish për të cilat duhet dhënë zekat: Floriri argjendi, të cilat bëjnë pjesë tek njësia monetare, drithërat dhe frutat, të cilat janë prodhime të një pasurie të patundshme siç është toka, të ardhurat nga malli për tregëti, kafshët që përdoren për mbarështim dhe mineralet dhe thesaret e gjetura nën tokë.
Është e çuditshme se këto pesë kategori për të cilat jepet zekati, përfshijnë të gjithë kategoritë që janë shfaqur në jetën moderne. Kështu, tek zekati hyjnë edhe aktivitetet që ushtrohen në fabrika, të ardhurat që vijnë nga pasuritë e patundshme (ndërtimi i banesave dhe dhënia e tyre me qera), prodhimet e kompanive, kompanitë e tele-komunikacionit, bursa, depozitat etj… pasi të gjithë janë shndërruar në institucione fitimprurëse.”
Dr. Zaglul Nexhar:”Është për të ardhur keq që bota islame e ka neglizhuar dhe nuk e zbaton sistemin e zekatit në rang qeverish dhe shtetesh. Edhe pse ka individë dhe njerëz të mirë të cilët e japin zekatin rregullisht, diçka e tillë nuk bëhet e organizuar. Ne, nuk kemi një institucion të pavarur nga shteti, ku të paguhet zekati dhe vetë institucioni të merret me shpërndarjen e tij tek kategoritë e varfëra të përmendura në Kuranin famëlartë. Kjo ka çuar në përhapjen e varfërisë në botën islame, ku tridhjetë e tetë shtete të botës islame, jetojnë nën nivelin e varfërisë. Kjo, ndërkohë që kemi pasanikë të cilët hyjnë tek pasanikët më të pasur të botës. Por duke mos u dhënë zekati në formë kolektive dhe në mungesë të shtëpisë së zekatit, e cila garanton shpërndarjen e drejtë, kemi këtë situatë dhe varfëri ekstreme të shteteve muslimane.
Fukarallaku i shumë muslimanëve, i ka shtyrë shumë shoqata dhe organizata të krishtere, që t’u ofrojnë atyre ndihmë ekonomike me kusht që të kristianizohen. E gjithë kjo, për një kothere bukë, për një bidon ujë dhe për një çadër për t’u strehuar. Këto janë mjetet të cilat misionarët e krishterë përdorin për të kristianizuar muslianët. Mos harrojmë se shumë muslimanë e kanë pranuar një marrëveshje të tillë, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Ata kanë shitur fenë dhe besimin për një kothere bukë. Është besimi i drejtë garantuesi i lumturisë së botës tjetër.”
Prof. Xhasim El-mutava:”Një ditë, një grua nga Kuvajti më tregoi diçka të çuditshme. Ajo më tha:”Kur isha e vogël, shtëpia jonë ishte prej qerpiçi. Unë dilja në oborr dhe luaja gjithë ditën. Një ditë, gjyshi hyri në oborr dhe me një qese të mbushur në dorë, filloi të kërcejë i gëzuar dhe i lumturuar. Unë mendova se ndoshta atë ditë ka fituar shumë në tregëti ose i ka ardhur një lajm i gëzuar. Kur e pyeta mbi shkakun e gëzimit më tha:”Sot është dita e parë në jetën time që më është mundësuar të jap zekatin e pasurisë!”
Gjatë gjithë jetës ai ishte marrë me tregëti, por nuk kishte arritur të fitojë aq shumë sa të japë zekat. Ditën që e kishte arritur këtë, ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur. Unë sot jam gjashtëdhjetë vjeçe dhe heq e ndaj dot nga mendja gëzimin e gjyshit atë ditë, saqë më duket sikur e shoh para sysh sa herë që e mendoj.”
A e shihni çfarë gëzimi përjetonin banorët e Kuvajtit, kur arrinin shumën e duhur për të dhënë zekatin?
Në fakt, të japësh zekatin është një kënaqësi e veçantë. Ti do të ndihmosh një familje të varfër duke u kthyer buzëqeshjen në fytyrë. Ndjenja të tilla nuk i gjen në sistemet ekonomike të tjerë. Në sistemin ekonomik perëndimor, sado të ardhura të shumta të kenë kompanitë dhe bizneset, përdorin marifete nga më të ndryshmet për të shmangur taksat. Ndërkohë, shteti dhe qeveria kanë ndërmarrë masa vëzhguese nga më të rreptat për të kontrolluar të ardhurat e bizneseve.
Kurse ne muslimanët, gëzohemi dhe lumturohemi atë ditë që na jepet mundësia të japim zekatin e pasurisë tonë.
A nuk përbën kjo një mrekulli sociale…?? Sigurisht! Sistemi i zekatit është një mrekulli sociale.
Padyshim që sistemi i zekatit është një mrekulli sociale më vete. Nëse do e zbatonim këtë sistem në shoqëritë tonë, organizatat, kompanitë dhe familjet tona, padyshim që do të jepnim një kontribut të madh në forcimin e sistemit shoqëror. Ashtu siç do të luftonim fukarallëkun në rang umeti. Kjo, nëse do e jepnim ashtu siç kërkon dhe porosit vetë Zoti i madhëruar.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!