Marrja e pasurisë së të tjerëve në mënyrë të ndaluar, manifestohet në më shumë forma, si: mitëmarrje, mashtrim, bixhoz, monopol, urdhër për t’i ngritur çmimet, mashtrim në peshojë dhe zvarritje të borxheve. Praktikat e tilla janë të ndaluara nga Allahu i Lartësuar. Përfitimi duhet të arrihet vetëm përmes kanaleve të lejuara.
Dëshmi për ndalimin e praktikave të tilla gjenden në Fjalët e Allahut të Madhërishëm:
“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri- tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete.” (En-Nisa: 29)
“Dhe mos e hani pasurinë e njëri- tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (ELBekare: 188)
Nga ana tjetër, Suneti e qartëson çështjen e njëjtë. I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Allahu e ka mallkuar atë që jep ryshfet dhe atë që e pranon atë (ryshfetin).”
“Ai që mashtron, nuk është prej nesh.”
Sa i përket ndalimit të përfitimit të ndaluar, i Dërguari [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
“Në qoftë se ndonjëri prej jush është caktuar në pozitë të autoritetit dhe është paguar tërësisht, çfarëdo që pranon pas kësaj, ajo është e fituar në mënyrë jo të duhur.”
Allahu Fuqiplotë thotë:
“Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile dhe kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në Ditën e Kiametit vjen i ngarkuarme atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë.” (Ali Imran: 161)
Shmangia nga uzurpimi i pasurisë së të tjerëve garanton ekuilibër në biznes, besim në tregti dhe shtim të pasurisë (të hollave), që shpie në përfitime të larta. Kjo në vazhdimësi do të kujdeset për ndjenjat e kënaqësisë dhe besimit të brendshëm.