Byroja Kombëtare e Statistikave tha se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i vendit u rrit duke arritur rekord në 15,4 trilionë dollarë
Kina njoftoi sot se ekonomia e saj u rrit me 2,3 për qind në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë dhe qëllimet e saj të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror u realizuan më mirë sesa pritej, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Byroja Kombëtare e Statistikave tha se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i vendit u rrit, duke arritur rekord në 15,4 trilionë dollarë.
Ajo tha që PBB-ja nga viti në vit për tremujorin e parë ra me 6,8 për qind, por shënoi rritje me 3,2 për qind në tremujorin e dytë, 4,9 për qind në të tretin dhe 6,5 për qind në periudhën tetor-dhjetor krahasuar me një vit me herët.
Koronavirusi u raportua për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës, por Kina arriti të kontrollojë përhapjen e virusit përmes një serie bllokimesh dhe kufizimesh të rrepta.
Përderisa pandemia zhyti ekonomitë kryesore të botës në recesion, Kina arriti të rimëkëmbet.
“Kina përfundoi detyrën e saj për ndërtimin e një shoqërie mesatarisht të prosperuar në të gjitha aspektet, një qëllim i përcaktuar në Planin Pesëvjeçar të 13-të (2016-20), si dhe hyn në udhëtimin e ri më 2021, i cili përfshin ndërtimin e një vendi të madh modern socialist në të gjitha aspektet”, tha Ning Jizhe, kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave.
“Vendi gjithashtu arriti sukses vendimtar në zhdukjen e varfërisë ekstreme, që do të thotë se Plani Pesëvjeçar i 13-të ka arritur në një përfundim të kënaqshëm”, tha Ning, duke shtuar se ekonomia e Kinës tani përbën rreth 17 për qind të ekonomisë globale.
Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë. /AA/