Si të luftojmë efektet e dëmshme të smart working…
Kohët e fundit, një ekip mjekësh dhe psikologësh të grupit “Directly Apply” ka krijuar një model të kompjuterizuar, duke simuluar pasojat te qëndrimi, pesha, lëkura, flokët, në 25 vite smart working, ose ndryshe puna nga shtëpia.
Rezultatet? Modelja-tip quhet Susan dhe nuk ka aspak linja të bukura. Duke punuar mes mureve të shtëpisë, me pak ndërveprime sociale dhe duke dalë pak në ajër të pastër, nën rrezet e diellit, ajo ka një sërë problemesh: duke filluar nga rrathët e zinj poshtë syve e deri te qëndrimi me qafën të “fundosur” (flitet për tech-neck, ose ndryshe dhimbje e qafës për shkak të teknologjisë), por edhe miopi të fortë, bark, rrudha të parakohshme etj.
Me pak fjalë, tmerr. Ekspertët analizuan edhe pasojat e mundshme nëse do të punonim 25 vjet në smartworking në sferën psikologjike, duke treguar se mungesa e gjatë me kontakte fizike me persona të tjerë (kolegët e “vjetër” sot i shohim nëpërmjet videocall) përkthehet në një rritje të fortë stresi, me një frikë të zhvilluar prej vetmisë.
Po sikur të provojmë të shohim anën pozitive të smart working?
Kjo është këshilla e Davide Cortesi, i specializuar në psikologjinë e punës: Mësoni të shikoni gotën gjysmë plot të smart working. “Mos harroni se bëhet fjalë për një mjet të çmuar organizativ dhe produktiviteti. Problemi është se u gjendëm, duke e përdorur në masë, nga një ditë në tjetrën, si një përgjigje e menjëhershme ndaj pandemisë.
Pikërisht përdorimi i këtij mjeti në rast urgjence nuk na lejon të kuptojmë plotësisht potencialet e tij. Që të përqendroheni tek avantazhet e tij, merrni një letër dhe laps dhe bëni një listë të anëve pozitive dhe negative që ju ka dhuruar puna nga shtëpia, si për shembull, orare më elastike, më pak kilometra me makinë/tren/autobus/metro, më pranë fëmijëve që rriten, më shumë autonomi organizative. Të pasurit e një tabloje më pozitive dhe të plotë të situatës rrit motivimin, produktivitetin dhe eficencën”.
Më poshtë janë disa këshilla me moton “të parandalosh është më mirë se të kurosh”.
Detyrojeni veten të dilni nga shtëpia
Shkaku kryesor është mungesa ose gjithsesi reduktimi i fortë i lëvizjes. Edhe vetëm veprimi për të dalë nga shtëpia e për të shkuar në punë aktivizon një seri reagimesh të rëndësishme kimike, fiziologjike dhe biomekanike për të çuar në fund një detyrë. Është e rëndësishme që ta detyroni veten të dilni një herë nga shtëpia, për një shëtitje apo për të blerë diçka, duke përcaktuar një objektiv për të arritur, për t’i dhënë një detyrë edhe trurit.
Mbani nën kontroll peshën
Shtimi në peshë përkthehet në një dhjamë të rrezikshëm, d.m.th. yndyrës që depozitohet në muret e jashtme të organeve tona, duke rrezikuar funksionimin e tyre. Përveç kohës që i kushtoni lëvizjes, është e rëndësishme të kujdeseni edhe për regjimin ushqimor, i cili duhet të jetë i shëndetshëm dhe i balancuar.
Bëni ushtrime çdo ditë
Ushtrimet janë të rëndësishme si në shëndetin mendor edhe fizik. Edhe 20 – 30 minuta në ditë janë të mjaftueshme. Flisni me një ekspert për të bërë ushtrime që i përshtaten peshës, moshës dhe konstruktit fizik.
Burimi: Vanity Fair /monitor.al/