Nëse një student në Londër ose Nju Jork kërkon në internet për të paguar dikë për të bërë esenë e tij, shanset janë që puna në të vërtetë të përfundojë duke u bërë nga dikush në Kenia. BBC ka arritur në përfundimin se në Kenia ka shkrimtarë fantazmë që ndihmojnë njerëzit në botë për të bërë ese, tema diplome dhe artikuj.
Kennedy dikur punonte si mësues, por gjatë pesë viteve të fundit ai e ka bërë jetesën e tij në një mënyrë krejt tjetër. “Unë bëj shkrime akademike”, thotë ai.
Ai është pjesë e një industrie globale online, e cila po lulëzon në Kenia. Por atë që Kennedy dhe shumë kenianë të tjerë e quajnë “shkrim akademik”, pjesa tjetër e botës e quan mashtrim.
Kennedy ka një ekip tijin shkrimtarësh që “ndihmojnë” njerëzit me detyrat e tyre. Ata drejtojnë të ashtuquajturat uebfaqe “essey mill”, në të cilat studentët postojnë punët që duan të bëjnë. Fotografitë e profilit të “shkrimtarëve me qira” në këto vende janë njerëz të bardhë, për të humbur gjurmët por si shumë në këtë biznes, fotografitë janë të rreme. Në realitet, nëse porositni një ese në internet ka shumë të ngjarë të shkruhet nga dikush në Kenia, shpesh nga një student ose i diplomuar atje.
Pagesa për këto shërbime ndryshon në varësi të punës që do të bëjë, nëse është një ese e thjeshtë apo një tezë e tërë doktorature. Studiuesit që studiojnë biznesin e asaj që është quajtur “mashtrim me kontrata” thonë se Kenia është një qendër kryesore. Arsyet janë të thjeshta: Kenia është një vend që flet anglisht me një sistem arsimor të mirë ku ka mundësi të dobëta ekonomike, veçanërisht për të rinjtë.
Kennedy thotë se fitimet që merr tani janë shumë më shumë se fitimet që merrte sa fitonte si mësues. 30-vjeçari fiton rreth 1360 dollarë në muaj, pak më shumë se paga mesatare.
Ai thotë se shkrimtarët që ai punëson mund të përfundojnë deri në 200 ese ose provime online në muaj. “Ata regjistrohen në vend të një studenti dhe bëjnë provimet për ta”, shtoi ai. Por si ndihet ai për faktin se po ndikon në arsimin e të rinjve në të gjithë botën?
Si një ish-mësues ai pranon se ndihet “i turpëruar moralisht”, por thotë se punon për paratë. “Më intereson, por çfarë më intereson më shumë është jeta ime dhe ndonjëherë na duhet të mbijetojmë para se të mendojmë për moralin”, thotë ai.
Kennedy është i vetëdijshëm se puna e tij mund të ndihmojë një klient të falsifikojë rrugën e tij dhe në të ardhmen të fitojë shumë më shumë sesa fiton ai tani por siç thotë Kennedy, nuk është një garë kundër tyre, është një garë kundër varfërisë. Ndërsa ka kudo persona që shkruajnë ese dhe detyra në të gjithë botën, ata në Kenia kanë zhvilluar nënkulturën e tyre.
Ka grupe “shkrimi akademik” në Facebook dhe Telegram ku tregtohen punë dhe softuerë. Disa kanë dhjetëra mijëra anëtarë. Ato shkojnë nga profesionistë të klasës së mesme që merren me para shtesë, tek studentët që janë ende në shkollë.
David është një nga studentët që thotë se po financon studimet e tij në këtë mënyrë. “Prindërit e mi nuk janë në gjendje të paguajnë për shkollën time kështu që vendosa të kërkoj një mënyrë për të mbajtur veten dhe gjithashtu për të ndihmuar sadopak familjen”.
Në dy vitet e fundit, David ka shkruar rreth 360 ese apo tema për klientët britanikë dhe amerikanë. Ai mund të shkruajë 15 faqe në ditë me 2.28 dollarë faqja.
“Mund të punoj nga e hëna në të premte si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës, por gjatë fundjavave e lë mënjanë për studimet e mia.” Ai po fiton mjaftueshëm për të marrë me qira tokë bujqësore në fshatin e tij të lindjes dhe po punëson njerëz për të rritur të korrat, gjë që ai thotë se është një investim për të ardhmen.
David është nën-kontraktuar nga dikush më i vjetër në industri i cili ka një llogari të një shkrimtari në një nga uebfaqet e mëdha. Por marrja e një llogarie nuk është e lehtë. Disa kompani këmbëngulin që aplikantët të kalojnë testet akademike. Llogaritë me shumë vlerësime të klientëve janë produkte dhe blihen dhe shiten në grupe shkrimi akademik.
Kjo është mënyra se si studentët mashtrues në fakt mund të mashtrohen vetë. Ata mund të mendojnë se po i bëjnë esetë e tyre tek një shkrimtar i madh por në realitet mund të jetë dikush që ka blerë një llogari që thjesht ka emër.
“Kam blerë më shumë se 10 llogari dhe disa kanë kushtuar më shumë se 4550 dollarë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të fituar klientë”, thotë ai.
David që tani po trajnon shkrimtarët fillestarë dhe po ju kalon atyre punë të lehta për t’i mësuar. Pra, është një industri që po rritet.
Të tjerët nuk janë aq pozitivë për profesionin. John hyri në këtë industri pas diplomimit. Ai shpreson ta lërë atë pasi të gjejë një punë në profesion. “Ka njerëz që bëjnë detyra dhe ese për infermierinë. Unë nuk do të doja të shkoja në spital për t’u mjekuar nga dikush që pagoi dikë tjetër për të marrë provimet. Është vërtet e rrezikshme dhe duhet të shfuqizohet si industri”.
Gladys Nyachieo, një pedagoge sociologjie në Universitetin Multimedia të Nairobit, beson se përgjegjësia më e madhe për të trajtuar mashtrimet me kontrata bie mbi vendet e pasura, studentët e të cilëve janë klientët kryesorë. Pa një kërkesë të tillë nuk do të kishte ofertë.
Gjithsesi disa vende po ndërmarrin veprime. Vitin e kaluar, Australia ndaloi këto lloj shërbimesh dhe kjo po diskutohet edhe në Angli por ende nuk është e qartë se sa efektive do të jetë kjo në ndalimin e një tregtie që kalon kaq lehtë kufijtë ndërkombëtarë. Ndërkohë, Nyachieo po përpiqet të bëjë atë që mundet.
“Unë u them studentëve të mi se nuk është etike. Nuk është e drejtë. Por kjo është gjithçka që mund të bëj. Është çështje mbijetese për disa njerëz. Pra, është një lloj dileme”, thotë ajo.