Prioriteti i institucioneve ligjzbatuese dhe politikëbërëse duhet të jetë luftimi i prodhimit dhe tregtisë së paligjshme të duhan-cigareve
Nga Prof.As.Dr. Etleva Dashi (Muça)
Studiuese dhe konsulente e pavarur
Shqipëria konsiderohet si një nga vendet me nivel të lartë të duhanpirjes, sidomos te meshkujt me 51% (INSTAT 2019). Gjithashtu, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë -OBSH (2019) po shihet një tendencë në rritje e konsumit nga moshat e reja. Aktualisht në Shqipëri, rreth 685 mijë njerëz konsiderohen si duhanpirës.
I gjithë ky nivel i lartë i duhanpirjes është shoqëruar me një tendencë në rritje të prodhimit dhe shitjes së paligjshme të duhanit të papërpunuar dhe të prodhimeve artizanale të duhanit për dredhje dhe cigareve, fakt i cili dëmton seriozisht jo vetëm veprimtarinë e biznesit formal, por ka efekte negative në të ardhurat shtetërore, si dhe në shëndetin e njerëzve për shkak të konsumit të produkteve të pakontrolluara.
Konsumi formal i duhanit në Shqipëri mbulohet kryesisht nga importi i cigareve. Sasitë e importuara të cigareve dhe duhanit të grirë dhe prodhim vendi (pra cigaret dhe duhani formal për konsum vendi me taksa të paguara), sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, në 5 vitet e fundit ka qenë mesatarisht 2 900 tonë në vit. Nga kjo sasi formale, shteti merr çdo vit mbi 150 milionë euro taksa.
Por, nga matjet e ndryshme të kryera në tregun shqiptar nga subjekte të ndryshme, përfshirë të dhënat e publikuara nga INSTAT-i apo të dhënat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë për prodhimin e duhanit vendas, rezulton se sasia e konsumuar është shumë më e lartë se ajo e deklaruar ne dogana. Konsumi mesatar vjetor real llogaritet të jetë rreth 4 500 tonë.
Prodhimi dhe tregtia e paligjshme, veç dëmit nga mosmbledhja e taksave, prej mbi 70 milionë euro çdo vit dhe deformimi i konkurrencës së ndershme për shkak të çmimeve me pakicë 3-4 herë më të ulëta, nxit duhanpirjen te të rinjtë dhe shtresat me të ardhura të ulëta, por edhe rrit dëmet ndaj shëndetit, dhe “ushqen” korrupsionin dhe krimin.
Dispozitat ligjore në fuqi, që rregullojnë sektorin e duhanit dhe produkteve të tij, rregullat zbatuese dhe masat shtrënguese nuk kanë pasur eficencën e duhur, prandaj situata paraqitet relativisht kaotike sepse:
- shkalla e zbatimit të ligjit mbetet e ulët;
- evidencat raportuese dhe statistikore lidhur me mbjelljen, përpunimin, prodhimin dhe tregtimin e duhanit janë të pasakta dhe shpesh kontradiktore;
- niveli i prodhimit dhe tregtisë së paligjshme është i lartë;
- nuk ka koordinim eficient ndërmjet institucioneve dhe agjencive relevante ligjzbatuese;
- mungojnë procedurat e qarta lidhur me mbjelljen, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit dhe produkteve të tij;
- produktet e prodhuara dhe përpunuara në mënyrë të paligjshme tregtohen me çmime 3-4 herë më të ulëta se produktet e rregullta për të cilat paguhen taksa. Çmimi i ulët rrit interesin e duhanpirësve, veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta e të mesme, për të devijuar drejt tregjeve informale;
- humbjet për buxhetin e shtetit nga prodhimi dhe tregtia e paligjshme janë të konsiderueshme dhe me risk të lartë në rritje, nëse nuk merren masa eficiente për zhvillimin edhe zbatimin e politikave eficiente bujqësore dhe fiskale.
Siç shihet nga grafiku, në vitet kur ka pasur rritje të madhe të akcizës (që përbën elementin kryesor në çmimin me pakicë të cigareve), ka pasur rënie të importit dhe konsumit të cigareve e duhanit formal, dhe është devijuar konsumi drejt tregtisë së paligjshme (p.sh. në fund të vitit 2010).
Nga ana tjetër, siç e përmendëm, nuk ka të dhëna të sakta statistikore për nivelin e konsumit të duhanit dhe cigareve në Shqipëri. Megjithatë, me metoda indirekte të njohura, të pranuara dhe të përdorura në shumë vende, rezulton se në 10 vitet e fundit, konsumi i cigareve dhe i duhanit të grirë në Shqipëri ka qenë për rreth 5.000 – 4.500 ton në vit, me një tendencë në rënie të konsumit për shkak të uljes së numrit të popullatës dhe të duhanpirësve.
Në llogaritjen e këtij niveli konsumi nuk është marrë në konsideratë konsumi i turistëve të huaj që vizitojnë çdo vit Shqipërinë. Konsumi formal (me taksa të paguara) ka mbuluar mesatarisht 3.500 – 3.000 ton, ndërsa diferenca është mbuluar nga prodhimi dhe tregtia e paligjshme.
Krahasimi
Le të bëjmë një krahasim të thjeshtë për t’u bindur se niveli aktual i konsumit të llogaritur me metoda indirekte për rreth 4.500 tonë është real. Maqedonia e Veriut ka një popullsi (sipas MAKSTAT) në fund të vitit 2018 prej 2 077 132 banorësh, ndërsa Shqipëria (sipas INSTAT) në fund të vitit 2018 kishte një popullsi prej 2 862 427 banorësh ose rreth 37,8% më shumë. Maqedonia e Veriut raporton një konsum të brendshëm formal ligjor të cigareve dhe duhanit të grirë prej rreth 4 500 tonë (pa llogaritur edhe një nivel prej 5-6 % të prodhimit dhe tregtisë së paligjshme). A mund të jetë më i ulët konsumi i duhan-cigareve në Shqipëri, kur numri i popullsisë është 37,8 % më i lartë?
Pra konsumi real vjetor i produkteve të duhanit në Shqipëri, në 5-6 vitet e fundit llogaritet mesatarisht në jo më pak se 4.500 tonë, nga i cili, rreth 35% është mbuluar nga prodhimi dhe tregtia e paligjshme. Nëse kjo pjesë e konsumit do të përballohej nga operatorët e ligjshëm, të ardhurat shtesë vjetore për buxhetin e shtetit llogariten në mbi 70 milionë euro.
Praktikat shqiptare dhe rajonale tregojnë se, nëse operatorët e paligjshëm të prodhimit dhe tregtisë furnizojnë segmente të caktuara të konsumatorëve (veçanërisht ato me të ardhura të ulëta), është shumë e vështirë dhe kërkon kohë e masa drastike që të zëvendësohen me produkte formale (të cilat kanë çmim jo më pak se 3-4 herë më të lartë). Duhanet dhe cigaret e paligjshme shiten në mënyrë të hapur në të gjithë vendin, kryesisht në tregje të hapura e në dyqane të vogla dhe nga shitësit e rrugëve, me një çmim 3-4 herë më të lirë sesa cigaret e rregullta.
Nisur nga të dhënat e mësipërme, është e qartë se prioriteti i institucioneve ligjzbatuese dhe politikëbërëse duhet të jetë luftimi i prodhimit dhe tregtisë së paligjshme të duhan-cigareve.
Në disa vende, veçanërisht në vende me sisteme të konsoliduara ligjzbatuese, por edhe me të ardhura të larta për frymë, është ndjekur një politikë e rritjes së akcizës duke ndikuar pozitivisht në uljen e konsumit dhe në mbrojtjen e të ardhurave buxhetore, por, siç do të argumentohet edhe në vijim, ato vende kanë kapacitete të forta kontrolluese dhe shtrënguese, por edhe një nivel të lartë të të ardhurave për frymë (pra konsumatorët mund ta përballonin rritjen e çmimit për shkak të rritjes së akcizës dhe e kishin të vështirë kalimin në tregje informale).
Por cila është situata në Shqipëri apo në vende me zhvillim të ngjashëm? Cilat do të ishin efektet e rritjes së akcizës dhe të çmimeve te buxheti i shtetit dhe te konsumatorët shqiptarë?
Siç e përmendëm, ka dy faktorë shumë të rëndësishëm që duhet të konsiderohen kur vendoset të rritet akciza, për pasojë edhe çmimet me pakicë të cigareve dhe duhanit të rregullt. Këta faktorë janë:
• Niveli i fuqisë blerëse të duhan-pirësve (përballueshmëria nga ana financiare e konsumit të cigareve të rregullta), dhe
• Niveli aktual i prodhimit dhe tregtisë së duhanit e cigareve të paligjshme dhe kapacitet kontrolluese dhe shtrënguese të organeve ligjzbatuese.
Le të shohim fillimisht nivelin e përballueshmërisë.
Tabela e mësipërme tregon qartë se Shqipëria ka çmimin me të lartë për një paketë me 20 cigare, krahasuar me të ardhurat mesatare për një të punësuar. Pra, mesatarisht 0.6% e pagës mesatare mujore kushton një paketë cigare. Ndërsa një austriaku i kushton vetëm 0.1% e pagës mujore. E thënë ndryshe, një duhanpirësi shqiptar me të ardhura të ulëta i duhet të punojë rreth 2 orë në ditë për një paketë cigare, ndërsa në vendet e zhvilluara vetëm disa minuta.
Ky fakt nënkupton se, nëse do t’i bindemi logjikës që rritja e çmimit të duhanit formal do të ulë konsumin, shqiptarët duhet të kishin nivele shumë më të ulëta të duhanpirjes, pra, veçanërisht shtresat me të ardhura të ulëta, duhet ta kishin lënë me kohë duhanpirjen, pasi blerja e një pakete të ligjshme është relativisht më e kushtueshme krahasuar me çdo shtet tjetër. Por, faktet flasin ndryshe. Ajo që ka ndodhur është devijimi i konsumit drejt tregtisë së paligjshme që ofron duhan-cigare me çmime 3-4 herë më të ulëta, por edhe me risqe më të larta shëndetësore.
Pra, rritja e mëtejshme e akcizës në kushtet aktuale do të ndikojë në rritje të çmimit, dhe në rritje të tregtisë së paligjshme, për shkak të devijimit të mëtejshëm të konsumatorëve drejt tregtisë së paligjshme. Në gjykimin tim dhe bazuar në eksperiencën aktuale, ulja e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve formale të duhanit do të jetë minimale krahasuar me dëmet financiare për buxhetin, por edhe dëmet për shëndetin e popullatës që do vijnë nga devijimi i mëtejshëm i konsumit drejt tregtisë së paligjshme. Prodhimet e paligjshme nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli higjieno-sanitar dhe analize fiziko-kimike, e për pasojë dëmet ndaj shëndetit janë më të larta.
Shqipëria e ka nevojë të domosdoshme zhvillimin e strategjive afatgjata dhe politikave bujqësore e fiskale që:
- mbështesin fermerët për kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e ligjshëm të duhanit;
- garantojnë konkurrencën e ndershme;
- mbrojnë të ardhurat shtetërore dhe shëndetin e konsumatorëve;
- rrisin formalizimin dhe minimizojnë prodhimin, tregtinë e paligjshme dhe korrupsionin.
Mungesa e dispozitave rregulluese dhe shtrënguese eficiente lidhur me prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e ligjshëm të duhanit nga njëra anë dhe rritja e vazhdueshme e akcizës për prodhuesit dhe importuesit formalë nga ana tjetër, kanë ndikuar në një rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe tregtisë informale.
Si konkluzion, mendoj se në Shqipëri nuk duhet të ketë rritje të akcizës pa arritur ulje të konsiderueshme të informalitetit në mbjelljen dhe prodhimin e duhanit dhe të cigareve. Një rritje konstante graduale e akcizës në përputhje me kapacitetet administrative të administratës tatimore dhe doganore, si dhe në përputhje me përballueshmërinë e çmimeve formale nga konsumatorët, por edhe me një rritje graduale dhe ndërgjegjësim të konsumatorëve për dëmet e duhanpirjes, do të ishte mënyra e vetme e drejtë për të mbrojtur të ardhurat shtetërore, konkurrencën e ndershme dhe shëndetin e popullatës.