Nga Justinian Topulli
Kjo bota e sotme e lirisë pakufi të të shprehurit, ku cilido mund të flasë dhe të thotë çfarë t’i dojë kokrra e qejfit, vërtetë mund të jetë mjaft e këndshme, madje zbavitëse për shumë njerëz, sidomos për mediokrit, sharlatanët dhe ata që duan të kompensojnë mangësitë e tyre intelektuale me dërdëllitjet broçkullitëse, por është po kaq e dëmshme për shëndetin mendor e intelektual të njerëzve, sa ç’është për trupin dhe jetën edhe liria ndaj çdo mjekësie sharlatane, që pretendon të shërojë njerëzit.
Nëse mediokrit nuk i kritikoni dot haptazi ose nuk i këshilloni dot fshehtazi, të paktën mos i miratoni qoftë edhe me një “like” në rrjetet sociale. Lërini “like-t” politike dhe diplomatike, sidomos kur me to cenohet e vërteta, e drejta, e sakta dhe e mira, sepse këto parime janë më të shtrenjta për një njeri parimor sesa qejfbërja qokatare ndaj kujtdo qoftë ai.
Problemi i njerëzve sot është se, shumicën e gjërave në jetë nuk i marrin seriozisht, sidomos atë që bëjnë në botën virtuale të internetit; u duket sikur janë në ëndrra apo fantazi, ku për çdo gjë që mund të bësh nuk ke përgjegjësi!
Gjithsesi mos u çudisni Ditën e Gjykimit, kur të pyeteni e merreni në llogari edhe për “like-t” që i lëshoni kuturu, mes tyre edhe ato që i mbajnë gjallë frymën e mediokritetit, pa llogaritur këtu të tjerat. /LHSH/