Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të hyjë në mesin e 10 ekonomive të para të botës deri në vitin 2023…
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se vendi i tij do të hyjë në mesin e 10 ekonomive të para të botës deri në vitin 2023.
Gjatë një fjalimi në Kompleksin Presidencial në Ankara përpara kajmekamëve (nënprefekt) nga të gjitha rrethet e vendit, kreu i shtetit turk theksoi se që nga viti 2002 e këtej të ardhurat kombëtare për frymë janë rritur nga 3.500 dollarë, në 11.000 dollarë; ndërkohë që një progres i konsiderueshëm është shënuar edhe në nivelin e arsimit.
Duke u ndalur mbi zhvillimeve ekonomike në Turqi, Erdogan tha se ka ndryshuar synimi për t’u renditur në mesin e 20 ekonomive të para deri në vitin 2023 dhe se tashmë objektivi i ri është të hyjnë në mesin e 10 ekonomive më të mëdha të botës.
“Ne kemi realizuar disa reforma për mirëqenien shoqërore. Qëllimi i reformave të jetësuara në arsim, shëndetësi dhe sigurime shoqërore është të zgjasim dorën e shtetit për qytetarët”, u shpreh ai.
Më tej, lideri turk u ndal mbi luftën kundër terrorizmi duke thënë se në këtë aspekt është përshkuar një distancë e rëndësishme dhe se Anadolli Juglindor, tashmë pa prani terroriste, po rimëkëmbet e zhvillohet falë shërbimeve që shteti ka çuar në këtë zonë të vendit.
Erdogan tërhoqi vëmendjen se Turqia, vend që po zhvillohet vrullshëm në çdo fushë, mund të bëhet shënjestër e disa qarqeve në krizë xhelozie; ndërsa paralajmëroi se qarqet në fjalë, të cilat s’arritën dot ta përçajnë kombin turk etnikisht, mund të bëjnë përpjekje për ta realizuar këtë synim grabitqar nëpërmjet besimeve dhe sekteve.
“Ka shumë gjasa që sulmet ndaj unitetit, integritetit, bashkëjetesës, solidaritetit dhe vëllazërisë së kombit tonë të shtohen në mënyrë progresive duke nisur që nga ky vit e në vijim”, tha Presidenti Erdogan duke vënë theksin mbi unitetin dhe solidaritetin e vendit.