Nëse mutacioni i virusit është relativisht i lehtë, ai ka kufijtë e veta. Në eksperimentet e vitit të kaluar, doktor Starr dhe kolegët e tij, identifikuan ndryshime në RBD që dukeshin të dobishme, por që nuk shfaqen në botën reale – me sa duket për shkak se proteinat reale gjembore nuk mund të përshtaten sa duhet për t’i akomoduar ato.
Duke parë mutacione të ngjashme që shfaqen në variante të ndryshme, rezulton gjithashtu se mundësitë e evolucionit po kufizohen gjithnjë e më tepër. “E vërteta është se po fillojmë të vëmë re mutacione të përsëritura”, thotë doktor Chen. “Ky do të ishte një tregues se ndoshta virusi nuk mund të transformohet edhe shumë herë të tjera”. Variantet me mënyra rrënjësisht të ndryshme për t’u bërë më të transmetueshme ose evazive, mund të shkojnë përtej mundësive të evolucionit të virusit.
Një tjetër shkak për optimizëm është se zgjatimi gjembor nuk është pjesa e vetme e këtij procesi, që është komplekse dhe e ndryshueshme. I tillë është edhe sistemi imunitar i njeriut. Infeksioni fillestar është faza e parë e një lufte të gjatë, ku sistemi imunitar ka në dispozicion strategji të ndryshme.
Një studim nga Jackson Turner dhe kolegët e tij në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit, botuar në revistën Nature më 28 qershor, tregoi se reagimi imunitar i prodhuar nga infeksioni sars-cov-2, është afatgjatë, i fortë dhe i shumanshëm. Ndër të tjera, disa nga qelizat B që prodhojnë antitrupa, i prodhojnë antitrupat më efektivë, në fazën e mëvonshme të infeksionit dhe jo më herët. Kjo mund të jetë një pjesë e arsyes pse ato ofrojnë mbrojtje më të mirë kundër sëmundjeve të rënda sesa kundër infeksionit.
Sidoqoftë, është shumë e mundur që jo të gjitha vaksinat ofrojnë mbrojtje njëlloj të mirë. Qindra miliona doza të dy vaksinave të bëra nga kompanitë kineze, Sinopharm dhe Sinovac, janë shitur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Duket se ato do të mbeten një pjesë e madhe e furnizimit me vaksina në botë, për periudhën e mbetur të vitit.
Por ka disa dyshime në lidhje me efikasitetin e tyre, veçanërisht kundër varianteve të reja. Prova fillestare klinike e vaksinës Sinovac, zbuloi efikasitet më të ulët se në çdo provë tjetër të vaksinës kundër Covid-19, vetëm 51%. Studimet e përdorimit të vaksinës në Uruguai dhe Indonezi kanë qenë shumë më inkurajuese. Por ka një shqetësim në rritje në Bahrejn, Kili, Ishujt Seychelles, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat varen të gjitha nga furnizimet kineze.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni janë aq të shqetësuara, saqë kanë filluar të ofrojnë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer për njerëzit të cilët kanë marrë tashmë dy doza nga vaksina Sinopharm.
Dozat e treta të vaksinave po merren në konsideratë edhe nga disa qeveri të tjera, duke përfshirë Britaninë. Fakti që vaksinat aktuale i mbrojnë njerëzit nga sëmundjet e rënda dhe vdekja, edhe kur infektohen nga variante të reja, e bën më pak të mundshme idenë e marrjes së vaksinave specifike për variante specifike. Gjithsesi, ka fituar përkrahje alternativa më e lehtë e ofrimit të një doze të tretë për njerëzit që janë vaksinuar dy herë, me vaksina të tjera.
Por ende nuk ka prova se kjo është e nevojshme. Dhe dozat e treta nuk janë një përparësi krahasuar me dozat e para dhe të dyta, për personat që nuk janë vaksinuar fare, dhe tani këta njerëz kanë nevojë më shumë se kurrë për t’u vaksinuar