“Shumë raste dështimi në jetë u përkisnin atyre personave, që nuk e dinin se sa afër suksesit ndodheshin, kur vendosën të dorëzohen.”
Tomas Edison
Në vitin 1809, në një fshat të quajtur Coup vray, që ndodhej rreth njëzet milje larg nga Parisi, lindi Louis Braille. Ai ishte një fëmijë me sy të bukur, që ia kishte zili gjithkush që e shikonte. Gjithashtu, ky fëmijë gëzonte një nivel të lartë inteligjence. Në moshën trevjeçare, ndërsa po luante me veglat e të atit, sikur po qepte lëkurë, fëndyelli (bizi) me të cilin po përpiqej të bënte vrima në lëkurë, i rrëshqiti nga duart dhe i kërceu lart, duke ia dëmtuar njërin sy. Fëmija ra përtokë, duke qarë e duke klithur nga dhimbjet. Plaga ia dëmtoi me shpejtësi nervin e shikimit, kështu njëri sy, nuk vonoi shumë dhe iu verbërua plotësisht.
Mjekësia nuk ishte e përparuar asokohe, dhe në ato kushte, nuk vonoi shumë dhe plaga iu infektua keq, duke ia dëmtuar edhe syrin tjetër. Kështu ai u verbua plotësisht, në një moshë mjaft të vogël… Ditët kaluan dhe i ati vendosa ta dërgonte për të marrë mësim për piano. Ky fëmijë u apasionua shumë pas saj, derisa u bë mjaft i aftë në këtë vegël muzikore. Kur mbushi tetë vjeç, ai u bë shumë i njohur në Francë, dhe kur mbushi dhjetë vjeç, filloi të frekuentonte Institutin Kombëtar për të Verbër, në Paris. Ai ishte një nxënës i shkëlqyer në matematikë, shkencë dhe gjeografi. Mënyra se si ata lexonin në institut, ishte duke prekur shkronja të mëdha metali që priteshin dhe ngjiteshin në letër. Fëmijët mësonin t’i njihnin shkronjat metalike nëpërmjet prekjes me gishta dhe duke dalluar format e tyre. Sipas Loisit, kjo mënyrë nuk ishte praktike, sepse gjatësia e shkronjave arrinte rreth shtatë centimetra dhe ishin të rënda. Kjo e bëri Loisin të mendonte me vete, se patjetër gjendej ndonjë mënyrë tjetër më e mirë se kjo. Ai filloi përpjekjen për të bërë shkronja nga lëkura e trashë, por përparimi në këtë rrugë ishte shumë i ngadaltë, përveç vështirësive që hasi për realizimin e kësaj ideje.
Në moshën njëzetvjeçare, ai u emërua mësues në institutin ku ishte arsimuar vetë. Një ditë prej ditësh, ndërsa po rrinte në një kafene, dëgjoi një person të thoshte se një nga oficerët e ushtrisë franceze, kishte zbuluar një metodë që të lidhej në mënyrë të heshtur me ushtarët e njësisë së tij. Ai përdorte lëkurë të stampuar me forma dhe simbole, për të cilat, vetëm ata i dinin domethëniet e tyre. Lois Braille u hodh nga gëzimi dhe tha: “E gjeta!… E gjeta!”. Brenda një jave, ai e takoi oficerin francez dhe e pyeti për mënyrën që përdorte. Oficeri ia shpjegoi se mund të bënte shenja të caktuara, duke përdorur shtypjen mbi një copë letër, ku për shembull, një pikë nënkuptonte që “ec përpara”, dy pika nënkuptonin “kthehu”… Sistemi që kishte shpikur ky oficer, përmbante 12 pika, që i përdorte. Oficeri e pyeti Loisin nëse ai vërtet besonte që nëpërmjet kësaj mënyre, do të mund të formonte alfabetin e plotë. Përgjigjja e Loisit ishte pozitive, dhe se ishte i verbëri i parë në botë që e falënderonte nga thellësia e zemrës. Lois filloi nga puna. Ai ishte i vendosur ta realizonte qëllimin e tij deri në fund. Gjithashtu, kishte synim të gjente një mënyrë për të përdorur numrin më të vogël të mundshëm të pikave, me qëllim që kjo metodë të ishte e lehtë për t’u mësuar. Në vitin 1829, ai arriti me sukses të formonte shkronjat e alfabetit, duke përdorur vetëm gjashtë pika. Ai filloi ta provonte metodën duke e përdorur në institute. Në vitin 1839, metoda e tij u publikua, me qëllim që e gjithë bota ta shikonte shpikjen e tij. Në fillim hasi në rezistencë të madhe nga të gjithë, përfshirë edhe institutin ku punonte. Ai shkroi librin e tij të parë me alfabetin që shpiku, libër i cili përmbante për kthime të poezive të poetit të verbër anglez, John Milton.
Megjithëse kjo shpikje e tij në fillim nuk u pranua, ai përsëri nuk u dorëzua, por vazhdoi t’ua mësonte fëmijëve metodën e tij. Ai u përpoq disa herë t’ia prezantonte Akademisë Franceze projektin e tij, por ata e refuzuan gjithnjë.
Një ditë prej ditësh, njëra nga nxënëset e tij po luante në piano, në një nga skenat më të mëdha të Parisit. Kur mbaroi, të gjithë të pranishmit e duartrokitën të mrekulluar dhe të gjithë u ngritën në këmbë në shenjë vlerësimi të madh për përformancën e kësaj nxënëseje. Ajo iu afrua publikut dhe tha: “Nuk jam unë ajo që meriton gjithë këtë vlerësim, por ai burrë i cili më ka mësuar nëpërmjet zbulimit të tij të jashtëzakonshëm. Tani ai qëndron në shtratin e sëmundjes i vetëm, i braktisur, i veçuar, dhe larg të gjithëve”.
Gazetat dhe revistat filluan një fushatë të fortë në mbështetje të Lois Braille dhe të metodës së tij. Si rezultat i kësaj propagande intensive, më në fund qeveria franceze e njohu zbulimin e tij. Shokët vrapuan t’i jepnin lajmin e mirë. Me lotët që i mbushën sytë, Braille u tha: “Tri herë kam qarë në jetën time… Herën e parë kur humba shikimin, të dytën kur zbulova metodën e shkronjave të alfabetit, dhe kjo është hera e tretë… E kjo tregon se jeta ime nuk ka shkuar kot.”
Në vitin 1852, Braille vdiq nga një sëmundje e rëndë, në moshën 43 vjeç. Në vitin 1929, pra pas shumë vitesh pasi ai kishte shpikur alfabetin, Franca festoi përkujtimin e tij dhe e nderuan duke ngritur një statujë të tijën, në fshatin e tij të lindjes. Kur u hoq mbulesa e statujës, qindra të verbër ngritën duart e tyre, që të mund të preknin fytyrën e burrit i cili ua ndriçoi rrugën. Sot ka më shumë se njëzet milionë të verbër rreth botës, që ndihen borxhli ndaj këtij burri, i cili i ndihmoi të lexonin dhe të shkruanin, e të mbërrinin në majat më të larta të mundshme. E gjithë kjo arritje filloi me një burrë të vetëm, që punoi gjithë jetën për të ndihmuar veten dhe të tjerët, dhe që e kuptoi plotësisht fuqinë e durimit.
Tani më lejo të të bëj këtë pyetje: Sa është numri i herëve që je dorëzuar para një situate për shkak të mosdurimit?… A njeh ndonjë person që ka shpenzuar shumë para dhe kohë për realizimin e ëndrrave të tij, por që pas një rrugëtimi të gjatë, u dorëzua, dhe kjo për shkak të durimit të tij të pakët?… A të ka rastisur të dëgjosh ndonjëherë dikë të thotë: Më është mbaruar durimi?
Mungesa e durimit është një nga shkaqet që çon në dështim. Para se të mbërrish në sukses, në përgjithësi, do të hasësh në vështirësi, pengesa dhe në sfida të përkohshme, që nëse nuk je i duruar, nuk do të mund t’i kapërcesh ato dhe do të detyrohesh të heqësh dorë nga realizimi i qëllimeve të tua. Për këtë, Andrew Carnegie thotë: “Njeriu që mund të përsosë durimin, mund të përsosë gjithçka tjetër.”
Platoni thoshte: “Durimi është kura më e mirë për çdo problem.”
Çfarë duan të durueshmit më shumë se fjalët e Zotit të Lartëmadhërishëm: “Përgëzoji të duruarit!”
Mund të jesh entuziast, të kesh energji të madhe, të kesh njohuri të shumta, të fillosh t’i vësh në zbatim ëndrrat e tua dhe të përkushtohesh për sukses, por, nëse nuk ke durimin e mjaftueshëm, kjo do të çojë në rrënimin e ëndrrave të tua. Durim nuk do të thotë të qëndrosh pa bërë asgjë dhe të shpresosh për rezultatet më të mira. Durimi ka rregulla dhe rregullat e tij bazë janë puna e vështirë dhe për kushtimi. Vetëm kështu durimi do të punojë në favorin tënd. Pra, duhet të bësh gjithë çfarë ke mundësi për t’i arritur ëndrrat e tua, dhe në të njëjtën kohë, duhet të kesh durim. Norman Vincent Peale, në librin e tij “Fuqia e të menduarit pozitiv” thotë: “Mos e humb shpresën, sepse ndodh zakonisht që çelësi më i fundit në grumbullin e çelësave, të jetë pikërisht ai i duhuri, për ta hapur derën”.
Gjithashtu, njerëzit e mëdhenj e të suksesshëm, e dinë se sukseset më të mëdha të tyre, ndodhin që të arrihen pikërisht atëherë kur mbërrijnë në një pikë të tillë sa ata që të rrethojnë, mendojnë se ajo ide nuk mund të realizohet. Prandaj, çfarëdo që të të ndodhë, ti duhet të punosh me përkushtim për t’i realizuar ëndrrat e tua. Bëhu fleksibil dhe i durueshëm dhe bëhu ai person që mund t’i shfrytëzojë shanset që i vijnë nëpërmjet çdo problemi që has, dhe jo ai person i cili krijon problem nga çdo shans që i vjen.
Ja tani një recetë për të arritur tek durimi:
1. Shkruaj një nga sfidat, me të cilat je për ballur!
2. Shkruaj pesë mënyra, që mund t’i përdorësh për ta mposhtur këtë sfidë!
3. Kërko dhe gjej një person që gëzon respektin tënd, që ti ke besim në përvojën e tij dhe që ti beson se ai mund të të ndihmojë të gjesh një zgjidhje për ta përballuar këtë sfidë.
4. Analizo të gjitha zgjidhjet e mundshme!
5. Vepro menjëherë, me përkushtim dhe entuziazëm të fortë dhe duro, se ndoshta je vetëm pak hapa larg suksesit.
Dhe kujto gjithmonë:
Jetoje çdo çast sikur të ishte çasti i fundit i jetës sate…!
Jeto me besim! Jeto me shpresë!
Jeto me dashuri! Jeto me përpjekje
dhe çmoje vlerën e jetës!