Rënie prej 5 për qind e ekonomisë për këtë vit dhe rritje të saj prej 4 për qind për vitin e ardhshëm, kështu parashikon Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në publikimin e saj vjetor për Kosovën.
BERZH në raportin “Perspektiva ekonomike rajonale: COVID-19 – vlerësimet e hershme të dëmit, perspektiva të pasigurta“, thotë se ngadalësimi ekonomik erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve.
“Pas një tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 5 për qind në vitin 2020 pritet një kthim prej 4 për qind në vitin 2021, me kërkesën e brendshme që vazhdon të jetë nxitësi kryesor i rritjes”, thuhet në raport.
Sipas BERZH-it, me fillimin e pandemisë, shkalla e rritjes së PBB-së u ngadalësua.
“Me fillimin e pandemisë COVID-19, shkalla e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në Kosovë në tremujorin e parë të vitit 2020 u ngadalësua në 1.3 për qind nga 4.2 për qind që ishte në vitin 2019. Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve, poshtë nivelit prej 9 për qind nga viti në vit dhe ndërtimeve, poshtë nivelit 12 për qind. Eksportet e shërbimeve, të cilat lidhen kryesisht me diasporën dhe vizitat e tyre në vend, në gjysmën e parë të vitit 2020, regjistruan një rënie prej 35 për qind nga viti në vit”, thotë BERZH.
Në pjesën e raportit për Kosovën, institucioni bankar evropian thotë se, eksportet e mallrave për këtë periudhë kanë performuar mirë.
“Eksportet e mallrave performuan çuditërisht mirë, duke u rritur me 20 për qind nga viti në vit, kryesisht si pasojë e zgjerimit të eksporteve të metaleve bazë dhe produkteve kimike. Në mënyrë të ngjashme, fluksi i remitancave qëndroi i fortë, me rritje prej 10 për qind nga viti në vit, në shtatë muajt e parë të vitit 2020”, thuhet në raport.
Po ashtu, BERZH thotë se, papunësia në tremujorin e parë ka rënë, por që prapë mund të jetë rritur nga ajo periudhë.
“Shkalla e papunësisë ra pak në tremujorin e parë të vitit 2020, në 25 për qind, por që nga atëherë mund të jetë rritur. Në muajin prill 2020, Qeveria miratoi një Pako Emergjente që mbështeste punësimin, komunat dhe individët. Në muajin qershor, Qeveria e re miratoi Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike që mbulon periudhën 2020-2023 dhe që synon të lehtësojë qasjen në financa, të ulë barrën e taksave, të mbështesë punësimin, bujqësinë si dhe ndërmarrjet publike”, raporton BERZH.
Në fund, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shkruan se, rreziqet e mëtejshme lidhen me dobësitë e vazhdueshme në fushën e menaxhimit të investimeve publike dhe rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike.
“Rreziqet për projeksionin janë në rënie pasi pandemia mund të intensifikohet përsëri. Rreziqet e mëtejshme lidhen me dobësitë e vazhdueshme në fushën e menaxhimit të investimeve publike dhe rimëkëmbjen më të ngadaltë sesa parashikohej në partnerët kryesorë tregtarë në Bashkimin Evropian”, përfundon BERZH.
Sipas raportit, nga Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe Mali i Zi pritet që të kenë rënien më të madhe ekonomike me 9 për qind. Serbia pritet që ta vuajë më pak krizën, me një tkurrje prej 3.5 për qind, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina do të shohin një rënie prej 5 për qind.
Kujtojmë se në muajin maj, BERZH kishte parashikuar që për vitin aktual, rënia ekonomike do të jetë 5 për qind, kurse rikthimi i saj për vitin e ardhshëm do të jetë 7.5 për qind.