Bashkëthemeluesja e Bumble bëhet miliarderja më e re ‘self-made’ në botë

Të enjten, aksionet e aplikacionit të takimeve online Bumble u rritën shumë me IPO (Initial Public Offer), duke e bërë Ceo-n dhe themeluesen e saj 31-vjeçare Whitney Wolfe Herd, miliarderen më të re ‘self-made’ në botë.

Pothuajse 12% e aksioneve të saj në kompani vlenin 1.6 miliardë dollarë në orën 2:40 të enjten (me orë lokale).
Kompania bëri debutimin në tregje të enjten, me aksionet që ishin shumë më lart (76 dollarë) se çmimi fillestar i IPO prej 43 dollarësh për aksion.

Sipas Bumble, Wolfe Herd zotëron 21.54 milionë në aksione, ose 11.6% të shoqërisë. Përveçse është miliarderja më e re ‘self-made’ në botë, ajo është edhe CEO më e re grua, kompania e së cilës është renditur në bursë në Shtetet e Bashkuara.

Bumble është aplikacioni i dytë më i madh për takime online që kuotohet në bursë, pas IPO në 2015 të Match Group, kompani mëmë e Match.com. Match Group u përpoq të blerë shoqërinë e Wolfe Herd në 2017 për 450 milionë dollarë. Kompania kryesore konkurrente e Bumble është Match Group, që zotëron Hinge, Tinder dhe aplikacione të tjera online, kapitalizmi i tregut i së cilës është 45 miliardë dollarë.

Bumble regjistroi 417 milionë dollarë të ardhura në nëntë muajt e 2020-s krahasuar me 363 milionë dollarë në të njëjtën periudhë të 2019-s. Match Group është shumë më i madh. Të ardhurat në nëntë muajt e 2020 ishin 1.7 miliardë dollarë krahasuar me 1.5 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si rezultat i ofertës publike, shoqëria me seli në Austin mblodhi 2.2 miliardë dollarë.

Wolfe Herd e themeloi Bumble në 2014 menjëherë pasi paditi Tinder, punëdhënësin e tij të mëparshëm, për ngacmime seksuale. Ajo pretendoi se ish-shefi dhe i dashuri i saj, Justin Mateen, i kishte dërguar kërcënime, mesazhe poshtëruese dhe i kishte hequr asaj titullin e bashkëthemeluesit në Tinder. Nga ana e tij, Tinder ka mohuar çdo akuzë dhe çështja u zgjidh shpejt dhe në mënyrë konfidenciale.

Pasi u largua nga Tinder, Wolfe Herd bashkëpunoi me miliarderin rus Andrey Andreev, me seli në Londër, i cili kishte krijuar aplikacione të suksesshme takimesh në internet për tregjet europiane dhe të Amerikës Latine, për të themeluar Bumble.

Andreev u largua nga kompania në nëntor 2019, katër muaj pasi Forbes publikoi një hetim me akuza për një atmosferë misogjiniste në zyrën e Londrës nën drejtimin e Andreev, në kundërshtim me mantrën e Bumble për emancipimin e grave.

Shoqëria mohoi pjesën më të madhe të akuzave dhe nisi një hetim të brendshëm nën drejtimin e studios britanike ligjore të punës Doyle Clayton, e cila arriti në përfundimin “se pretendimi kryesor i bërë nga artikulli i Forbes – se kishte një atmosferë misogjiniste në zyrën e Londrës – ishte jo i saktë.

Sidoqoftë, studimi identifikoi një numër të vogël të punonjësve aktualë dhe të mëparshëm që besojnë se kishte “elementë të seksizmit” në kompani. Bumble është konsideruar si një “Tinder feminist”. Themeluesja e saj e ka konfirmuar këtë identitet, duke e quajtur aplikacionin “100%”, megjithëse ajo është përpjekur ta distancojë aplikacionin nga Tinder në intervista.

Burimi: Forbes

Artikulli paraprakMakinat Apple?! Ndoshta
Artikulli tjetërMurtaja që do të shkatërrojë njerëzimin