Organi kryesor religjioz në Turqi ka marrë vendim që valuta virtuale, Bitcoin, nuk është e përshtatshme me rregullat e fesë islame, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Metro.
Drejtorati për Çështje Fetare, ose Diyanet, një organizatë shtetërore që merret me çështje religjioze, ka thënë që përdorimi i bitcoinit nga myslimanët nuk është i lejuar sepse, sipas tyre, valutat virtuale janë të hapura ndaj spekulimeve financiare.
“Blerja dhe shitja e valutave virtuale nuk përshtatet me rregullat e islamit në këtë kohë, për shkak të faktit që me këto valuta mund të spekulohet dhe mund të përdoren lehtë në aktivitete kriminale si shpëlarja e parave dhe nuk janë nën mbikëqyrjen e shtetit”, thuhet në vendimin e Diyanet për këtë çështje.
Vlera e Bitcoin ka arritur në 10 mijë dollarë, ndërsa hamendësohet që rreth 3 miliardë valuta virtuale janë aktualisht në qarkullim. Në prill, Japonia njohu këtë lloj të parasë si të ligjshme dhe të përdorshme në çdo instancë, por shtetet tjera ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.