Pasuria e fituar nga vetëm 10 persona është rritur gjatë pandemisë së koronavirusit me 540 miliardë dollarë – thotë Oxfam. Kjo shumë, do të ishte e mjaftueshme që të parandalonte rënien e kujtdo në botë në varfëri, për shkak të virusit dhe të paguante një vaksinë për të gjithë.
Raporti i OJQ po ashtu zbulon se pasuria totale e miliarderëve është e barasvlershme me shpenzimin e plotë të të gjithë qeverive të G20 për rimëkëmbjen nga virusi. Oxfam i kërkon kështu qeverive të marrin në konsideratë vendosjen e taksave për super të pasurit. Raporti i titulluar Virusi i pabarazisë, është publikuar ndërsa liderët globalë do të mblidhen virtualisht për samitin ekonomik botëror të Davosit.
Mbështetja e paprecedentë nga qeveritë për ekonomitë e tyre bëri që bursat të shënonin një rritje të madhe duke bërë që pasuria e miliarderëve të shtohet akoma më shumë ndërkohë që ekonomitë reale përballen me recesionin më të rëndë në një shekull – thotë raporti. Pasuria e miliarderëve, në të gjithë botën, sipas Oxfam, u rrit me 3.9 trilionë dollarë mes 18 marsit dhe 31 dhjetorit 2020 dhe tani është në kuotën e 11.95 trilionë, ekuivalente kjo me atë që qeveritë e G20 kanë shpenzuar për të përballur pandeminë.
10 personat më të pasur, pasuritë e të cilëve u rritën me 540 miliardë dollarë që nga marsi, përfshijnë themeluesin e Amazon, Jeff Bezos, themeluesin e Teslas, Elon Musk dhe atë të Facebook, Mark Zukerberg.
Oxfam pretendon se pasuritë e miliarderëve u rritën për shkak të ribotimit të tregjeve të aksioneve dhe një “ekonomie të manipuluar”, duke shkaktuar rritjen e pabarazisë gjatë “rënies më të keqe ekonomike në një shekull”. /BM/