Taksat e makinave, ja sa do të paguani në vitin 2017

Janë përcaktuar kriteret e reja për pagesën e taksave për makinat e luksit. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që një mjet të konsiderohet luksi zbret në çmimin e blerjes 5 milionë lekë, nga 7 milionë që është këtë vit.

Taksa e luksit paguhet nga autoveturat me numrin e vendeve 4+1, me cilindrat 3000 kubikë dhe çmim blerjeje 5 milionë lekë. Taksa e luksit paguhet nga rreth 5400 mjete, ose 1,5 për qind e totalit të makinave. Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor janë përcaktuar gjithë procedurat për pagesën e taksave vjetore dhe një shembull që tregon se si do të llogariten detyrimet për mjetet gjatë vitit të ardhshëm, shkruan Gazeta Shqiptare.

Taksa e luksit llogaritet në dy faza. Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi për herë të parë në masën 70.000 lekë dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Taksa prej 70 mijë lekësh është taksa vetëm për regjistrim për herë të parë, dhe kjo taksë nuk e shoqëron mjetin pas regjistrimit për herë të parë, pra në vitin pasardhës drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 21 mijë lekë.

Sipas ligjit në fuqi, taksa e luksit paguhet nga makinat me cilindrat motorikë mbi 3 mijë kubikë dhe çmimi i mjetit të jetë mbi 7 milionë lekë. Ndërsa për vitin e ardhshëm do të ndiqet e njëjta praktikë, por kufiri do të jetë 5 milionë lekë çmimi i blerjes.

Si do të bëhet llogaritja?

Në rast se mjeti ka cilindrat 3 mijë kubikë, por nuk ka çmimin e blerjes 7 milionë lekë, ky mjet do të paguajë taksën e luksit. Mund të plotësohen të dyja kriteret, ose mund të jetë vetëm njëri prej tyre. Pra mjeti që ka cilindrat 3 mijë kubikë taksohet me taksën e luksit. Në rast se mjeti është me cilindrat më pak se 3 mijë kubikë, por vlerën e tij e ka mbi 7 milionë lekë, atëherë do të taksohet si mjet luksi.

Si ndahen mjetet në kategori
Kategoria e mjeteve të luksit është autovetura me numrin e vendeve 4+1. Ne kemi të regjistruar edhe kamionë që kanë cilindrat 12 mijë kubikë, por kategorizohen si mjete pune dhe janë të përjashtuara nga taksa e luksit.

Të gjitha kategoritë e mjeteve që tejkalojnë numrin e vendeve 4+1 nuk quhen mjete luksi, por mjete pune që përdoren si për transport pasagjerësh, apo edhe mallrash. Makinë luksi është autovetura 4+1 që i shërben personit, nuk ka rëndësi marka apo modeli, por është mjet luksi për efekt të dy kritereve që janë përcaktuar në ligj, kubikët dhe çmimi i makinës.

Si do të bëhen pagesat e taksave

Sipas ligjit në fuqi, taksa e regjistrimi fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit.

Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit.

E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.

Pavarësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura, mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi në masën 70.000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit.

E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoritë Rajonale, në momentin e vjeljes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.

Sa do të bëhen tarifat për patentat

Tarifat e pajisjes me leje drejtimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilat janë si më poshtë:

-Për leje drejtimi të kategorisë A 3.000 (tre mijë) lekë;

-Për leje drejtimi të kategorisë B 4.500 (katërmijë e pesëqind) lekë;

-Për leje drejtimi të kategorisë C 2.000 (dy mijë) lekë;

-Për leje drejtimi të kategorisë D 3.000 (tre mijë) lekë;

-Për leje drejtimi të kategorisë BE, CE dhe DE 3.000 (tre mijë) lekë./Albeu.

Artikulli paraprakKosova biznes më të madh me Serbi se me Shqipëri
Artikulli tjetërAmnistimi i uzurpimit të Kosovës nga ndërtimet ilegale