Dispozitat islame të pasurisë haram

Dispozitat islame të pasurisë haram

Zoti e ka krijuar njeriun nevojtar ndaj materies, ndaj dhe nuk e ka privuar atë plotësisht prej saj, por duke qenë se materia nuk është gjithçka dhe se ajo shpesh bëhet e dëmshme, Ai ka vendosur kufizime, të cilat në thelb vetëm se e mbrojnë njeriun nga anët negative që mbart bota materiale.

Një nga problemet madhore me të cilat përballen sot besimtarët është edhe pasuria e fituar duke tejkaluar kufizimet e Zotit. Kjo pasuri e dëmshme njihet në të drejtën islame me termin haram, pra e ndaluar. Duke ditur rëndësinë që ka në jetën e një besimtari të qenit larg haramit, dijetarët islam kanë bërë maksimumin e tyre për të shpjeguar dispozitat fetare në këtë drejtim, si dhe për qartësuar çdo rast sesi njeriu duhet të ruhet apo pastroj pasurinë e tij nga elementët e haramit, që bëhen shkak për zemërimin e Zotit dhe largimin e begatisë dhe mbarësisë nga jeta e besimtarit. Në materialin e më poshtëm do të paraqesim disa norma dhe dispozita të përmbledhura, në lidhje me pasurinë haram, rezultate këto të një studimi akademik islam, në mbi 400 faqe. Studimi në fjalë (Dispozitat e Pasurisë Haram dhe Rregullat e Shfrytëzimit dhe Përfitimit prej saj në Ligjin Islam) është bërë nga Dr. Abas Ahmed El-Baz, nën kujdesin dhe recensimin e Shejh Prof. Dr. Umer Sulejman El-Eshkar (Allahu e mëshiroftë!).

Nga ky studim u bë e mundur të nxirren këto përfundime:

Pasuri haram është çdo pasuri të cilën feja ia ka ndaluar muslimanit ta posedojë ose zotërojë, qoftë kjo pasuri e ndaluar në vetvete (si objekt haram), apo e ndaluar për shkaqe të tjera (të jashtme).
Në mënyrë të përgjithshme duhet thënë se pasuria haram nuk konsiderohet pjesë e pasurisë së muslimanit, qoftë kjo sasi e vogël apo e madhe.
Pasuria e marrë haram nuk trashëgohet, sepse ajo vazhdon të jetë pronë e atij që i është marrë me pa të drejtë.
Pasuria e fituar nga një transaksion i pavlefshëm ose i paligjshëm fetarisht nuk është hallall, ai që e posedon atë e ka për detyrë të pastrohet prej saj.
Pasuria e zotëruar nga një transaksion për të cilin nuk ka konsensus mes dijetarëve, nuk gjykohet si haram, nëse mospajtimi mes tyre është i fortë. Jo çdo gjë për të cilën një dijetar beson se është haram, ajo është e tillë.
Pasuria e fituar haram para se dikush të bëhej musliman, është hallall për të pasi ai të jetë bërë musliman. Ky njeri nuk e ka detyrim të pastrohet prej saj.
Pasuria e gjetur (p.sh. send i humbur), është haram për atë që e vë në pronësi të tij, nëse ai nuk e bën më parë atë publike. Por, pas kësaj, është hallall për aq kohë sa nuk njihet pronari i saj.
Pasuria e fituar haram nga padija, është hallall për atë që e ka fituar, nëse kjo ka ndodhur në një situatë padije.
Atë pasuri që feja e ka gjykuar si haram në vendet muslimane, si kamata, bixhozi… etj, ngelet haram për muslimanët në çdo vend. Mendimet e tjera nuk merren në konsideratë në këtë çështje.
Fitimi i nxjerrë nga investimi i pasurisë me kamatë në vendet jomuslimane, është haram dhe nuk lejohet të merret.
Transaksioni me poseduesin e pasurisë haram, për një send haram, është i ndaluar.
Transaksioni me poseduesin e pasurisë haram, (për një send hallall) kur ajo është e përzierë me hallallin, lejohet, por është e papëlqyeshme.
Transaksioni me një musliman të paidentifikuar (si mbartës i haramit), por për të cilin dyshohet, lejohet pa asnjë ndalesë.
Transaksioni me një jomusliman lejohet, sido që ai ta ketë fituar pasurinë, nga harami apo hallalli, nëse ky transaksion kryhet në përputhje me rregullat e fesë dhe dispozitat e sheriatit.
Harami në pasuri është një gjykim që e merr poseduesi i kësaj pasurie dhe jo vetë malli në qenësinë e tij.
Pasuria haram nuk lejohet që të shkatërrohet duke u djegur, prishur ose hedhur në det.
Pasuria haram nuk lejohet të përfitohet prej saj nga askush, përveç asaj që përcakton sheriati.
Pasuria haram, e cila nuk i dihet pronari, shpenzohet për të varfrit, nevojtarët dhe nevojat publike të muslimanëve.
Pastrimi i pasurisë haram, duke ia dhuruar atë të varfërve, nevojtarëve ose duke e përdorur për nevojat publike të muslimanëve, nuk konsiderohet sadaka (lëmoshë), për të cilën merret shpërblim (sevab). Ky veprim është thjesht pastrim nga gjynahu dhe lirim nga barra e mëkatit që rëndon ndërgjegjen e poseduesit dhe ndot pasurinë e tij.
Kthimi i pasurisë, pronarit të ligjshëm, kur ai dihet, ose dhënia e saj të varfërve dhe nevojtarëve, kur nuk dihet, është një nga kushtet e pranimit të pendimit dhe pastrimit nga pasuria haram.
Ekzistenca e pasurisë haram në thesarin e shtetit, nuk është shkak për të mos punuar me të, kjo së pari se ajo nuk dihet se ku është (sepse është e përzier) dhe së dyti, për shkak të nevojës që kanë njerëzit për punë.
Pasuria hallall e dhënë si vleftë monetare për kryerjen e një gjynahu, del nga pronësia e poseduesit të saj dhe i takon të varfërve, nevojtarëve ose për nevojat e përgjithshme të muslimanëve.
Tek objektet publike që plotësojnë interesat e muslimanëve futen shkollat, rrugët, spitalet, klinikat mjekësore, bursat për studentët… etj.
Nuk lejohet ndërtimi i xhamive ose marrja e objekteve ku falet namazi, me pasuri haram, sepse Allahu është i mirë (i dëlirë) dhe nuk pranon vetëm se të mirën (të dëlirën).
Lejohet për muslimanin të shpenzojë për vete dhe familjen e tij nga pasuria haram, nëse është i detyruar për këtë dhe nuk mundet të sigurojë dot pasuri hallall.
Lejohet marrja e borxhit nga borxhliu i cili posedon pasuri haram, nëse kjo pasuri haram nuk ka një pronar të veçantë.
Haxhi që kryhet me pasuri haram, është i saktë dhe ai shlyen obligimin, por një veprim i tillë është i gabuar dhe me të nuk fitohet shpërblim.
Kompensimi nëpërmjet pasurisë haram, i dëmit të shkaktuar nga inflacioni dhe dobësimi i forcës blerëse të monedhës, është haram, sepse kjo përligj konsumimin e kamatës, haram.
Shlyerja e taksave nga pasuria haram, është haram, sepse kjo përligj konsumimin e pasurisë së ndaluar, haram.
Fitimi që del nga investimi i pasurisë haram merr të njëjtin gjykim si kapitali që e solli atë fitim. Nuk lejohet të përfitohet prej tij asgjë, sepse djersa e derdhur në haram nuk meriton asgjë.
Pastrimi i parave haram ose i pasurisë së pisët, është i ndaluar fetarisht dhe ligjërisht, sepse kjo pasuri fitohet nëpërmjet metodave të ndaluara dhe sepse kjo gjë u jep mundësi bandave kriminale të vënë nën kontroll shtetin dhe institucionet e tij.
Pasuria haram që përfitohet nga pastrimi parave, pasi sekuestrohet dhe bllokohet nga shteti, i takon të varfërve, nevojtarëve dhe interesave publike (të qytetarëve).

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

Artikulli paraprakKreditimi / Mudaraba bashkëpjesëmarrëse në institucionet
Artikulli tjetërPuna në institucionet që punojnë me kamatë