Koment: Nuk i zihet besë SHBA-së për mbrojtjen e të dhënave

Këmbimi ndërkombëtar i të dhënave është jetik për ekonominë. Por Gjykata Evropiane thotë se nevojitet më shumë kontroll. Prandaj është më mirë t’i ruani të dhënat në Evropë, mendon Bernd Riegert.

Vendimi i gjykatësve në Gjykatën Europiane në Luksemburg nuk do të thotë se i ka ardhur fundi këmbimit të të dhënave në bizneset ndërkombëtare dhe aq më shumë që i ka ardhur fundi internetit, siç parashikojnë disa aktivistë. E nxitur nga avokati i mbrojtjes së të dhënave Max Schrems, Gjykata Europiane tregoi qartë se rregullat e standartizuara të marrëveshjeve që kontrollohen nga BE, janë krejtësisht të përshtatshme për të lejuar dhënien e të dhënave personale firmave jashtë Europës.

Gjykata Evropiane i bëri për ujë të ftohtë si Komisionin e BE-së edhe SHBA

Marrëveshja midis Komisionit dhe SHBA për këmbimin e të dhënave, e quajtur Privacy Shield, është një hiç, sepse autoritetet e sigurisë dhe shërbime të ndryshme sekrete në SHBA vazhdojnë të kenë akses në të dhënat e Facebook, Twitter, Google, Apple, Microsoft-it dhe të gjitha të dhënat e tjera besuar kompanive. Të dhënat e qytetarëve të BE-së janë të rrezikuata dhe SHBA nuk duhet trajtuar si vend me mbrojtje të sigurt të dhënash.

Symbolbild I Programmcode I Android I Internet I Technologie (picture-alliance/K. Ohlenschläger)

Është hera e dytë që nga viti 2015, që Gjykata Europiane jep një gjykim të tillë goditës. Herën e kaluar, Gjykata u mor me rastin “Safe Harbor”, një marrëveshje për këmbimin e të dhënave, e cila dallon pak nga pasardhësi “Privacy Shield”.

SHBA kthehen në shtet të tretë ordiner

Sinjali nga Luksemburgu është i qartë: pas Edward Snowdenit që pati zbuluar në vitin 2013,  se bëhet spiunim masiv i qytetarëve europianë, as SHBA as Komisioni i BE nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga skandali. Uria për të dhëna e shërbimeve sekrete dhe të sigurisë në SHBA vazhdon të jetë shumë e madhe. Kjo nuk do të ndryshojë as gjatë kohës së administratës së Presidentit Trump, megjithëse Komisioni i BE premton tani bisedime të reja. Kurrkush nuk beson se presidenti nacionalist Trump do të ndryshojë ligjet dhe metodat e SHBA prej presionit europian.

Që prej vendimit të marrë më 2015, diçka është bërë në BE. Ndërkohë ka hyrë në fuqi rregullorja themelore për mbrojtjen e të dhënave, që në krahasim me kutin botëror është e drejtë shumë e gjithanshme për mbrojtjen e të dhënave. Sipas vlerësimeve të Komisionit të BE-së, vetëm Zvicra, Japonia, Kanadaja dhe disa shtete të tjera e arrijnë këtë standart europian.

Nga kjo listë e shkurtër me vendet që kanë rregullat e duhura, hiqet tani SHBA. Ato kthehen në një shtet ordiner të tretë, në radhë me Kinën, Indinë, Brazilin dhe pjesën tjetër të botës.

Biznese midis firmave dhe këmbimi i të dhënave delikate me këto shtete të treta vazhdon të mbetet i mundshëm edhe pas vendimit të marrë në Luksemburg. Kompani nga Kina ose SHBA duhet të garantojnë nëpërmjet kontratave se veprojnë sipas kushteve të vendosura nga mbrojtja europiane e të dhënave. Këto rregulla standarte respektohen. Çdo klient duhet të vendosë vetë nëse i beson apo jo këtij premtimi. Në jetën praktike ne të gjithë prekemi nga kjo gjë. Sepse në çdo blerje udhëtimi, në çdo blerje online i jepen të dhënat  vendit ku do të shkohet për udhëtim, ose vendit që prodhon mallin që blihet.

Europës i duhet më shumë sovranitet tek të dhënat

Çfarë ndodh me këto të dhëna është e vështirë të ndiqet që nga Europa. Sidomos Kina, një shtet policor komunist, i merr sipas dëshirës të dhënat nga kompanitë kineze. Edhe në Rusi apo Turqi, apo në vende të tjera autokrate nuk mund të kontrollohet prej kurrkujt çfarë ndodh me të dhënat personale. Megjithatë Gjykata Europiane nuk i ka ndaluar këto veprimtari bazë për aktivitetet ekonomike, sepse kjo do të skaktonte kolaps të ekonomisë së ndërlidhur në shumë fusha.

Në afat më të gjatë Komisioni i BE-së dhe kompanitë europiane duhet të kërkojnë që të dhënat e tyre të përpunohen tek serverat brenda BE-së, duke iu nënshtruar ligjeve europiane. Clouds dhe sovraniteti i të dhënave duhet t’i jepet më shumë BE, jo Kinës dhe SHBA. Hapat e parë janë hedhur. SHBA kërkojnë nga ana e tyre kontroll më të madh. Ministria e Jashtme në Uashington është duke parë tani nëse mund t‘ i ndalojë firmës kineze TikTok, transferimin në Kinë të të dhënave të përdoruesve amerikan dhe ta mbyllë këtë firmë në SHBA.

Österreich Max Schrems (picture-alliance/picturedesk/H.Punz)Max Schrems

Robin Hood-i në fushën e të dhënave, Max Schrems, na tregoi me fitoren e tij të dytë në Gjykatën Europiane se në mbrojtjen ndërkombëtare të të dhënave ka ende shumë për të bërë dhe se kjo temë duhet të vazhdohet të ndiqet. Pikërisht në kohën e pandemisë corona nuk duhet marrë lehtë kjo punë, sepse disa shteteve iu pëlqen të ruajnë të dhënat shëndetësore, njohjen e fytyrës, profilet e lëvizjes dhe analizat e kontakteve, të cilat ndërhyjnë thellë në të drejtat personale të të dhënave. /DW/

Artikulli paraprakPropozimi i Charles Michel për zhbllokimin e situatës
Artikulli tjetërThellohen pasojat e krizës ekonomike, 50 milionë euro më pak në ATK