Psikologjia e veshjes

I ftuar: Jusuf Muhamed Abdullah

Profesor në universitetin e Katarit.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Ju urojmë mirëseardhjen në emisionin tonë, për të cilin kemi zgjedhur si moto:”Derisa lumturia të jetë tradita jonë”.

Tema të cilën do të trajtojmë sot është paksa si e çuditshme, veçse ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin tonë “Familjet e lumtura”.

Para se të përmend temën që do të trajtojmë sot, dua të rrëfej një histori të ndodhur shekuj më parë.

Halifeja Abdul Melik ibnu Mervan, u kërkoi një ditë oborrtarëve, ministrave dhe suitës së tij, që të nesërmen të vinin të veshur me rrobat më të mira që kishin. Të nesërmen, të gjithë ministrat, oborrtarët, këshilltarët etj… kishin ardhur me rrobat më të bukura që kishin në shtëpi. Vetëm njëri prej tyre e kishte shkelur këtë udhër të Halifes. Ai ishte një nga dijetarët dhe figurat më të ndritura. Si çdo ditë, ai kishte ardhur me rrobat e tij të thjeshta dhe të përditshme.

Kur Halifeja hodhi vështrimin drejt oborrtarëve, pa që vetëm njëri prej tyre kishte ardhur me rrobat e zakonshme dhe ai ishte një person i njohur për dijet dhe devotshmërinë e tij.

Kur dijetari pa që sytë e Halifes mbetën tek rrobat e tij, i tha: ”Uroj që të më ndjejë Prijësi i besimtarëve, por këto janë rrobat e mia të vetme dhe më të mira. Unë nuk posedoj asnjë veshje tjetër, siç ndodh me oborrtarët dhe ministrat e tjerë”.

Abdul Meliku i tha: ”Ti je nga ata që e zbukurojnë veshjen dhe jo veshja ty”.

 

Kështu, tema e emisionit të sotëm është “Psikologjia e veshjes”. Padyshim që shumë probleme mes bashkëshortëve dhe fëmijëve ndodhin për shkak të veshjes, shpenzimeve për to, llojit, markës etj…

Sot ne do t’a hapim këtë temë dhe i ftuari ynë do të jetë doktori Jusuf Muhamed Abdullah. Fillimisht e pyesim:”Përse i keni kushtuar kaq rëndësi një fushe të tillë, edhe pse jeni i specializuar në psikologji?!”

Dr. Jusuf: ”Unë dua t’ju falenderoj për këtë hyrje interesante. Në fakt interesimi im mbi këtë fushë ka filluar, kur u ftova nga universiteti i Katarit, për të mbajtur një ligjëratë me temë “Psikologjia e veshjeve”. Pas kësaj ligjërate, disa nga kolegët e mi më këshilluan që temën që trajtova t’a hedh në një libër dhe kështu ndodhi. Librin e kam titulluar “Psikologjia dhe stili i veshjes”.

Përkufizimi i veshjes dhe filozofia e saj

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Fillimisht duam të krijojmë një ide rreth veshjes, përkufizimit dhe filozofisë së saj”.

Dr. Jusuf: ”Në leksik, me fjalën veshje kuptojmë gjithçka që vishet. Ajo mund të jetë rrobë, unazë, armë dhe çdo gjë tjetër. Ky është një përkufizim i përgjithshëm, që përfshin gjithçka që vishet mbi trup. Veshja përceptohet dhe si zbukurim dhe stoli për njeriun. Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: ”dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme”. (Nur 31)

Kuptimi i fjalës “stoli” në ajetin e mësipërm, janë ose veshjet dhe rrobat, ose stolitë e ndryshme, që përdor gruaja për t’u zbukuruar. Kurse ne në këtë emsion do të fokusohemi më shumë tek rrobat dhe veshjet”.

 

Lidhja mes veshjeve dhe moshës

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Duke qenë se ju keni bërë një studim në këtë fushë, a ka lidhje mes moshës së njeriut dhe veshjeve të tij? E themi këtë, pasi veshjet e një foshnjeje janë të ndryshme nga ato të një adoleshenti, ato të një adoleshenti janë të ndryshme nga ato të një moshuari, të burrit janë të ndryshme nga ato të gruas etj…”

Dr. Jusuf: ”Të flasësh mbi veshjen dhe moshën do të thotë, të flasësh mbi zhvillimin dhe rritjen tek njeriu. Në çdo fazë dhe etapë të jetës së njeriut, ekziston një faktor dhe kriter, i cili përcakton veshjen e tij. Gjatë etapës së foshnjërisë së hershme, kriteri kryesor i veshjes është rehatia, të jenë të rehatshme për foshnjen. Gjatë fëmijërisë së hershme, kriteri fillon të bëhet më kompleks duke mos u mjaftuar me faktin që veshjet të jenë të rehatshme. Tashmë fillojnë të shfaqen dhe kritere të tjerë, si cilësia e veshjes, gjyrat etj… Kështu, çdo moshë ka kriteret e veta të veshjeve”.

Veshja e adoleshentëve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Nëse do të flisnim mbi adoleshentët, cilët janë standartet dhe kriteret më të përhapura tek kjo moshë përsa i përket veshjeve të tyre? Sot shohim shumë prindër, që ankohen për kriteret e veshjeve të fëmijëve të tyre adoleshentë, të cilat nuk janë konform zakoneve, traditave dhe kulturës së vendit. Prandaj, cilat janë kriteret e veshjeve tek adoleshentët dhe cilat janë veshjet më të preferuara tek kjo moshë?”

Dr. Jusuf: ”Përveç rehatisë dhe cilësisë, tek adoleshentët shfaqet dhe një kriter tjetër i veshjeve që preferojnë, ai i vetëbesimit. Një adoleshent, duke veshur një lloj veshjeje të caktuar, ai kërkon të tregojë para të tjerëve besimin e tij në vetvete. Padyshim që faktorët, që ndikojnë në besimin në vetvete dhe përzgjedhjen e rrobave, janë të shumtë. Një nga faktorët më të rëndësishëm këtu janë shokët e adoleshentit. Shokët janë përcaktues dhe orientues kryesor i sjelljeve të adoleshentit dhe veshjeve të tij. Ndonjëherë ndodhin dhe probleme mes prindërve dhe adoleshentëve për shkak se ata duan të imitojnë shokët”.

 

Çelësi i zemrës së adoleshentit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le të flasim pak mbi një problem të pranishëm në familje. Të shumtë janë ata prindër, të cilët ankohen se veshjet e fëmijëve të tyre adoleshentë janë të papërshtatshme me traditën dhe veshjet e vendit. Nëse ulen të bisedojnë me fëmijët e tyre rreth kësaj çështjeje, fëmijët u thonë: ”Unë dua të vesh rroba të ngushta”. E njëjta gjë ndodh dhe me vajzat adoleshente, 15-16 vjeçare, të cilat veshin streçe të ngushta, të cilat janë të papranueshme për prindërit. Mund të ndodhë dhe e kundërta, ku dy prindërit ose njëri prej tyre i kërkojnë të vishet me streçe të ngushta, kurse vajza refuzon dhe shpreh dëshirën për të veshur hixhabin. Kështu, kontradikta të tillë janë të pranishme pothuaj në çdo familje. Por cila është zgjidhja? Si mund t’ua lehtësojmë prindërve këtë vuajtje shpirtërore?”

Dr. Jusuf: ”Është diçka e lehtë që t’a lëndoj një adoleshent, mund t’ia caktoj ushqimet që do të hajë etj…  Padyshim që aspekti material zë një vend të rëndësishëm një jetën e çdo njeriu, por aspekti emocional është shumë më i rëndësishëm. Prindërit dhe edukatorët duhet të tregojnë më shumë kujdes në orientimin e adoleshentëve me të butë, derisa t’a kalojnë këtë periudhë delikate të jetës së tyre”.

Veshjet e një familjeje të lumtur

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur t’a dallojmë një familje të lumtur nga një familje e vuajtur, vetëm nga veshjet? Apo kjo është një pyetje filozofike dhe e pavlerë?”

Dr. Jusuf: ”Mendoj se një familje e lumtur është ajo, që i kushton rëndësi pamjes së jashtme të fëmijëve, ashtu siç i kushton vëmendje anës së jashtme të të gjithë pjesëtarëve të saj. Një familje e lumtur është ajo, që ka veshje të caktuara për çdo rast dhe festë dhe këto veshje janë të palosura dhe sistemuara mirë në shtëpi. Ndërkohë, në një familje me probleme dhe jo të lumtur, i gjen rrobat dhe veshjet të hedhura sa andej – këndej, të pasistemuara dhe rrëmujë. Gjithësesi kjo nuk është e prerë si me thikë, pasi mund të kemi familje që i kushtojnë rëndësi pamjes dhe aparencës, por që në shpirt janë të vuajtura dhe të shkatërruara”.

Rrobat e burrit, janë pasqyrë e gruas

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e vërtetë, që nëse burri vishet me rroba të parregullta, kjo është tregues që e shoqja është e parregullt dhe nëse burri është veshur mirë, kjo është tregues i interesit dhe përkushtimit të gruas? Cili është mendimi juaj dhe sa e vërtetë është kjo thënie?”

Dr. Jusuf: ”Është e vërtetë, që burri dhe gruaja ndikohen nga njëri-tjetri, ashtu siç është e vërtetë, që çdo njeri ka pamjen e jashtme dhe atë të brendshme. Pamja e jashtme, në përgjithësi është tregues i asaj të brendshmes. Ka disa njerëz, të cilët i kushtojmë më shumë vëmendje pamjes së jashtme, ndërkohë që të tjerë i kushtojnë asaj të brendshmes. Megjithatë, që të japimi një gjykim të tillë, mendoj që më e pakta rrobat e secilit të jenë të pastra, të lara, të hekurosura dhe të pranueshme për të dy palët”.

Të gjykosh të fejuarin nga veshja

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur, që vajza t’a gjykojë nga veshja dikë që ka kërkuar dorën e saj?”

Dr. Jusuf: ”Përgjigja ime është po dhe jo! Them po, për kontaktin e parë, pasi njeriu fillimisht njihet nga aparenca e jashtme. Nëse do të kërkoje të punësoheshe si profesor në një universitet, fillimisht të duhet të fotokopjosh të gjithë dokumentet dhe dëshmitë profesionale, t’i sistemosh ato dhe t’i dërgosh. Punëmarrësit në një rast të tillë njohin vetëm dokumentet e tua, kurse mbi personalitetin dhe karakterin tënd nuk dinë gjë. Me anën e dokumenteve, dëshmive dhe diplomave ti ose do të lësh mbresa të mira ose jo. Një përshtypje e krijuar nga kontakti i parë, ashtu siç mund të jetë pozitive, mund të jetë dhe negative dhe mashtrim i çastit. Ne mund të takohemi me njerëz, të cilët janë shumë të thjeshtë në veshje dhe aparencë, por që janë të rëndësishëm përsa i përket zgjuarsisë dhe kualifikimit. Kështu, faktori i veshjes dhe aparencës, përzihet me shumë faktorë të tjerë, në gjykimin dhe vlerësimin e dikujt”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Besoj se e njëjta gjë vlen dhe për vajzat. Ato i kushtojnë rëndësi më të madhe çështjes së veshjes dhe kjo na bën që të mos e gjykojmë dhe vlerësojmë një grua apo vajzë vetëm nga veshja”.

Dr. Jusuf: ”Mendoj se gjykimi dhe vlerësimi i femrës bëhet, duke krahasuar veshjen e saj me moshën. Kështu, veshja e një vajze adoleshente ndryshon nga veshja e një gruaje të pjekur. Zakonisht e shohim anën e brendshme si më të rëndësishme, por në fakt aparenca është pasqyrim i anës të brendshme”.

Faktori i jashtëm (aparenca)

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një nga stilistët francezë ka thënë një fjalë: ”Unë mund t’a nxjerr një grua lakuriqe rrugëve me majën e një lapsi!” Ai është stilist veshjesh dhe të gjithë gratë e botës ndjekin modelet, që ai dizenjon. Duke qenë se ne, vajzat dhe motrat tona ndjekin modën që cakton ky person në Francë, a nuk është kjo tregues i dobësisë tonë dhe humbjes së vlerave dhe personalitetit?”

Dr. Jusuf: ”Mendoj se ky person nuk e ka thënë atë fjalë pa vetëdije, por e ka thënë i ndjërgjegjshëm mbi faktorët që ndikojnë tek njeriu. Shumica e njerëzve sot i kushtojnë rëndësi aparencës, edhe pse ana e brendshme dhe ndërgjegja duhet të jetë primare. Zoti thotë në Kuran: ”Thuaj kjo u ndodhi prej vetes tuaj…” (Al Imran 165)

Ky ajet na tërheq vëmendjen tek faktori kryesor. Kështu, stilisti francez nuk e ka thënë atë fjalë, pa u bazuar diku. Ai e njeh mirë realitetin dhe vetëm nëse ky realitet ndryshon, do të ndryshojnë dhe thëniet e tij”.

 

Shpenzimet e veshjeve i mbulon bashkëshorti

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në linjë telefonike kemi dijetarin e njohur nga Katari, Tajis El-Xhemili. Fillimisht duam t’i bëjmë disa pyetje fikhu, në lidhje me veshjet e familjes. Të gjithë e dimë që dispozitat e Sheriatit e obligojnë burrin, që t’i sigurojë gruas veshjen e duhur. Por nëse gruaja është e pangopur dhe çdo ditë i kërkon veshje të reja, a duhet që burri t’i bindet duke i blerë çdo ditë rroba? Apo diçka e tillë është e rregulluar dhe ka kritere të caktuara?”

Shejh Xhemili: ”Një bashkëshort musliman dhe një bashkëshorte muslimane, udhëhiqen nga parime të Sheriatit islam në çdo gjë. Përsa i përket shpenzimeve, burri është i obliguar, t’i sigurojë gruas së tij shpenzimet e nevojshme. Shpenzimet duhet të bëhen sipas mundësisë së burrit dhe njëkohësisht sipas nivelit shoqëror të gruas. Nëse burri martohet me një grua që rrjedh nga një familje ose shtresë e caktuar e shoqërisë, ai duhet t’i sigurojë veshjen e asaj shtrese. Në të kundërt, përse pranoi të martohej me një grua të tillë? Ai nuk mund t’a obligojë të jetojë një jetë të varfër, jetë të cilën e jeton një numër jo i vogël njerëzish”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Por cilët janë kufinjtë e shpenzimeve të burrit për gruan? Si duhet të blihen veshjet e gruas, ditore, mujore apo vjetore? A ka njëfarë caktimi dhe llogarie në këtë mes?”

Shejh Xhemili: ”Sipas teksteve të Sheriatit mbi këtë temë, veshjet duhet të jenë stinore dhe për çdo stinë duhet të ketë dy veshje, fustane. Nëse e lan njërën, të veshë tjetrën dhe kjo është detyrë dhe dispozitë që e përcakton Sheriati”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A mendoni se realtiteti i sotëm është i pranueshëm, ku shohim që disa gra blejnë dhe kërkojnë çdo ditë rroba të reja?”

Shejh Xhemili: ”Mendoj se një sjellje e tillë nuk është e pëlqyeshme. Burrave të mëparshëm u mjaftonte një rrobë për gjithë vitin. Ne duhet të mos e shpërdorojmë pasurinë dhe për këtë duhet të respektojmë ligjet dhe dispozitat e Sheriatit. Nuk kemi përse t’ia përshtasim Sheriatin realitetit. Dy veshje për çdo stinë janë mëse të përshtatshme dhe të mjaftueshme”.

Shpenzimet e veshjes për një grua të punësuar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po nëse gruaja është e punësuar, a e ka obligim burri që edhe në këtë rast t’i sigurojë asaj veshjet dhe rrobat e duhura?”

Shejh Xhemili: ”Burri është i obliguar t’i sigurojë ushqimin dhe veshjen, edhe pse ajo është e punësuar me lejen dhe miratimin e tij. Edhe nëse në një rast të tillë ajo i kërkon të shoqit t’ia mbulojë shpenzimet, kjo është e drejtë e saj dhe askush nuk ka pëse ia mohon”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Çfarë ndodh nëse burri refuzon, t’ia sigurojë gruas shpenzimet e veshjes?”

Shejh Xhemili: ”Burri e ka detyrë, që t’i sigurojë gruas dy veshje për çdo stinë. Kurse përsa i përket veshjeve shtesë dhe që përdoren për ceremoni të ndryshme, është diçka tjetër. Sot, po të shohim garderobat e rrobave tona, të grave dhe fëmijëve tanë, ato u përngjajnë më shumë një panairi rrobash”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A nuk mund të përdoret si justifikim nga disa burra, kjo që sapo thatë? A nuk është e mundur, që këta burra të refuzojnë t’u blejnë grave të tyre veshjet dhe rrobat, duke u justifikuar dhe mbështetur në fjalët tuaja?”

Shejh Xhemili: ”Një sjellje e tillë nuk ka asgjë që e justifikon, por njëkohësisht e këshilloj dhe bashkëshorten që të tregohet e arsyeshme në kërkesat e saj. Ajo duhet t’a dijë, që do të japë llogari para Zotit dhe se shpërdorimi i tepërt është i dënueshëm. Nëse burri e ka të pamundur t’i kontrollojë sjelljet e të shoqes, ku duket epërsia e tij në jetën familjare?!”

Kriteret e veshjes së Bajramit dhe festave

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le të kthehemi sërish në studio, ku do të pyesim të ftuarin tonë mbi kriteret dhe llojin e veshjes së Bajramit”.

Dr. Jusuf: ”Kriteret që përcaktojnë veshjen e festave dhe të Bajrameve janë dy: Njëri është kriter kulturor, ku njerëzit kanë trashëguar një lloj veshje popullore të caktuar që nga kohë të lashta. Kjo haset më shumë tek burrat.

Kriteri i dytë është psikologjik, ku për rrobat dhe veshjet e Bajramit dhe të festave të tjera vihen re risi dhe modele të reja veshjesh”. Edukata e marrë në familje, ka një rol të veçantë në përcaktimin e veshjes.

 

Një teleshikues nga Katari: ”Mendoj se edukimi në familje ndikon drejtpërdrejt në përzgjedhjen e veshjes së fëmijëve. Është e pamundur – sidomos në vendet e Gjirit Arabik – që vajza të dalë me veshje të ngushta dhe të tejdukshme, pa pëlqimin dhe miratimin e prindërve. Të gjithë e dallojnë të mirën nga e keqja”.

Dr. Jusuf: ”Është e vërtetë që edukimi familjar ka qenë, është dhe do të mbetet faktori kryesor në përcaktimin e drejtimit që do të marrin fëmijët. Edukimi i familjes ka ndikimin më të rëndësishëm në jetën e një adoleshenti, madje dhe në atë të bashkëshortit dhe bashkëshortes së ardhshme. Nëse edukata e familjes ka qenë e keqe, atëherë pasojat do të shfaqen dhe në veshjen e fëmijëve”.

A konsiderohet veshja liri dhe e drejtë individuale?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kjo na bën të pyesim me të drejtë:”A është veshja një çështje individuale dhe që ka të bëjë me lirinë e secilit? Ne shohim që në vendet perëndimore, veshjet më shumë zbulojnë sesa mbulojnë. Nëse ti i kritikon, menjëherë të përgjigjen se diçka e tillë është e drejtë e secilit, është liria që gëzon secili. Ndërkohë që ne në lindje kontrollohemi nga zakone dhe kritere shoqërore. Nëse tek ne kemi norma dhe tradita, që na ndihmojnë në orientimin e rinisë drejt mbulesës, në perëndim djali dhe vajza po mbushën moshën dymbëdhjetë vjeçare janë jashtë pushtetit të prindërve. Duke ditur që shumë nga djemtë dhe vajzat tona kanë filluar t’i adoptojnë koncepte të tilla – të lirisë në veshje – si mund t’u përgjigjemi këtyre thirrjeve dhe koncepteve të gabuara?”

Dr. Jusuf: ”Duhet të mos harrojmë, se ata që pretendojnë dhe kërkojnë lirinë individuale duke u sjellë apo veshur në një formë të caktuar, ata kanë rënë pre e ambjentit, modës apo shoqërisë. Ata vishen ose sillen në atë mënyrë, të ndikuar nga ambjenti përreth. Të gjithë ne ndikohemi në mënyrën e veshjes, nga ambjenti përreth. Kurse muslimani gëzon një formim dhe kulturë të caktuar, e cila e ndihmon t’u rezistojë faktorëve dhe ndikimeve të jashtme.

Sipas dispozitave të fikhut, veshja ndahet në tre kategori:

1 – Veshje haram, siç është mëndafshi dhe floriri për burrat.

2 – Veshje e obliguar, e cila është ajo veshje që mbulon kryesisht pjesët e turpshme  dhe e mbron fizikun e njeriut nga faktorët e jashtëm klimatikë.

3 – Veshje e pëlqyeshme, ku hyn ajo veshje e cila zgjidhet për t’u dukur sa më bukur dhe rehatshëm”.

 

Joshja pas markave të rrobave

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një realtitet, të cilin e përjetojmë sot, është dhe tundimi dhe dhënia pas markave të veshjeve. Diçka e tillë haset kryesisht tek moshat e reja, adoleshentët. Kameramani ynë doli në rrugë dhe pyeti një sërë të rinjsh dhe të rejash mbi arsyet, që i shtyjnë të preferojnë marka të caktuara rrobash. Shumica e tyre përgjigjej, se është cilësia e pëlhurës, rezistenca dhe prerja. Ndërkohë disa të tjerë u përgjigjën se zgjedhin marka të caktuara, pasi shpesh herë pyeten nga bashkëmoshatarët mbi markën që parapëlqen dhe që vesh. Cili është komenti juaj mbi këtë realitet, doktor i nderuar?”

 

Dr. Jusuf: ”Ajo që duket qartë nga përgjigjet e të rinjve është, se bota në kohët e fundit ka filluar të tërhiqet më shumë nga aparenca dhe fizionomia e jashtme. Vlera e njeriut sot fillon me pamjen e tij të jashtme. Kjo është diçka normale, duke ditur që globalizmi, që po shtrihet kudo, është globalizëm i aparencës. Prandaj është normale dhe e pritshme, të dëgjojmë përgjigje të tilla. Madje shumë nga problemet familjare mes prindërve dhe fëmijëve, lindin për shkak të aparencës dhe pamjes së jashtme”.

 

Ndjekja e modës

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A mund të themi, se shumica e të rinjve tanë i mbajnë sytë nga moda dhe se kjo ndodh për faktin e zbrazëtirës së brendshme? A mund të konsiderohet kjo si një varfëri kulturore? A është e vërtetë se në raste dobësie, njeriu i mban sytë nga këto dukuri?”

Dr. Jusuf: ”Padyshim që forca e faktorëve të jashtëm është tregues i dobësisë së faktorëve të brendshëm. Sot është fizionomia ajo, që sundon dhe për këtë është normale, që të rinjtë tanë t’i mbajnë sytë nga moda dhe veshjet e reja”.

Konflikti mes dy kritereve

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë jetoj në Amerikë dhe kam një vajzë gjashtëmbëdhjetë vjeçare, të mbuluar me shami. Shpesh herë shkolla ku ajo mëson, organizon ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, ku marrin pjesë djem dhe vajza bashkë. Vajza ime shpreh dëshirën që vetëm ditën e ceremonive t’a heqë shaminë. Kjo, pasi shpesh herë shamia – sipas saj – bëhet pengesë që të mos marrë pjesë në këto ceremoni dhe takime. Unë ia kam bërë të qartë si e trajton Islami çështjen e mbulesës së femrës, megjithatë shoh që ajo është e lodhur shpirtërisht dhe psikologjikisht. Ajo ndihet e lëkundur mes bindjes së Krijuesit të saj dhe pjesëmarrjes në këto aktivitete të shkollës. Çfarë duhet bëj me të?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një nga problemet, me të cilat përballen familjet e emigrantëve në perëndim, është dhe çështja e veshjeve të fëmijëve të tyre. Kjo vajzë ndodhet mes dy zgjidhjeve: Bindjes së Krijuesit të saj në çështjen e veshjes dhe pjesëmarrja me shokët e shoqet në aktivitete të ndryshme. Çfarë duhet të bëjë ajo në një rast të tillë? A duhe t’a heqë shaminë dhe t’i bashkohet shoqërisë?”

Dr. Jusuf: ”Këtu çështja është mes haramit dhe hallallit dhe harami nuk mund të anullohet, përveçse në raste të domosdoshme dhe kritike. Përsa i përket këtij rasti, nuk e shoh si diçka të domosdoshme.

Veç kësaj, nëse prindërit e vajzës kanë ndikimin më të madh tek vajza e tyre se ndikimi i shoqërisë së saj, padyshim që dashuria dhe respekti i prindërve do të fitojë në fund dhe vajza do të refuzojë të shkojë në këto aktivitete.

Së fundmi, e drejta është e drejtë dhe duhet këmbëngulje, jo me dhunë dhe ashpësi, por me të butë dhe dashamirësi”.

 

Imitimi i veshjes tek fëmijët

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Fëmija ime është pesë vjeç dhe i pëlqen shumë filmat vizatimorë me tematikë islame, si Umer El-Muhtar, Ajnu Xhalut etj… Ai është shumë i dhënë pas imitimit të personazheve kryesore në filma, pëlqen të vishet si ta, kërkon të ketë çallma si të tyret etj… E sikletshme është se ai kërkon të shkojë kudo i veshur me këto veshje. Edhe në xhami kur shkon, kërkon të shkojë me çallmë. Unë ia kam shpjeguar, që kjo veshje nuk është e përshtatshme për kohën tonë, por ai nuk i kupton këto. Çfarë duhet të bëj?”

Dr. Jusuf: ”Meqë fëmija është pesë vjeç, nuk shoh ndonjë problem që të shkojë në xhami me çallmë. Ne duhet t’a kuptojmë që përceptimi ynë i gjërave, është plotësisht i ndryshëm nga përceptimi i fëmijëve. Shumë sjellje ai i shikon si normale, ndërkohë që ne nuk e shohim ashtu. Unë mendoj që kjo nënë duhet t’a lërë atë të lirë në zgjedhjen e tij. Me kalimin nga një etapë moshe në një tjetër, ai do të fillojë të ndryshojë shumë koncepte dhe mendime. Llogjika dhe arsyeja e tij do të zhvillohen dhe do të fillojë të kërkojë veshje, të cilat janë të përafërta me ato të mjedisit dhe shoqërisë që e rrethon”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Shqetësimi i teleshikueses më kujtoi ballot me maska për fëmijë, ku çdo fëmijë vishet me veshjen e një populli ose fisi të caktuar. Unë dua t’ju pyes, nëse ballo dhe aktivitete të tilla me maska, janë të dobishme apo të dëmshme për fëmijët?”

Dr. Jusuf: ”Besoj se objektivi duhet t’i paraprijë çdo sjelljeje dhe aktiviteti. Prindërit duhet të ulen me fëmijët e tyre dhe t’i sqarojnë, se qëllimi me ato veshje nuk është gjë tjetër përveç njohjes me traditat dhe veshjet e disa popujve. Kjo bëhet, me qëllim që fëmijët të mos krijojnë koncepte të gabuara dhe negative kundrejt këtyre veshjeve. Nëse prindërit i sqarojnë fëmijët mbi objektivat dhe synimet me aktivitete të tilla, nuk prish punë nëse fëmijët marrin pjesë”.

Veshja e të rinjve, rrobat e femrave

 

Një teleshikues nga Libia: ”Disa të rinj veshin rroba femrash, duke dashur të përngjasojnë me to. Kur i pyet mbi këtë, të përgjigjen se është e modës. Nuk e di se si e konceptojnë modën të rinjtë e sotëm?!”

Dr. Jusuf: ”Mendoj se duke e pyetur palën tjetër mbi sjelljet e tyre, u japim rastin që të gjejnë një arsye dhe justifikim për këtë. Ne sot kemi nevojë që t’u paraprijmë justifikimeve. Nëse ne e dimë se po i pyetëm, përgjigja dhe justifikimi i tyre do të jetë “Moda” është më mirë, të mos i pyesim direkt, por indirekt. Është më e preferueshme që të fitojmë simpatinë e të riut, sesa t’a korrigjojmë dhe qortojmë. Një rregull thotë: ”Të fitosh simpatinë e dikujt është më e vlefshme se të fitosh debatin me të”. Duke fituar simpatinë e dikujt, unë kam fituar dhe debatin mbi një çështje të caktuar. Ne duhet t’a kemi të qartë, që adoleshentët e kanë në majë të gjuhës përgjigjen dhe tentativat për të depërtuar në brendësinë e tyre në mënyrë direkte, nuk do të japë asnjë rezultat”.

 

Rruga e mesme në trajtimin e problemeve

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Vajzat tona këtu në emigrim edhe pse kanë prirje islame dhe janë të mbuluara me hixhab, ndonjëherë përpiqen të imitojnë perëndimorët dhe të ndjekin modën. P.sh ato lyejnë thonjtë me manykyr, mbajnë vathë të mëdhenj dhe të gjatë etj… Disa nëna u frikësohen këtyre dukurive, ngaqë ato mund të pasojnë njëra-tjetrën. Këto vajza, në ambjentet e jashtme, janë të mbuluara dhe të veshura me hixhabin e duhur, por në raste aktivitetesh dhe takimesh të komunitetit musliman, shohim prej tyre disa sjellje dhe veprime të ngjashme me të rejat jomuslimane në vend. Çfarë duhet të bëjmë? Mos duhet t’u japim më shumë liri veprimi, apo t’u themi që sjellje të tilla nuk kanë lidhje me fenë dhe traditat tona?!”

Dr. Jusuf: ”Mendoj se frika dhe shqetësimi i teleshikueses është me vend dhe është një shqetësim, që nuk ka lindur pa baza. Frika dhe shqetësimi në të tilla raste, nuk shpreh frymën e rrugës së mesme në trajtimin e këtyre problemeve. Ne duhet t’i edukojmë fëmijët tanë, që të reagojnë me fenomenet e ndryshme brenda kufinjve të duhur dhe duhet që moda t’u nënshtrohet atyre dhe jo ato modës. Gjithashtu, atyre u duhet folur mbi pasojat negative të sjelljeve të tilla”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Përsa i përket pyetjes së teleshikueses, duam një përgjigje më të drejtpërdrejtë. Në përgjigjen e mësipërme, unë shoh që ti i kushton rëndësi aspektit psikologjik dhe shpirtëror të adoleshentëve. Përse kjo dhe a ka të bëjë me ndonjë objektiv edukativ dhe psikologjik? Apo u frikësohemi përgjigjeve të hapura duke kontribuar kështu në rritjen dhe zgjerimin e problemeve?”

Dr. Jusuf: ”Një nga efektet anësore dhe negative të frikës është, se e bën tjetrin të të shmanget. Ne duhet të jemi të moderuar dhe të ndjekim rrugët e mesme në fitimin e simpatisë së tjetrit, gjë e cila është një vlerë.

Kurse përsa i përket fenomeneve si ai i lyerjes së thonjve, vathëve të mëdhenj dhe të ngjashme, dua të them që këto kanë të bëjnë me kulturën. A janë fenomene të tilla të pranueshme në kulturën tonë ap jo?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Padyshim që janë të papranueshme në kulturën tonë. Ne kemi fenë dhe traditën tonë, e cila është e ndryshme nga ajo e perëndimit”.

Dr. Jusuf: ”Nëse janë dukuri të panjohura për kulturën tonë, atëherë prindërit duhet t’ua bëjnë të qartë, por dua t’a theksoj se është e vështirë të bindësh adoleshentët, sidomos nëse jetojnë në një shoqëri të hapur si ajo perëndimore”.

Shpërdorimi në blerjen e rrobave

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”Burri im vesh shumë rroba dhe shpenzon shumë të holla në blerjen e rrobave të reja. Edhe kur ishim në Kuvajt, ai blente rroba të markave të mira dhe të shtrenjta. Por tani që kemi ardhur në Amerikë, ky ves sikur i është shtuar dhe më shumë. Unë kam vendosur që të hollat që mi jep mua për t’i shpenzuar, t’i fsheh dhe t’i them që i kam shpenzuar për të blerë ushqime. Me këtë synoj, që këto të holla t’i ruaj për ndonjë ditë kur do të kemi nevojë. A është ky veprim i saktë dhe si duhet të sillem me burrin tim?”

Dr. Jusuf: ”Duket qartë që burri i teleshikueses kur ishte në Kuvajt ishte shpërdorues, por kur vajti në Amerikë ky ves iu shtua dhe më shumë. Shpërdorimi i pasurisë në Amerikë shtohet, duke pasur parasysh natyrën dhe ambjentin. Mendoj se zgjidhja që ajo ka gjetur është e përkohshme dhe jo e përhershme. Vallë si do të reagojë burri i saj nëse e mëson të vërtetën?”

Një teleshikues nga Arabia Saudite: ”Kam dy fëmijë. Më i madhi është katërmbëdhjetë vjeç. Ai është inatçor dhe gjithmonë dëshiron të veshë rroba të markave më të shtrenjta dhe të njohura. Djali i dytë është njëmbëdhjetë vjeç, është i qetë dhe i ndrojtur. Ai më thotë gjithmonë: ”Unë do të vesh atë që më blen dhe që dëshiron ti o baba”. Cili është komenti juaj mbi këtë?”

Dr. Jusuf: ”Teleshikuesi ballafaqohet me dy situata të ndryshme në familje. Në vijë të përgjithshme, unë e këshilloj që të përpiqet t’a zbehë vrullin e djalit të madh dhe t’a nxisë djalin e vogël që të zgjedhë vetë. Përsa i përket djalit të madh, ne duhet të përpiqemi që t’ia presim vrullin për blerjen e rrobave nga markat më të njohura. Këtë duhet t’a bëjmë fillimisht duke zbuluar dhe trajtuar faktorët, që e nxisin për një zgjedhje të tillë. Në shumë raste, adoleshenti e ka një prirje të tillë, për shkak se mendon që këto rroba do e bëjnë të gëzojë një status dhe pozitë të lakmueshme mes shokëve. Në një rast të tillë, ne duhet të kërkojmë një faktor tjetër, që ia fal të njëjtën pozitë dhe status në shoqëri. Kështu do të shohim që problemi fillon të zgjidhet”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Me këtë rast më vjen ndërmen një ndodhi, ku një baba kishte një fëmijë, i cili kishte kërkesa të shumta përsa i përket veshjeve dhe rrobave të markave të njohura. Një fakt i tillë e kishte shqetësuar dhe mërzitur të atin. Pasi ishte menduar gjatë, i ati kishte vendosur që t’a dërgojë djalin e tij në klubin e karatesë. Djali filloi të stërvitej me trajnerin dhe arriti të marrë rrypin e verdhë në një periudhë kohore shumë të shkurtër. Kjo e bëri të ndihej krenar para shokëve, që ishte i fortë dhe kishte marrë rrypin e verdhë, duke i harruar markat e njohura të veshjeve. Vetëm atëherë babai shpëtoi nga kërkesat e shumta për të blerë rroba të shtrenjta dhe të markave të njohura”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sapo na ka arritur një faks nga një teleshikuese nga Xhedda, e cila fillimisht na falenderon për këtë emision. Më poshtë ajo thotë: ”Shumë vajza të reja, në fillimet e jetës martesore, vishen bukur dhe zbukurohen për burrat e tyre. Por me kalimin e kohës dhe të viteve, ky interesim fillon të zbehet dhe ajo nuk i kushton asnjë vëmendje pamjes dhe aparencës. Kështu, burri i saj fillon të hedhë sytë tek gratë që shikon jashtë, të cilat vishen bukur dhe e mbajnë veten”. Cili është komenti juaj mbi këtë doktor i nderuar?”

Dr. Jusuf: ”Kur i riu dhe e reja kalojnë në jetën bashkëshortore, romanca është në kulmin e saj. Me ardhjen dhe lindjen e fëmijëve, rolit romantik i shtohet dhe roli i përkujdesjes dhe dashurisë për fëmijët ose roli i babait dhe nënës. Problemi qëndron, se me kalimin e kohës ne fillojmë t’a groposim rolin e parë, atë romantik dhe i përkushtohemi tërësisht rolit prindëror duke e lejuar atë të jetë dominues në jetën tonë. Kjo që sapo thamë, është një nga përgjigjet e pyetjes: ”Ku vajtën veshjet dhe zbukurimet romantike, pasi kishin shënuar kulminacionin e tyre?!” Njeriu duhet të mendojë dhe veprojë sipas gjuhës së shtimit dhe jo të groposjes së roleve”.

Funksionet e veshjeve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Faksi i teleshikueses më kujtoi një ndodhi, ku një bashkëshort vajti në gjykatë për t’u divorcuar nga e shoqja. Kur gjykatësi e pyeti mbi shkakun e divorcit, ai i tha: ”Pasi ajo nuk pranon të veshë rroba tërheqëse dhe epshndjellëse në dhomën e gjumit”.

Gjykatësi caktoi një eksperte të bisedojë me të shoqen e tij, dhe ajo e pyeti mbi shkakun e refuzimit të saj. Ajo iu përgjigj: ”Unë nuk i vesh rrobat e lavireve dhe të prostitutave. Unë jam grua e ndershme dhe e moralshme!”

Atëherë psikologia u përpoq që t’a bindë, se këtu nuk bëhej fjalë për prostitucion dhe kurvëri. Veshja e rrobave epshndjellëse në dhomën e gjumit dhe me bashkëshortin tënd, është diçka që e shton kënaqësinë seksuale. Ajo është një nga të drejtat e bashkëshortit. Më në fund, problemi u zgjidh dhe marrëdhëniet bashkëshortore mes këtij çifti u përmirësuan dhe ata vazhdojnë të jetojnë bashkë. Cili është mendimi juaj doktor i nderuar rreth kësaj teze?”

 

Dr. Jusuf:”Në fakt veshja ka tre funksione themelore:

1 – Stolis dhe zbukuron njeriun.

2 – Mbulon trupin.

3 – Mbron trupin nga faktorët klimatikë.

 

Përsa i përket asaj që përmendët, burri nuk ka të drejtë t’i imponojë gruas një veshje të caktuar. Diçka e tillë duhet të bëhet me mirëkuptimin e të dyve”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A mund të hamendësojmë, se një nga shkaqet e tradhëtisë bashkëshortore është, se gruaja nuk vishet me rroba epshndjellëse, duke krijuar vakum në kënaqësinë dhe jetën seksuale të burrit?”

Dr. Jusuf: ”Unë nuk kam lexuar ndonjë studim, që e vërteton diçka të tillë, por dua t’a theksoj sërish, se rrobat e dhomës së gjumit duhet të zgjidhen duke respektuar shijen e secilit dhe me mirëkuptim. Në raste mosmiratimi, njëra palë duhet të përpiqet që t’a bindë me të butë palën tjetër. Nuk e shoh të arsyeshme që gruaja vihet të zgjedhë mes divorcit ose veshjes së një veshjeje të caktuar. Gruaja mund t’a refuzojë diçka të tillë, për shkak të një përshtypjeje të krijuar rreth këtyre rrobave. Ajo mund të ketë parë, dëgjuar ose lexuar diçka të neveritshme në lidhje me këtë veshje. Burri duhet t’a kuptojë diçka të tillë dhe të përpiqet t’a ndryshojë mendimin dhe qëndrimin e saj. Në fund, secili nga bashkëshortët duhet të plotësojë dëshirat e tjetrit, brenda kufinjve të lejuar. Të dy duhet të jenë burim qetësie, prehjeje dhe mëshire për njëri-tjetrin”.

Adoleshenca është një periudhë që kalon

 

Një teleshikues nga Gjermania: ”Kur kam qenë adoleshent, mbaja flokë të gjatë dhe vishja pantallona të modës, që në atë kohë ishin të gjera tridhjetë cm në fund. Veç kësaj dëgjoja këngë dhe muzikë të huaj. Megjithatë, unë arrita të bëhem një doktor i dëgjuar dhe gëzoj një punë dhe pozitë shoqërore të lakmuar. Ne nuk duhet të tregohemi të ashpër dhe të rreptë me të rinjtë, sidomos gjatë adoleshencës së tyre. Nëse një i ri ka disa vese jo të mira, kjo nuk duhet të na shtyjë të hamendësojmë, se mund të konsumojë dhe alkol apo drogë. Të ashpër dhe të rreptë nuk duhet të tregohemi dhe me vajzat adoleshente. Nëse një adoleshente është e mbuluar dhe vesh rroba të gjera dhe jo të tejdukshme, nuk kemi përse të merremi me dy fije floku që i duken tek balli. Diçka e tillë mund të ndikojë negativisht tek vajza”.

Dr. Jusuf: ”Teleshikuesi është shumë i saktë në ato që përmendi. Në fjalët e tij dallojmë dy gjëra të rëndësishme:

1 – Etapa e adoleshencës është një etapë që kalon. Prandaj, kur një i ri rritet, martohet, lind fëmijë etj… fillon të ndryshojë dhe i braktis shumë vese dhe sjellje negative.

2 – Të gjithë njerëzit gabojnë gabime të rënda dhe të lehta gjatë jetës. Problemi ynë më i madh është, se kapemi gjithmonë pas shkarjeve dhe fajeve të vogla duke i ekzagjeruar. Është mirë, që rreptësinë dhe ashpërsinë t’a shmangim në trajtimin e problemeve”.

 

E brendshmja e kontrollon aparencën

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Edhe pse shpeshherë veshja është hobi dhe pjesë e kulturës së njeriut, unë kam një çështje tjetër për të diskutuar. Një ditë, më doli përballë një burrë dhe më pyeti: ”A ti je Xhasim El-Mutava?!”

“Po” – iu përgjigja unë.

Ai më tha: ”Më vjen keq që po t’a them, por unë nuk kam asnjë konsideratë për banorët e Gjirit Arabik. Sa herë që shoh në televizion ndonjë burrë, që ka veshur një veshje të bardhë, me shami të kuqe dhe një rreth të zi mbi kokë, unë e ndryshoj stacionin dhe nuk e dëgjoj. Unë mendoj, se ju vuani nga mungesa e kulturës dhe nuk keni ç’ti ofroni njerëzve. Por një ditë, kur po ndiqja një emision nga programi juaj “Familjet e lumtura” u shtanga dhe u befasova me tezat dhe çështjet që trajtonit. Unë u mahnita dhe me nivelin e të ftuarve në emision. Prandaj, me qëllim që të shtohen teleshikuesit tuaj, unë të këshilloj që t’i heqësh këto rroba që ke veshur dhe herët e tjera të vishesh me xhaketë, kollare dhe pantallona”.

Unë iu përgjigja: ”Me gjithë respektin për mendimin tënd, por unë i përshtatem vendit dhe ambjentit ku ndodhem. Nëse ndodhem në shoqërinë e vendeve të Gadishullit Arabik, siç ndodhemi sot në këtë emision, që transmetohet nga Dubai, unë vishem me veshjen tradicionale të vendit. Por nëse ndodhem në Egjypt, Romë apo në studioet e tv ART në SH.B.A, unë vishem me kostum dhe kollare”.

Ai këmbënguli dhe më tha: ”Jo, ti duhet të vishesh me kostum dhe kollare kudo që të ndodhesh!”

Unë dua të di mendimin dhe komentin tuaj doktor i nderuar rreth kësaj çështjeje”.

Dr. Jusuf: ”Në këtë rast, kemi dy palë, njëra është “ai” dhe tjetra jeni “ju”. Unë dua të përqendrohem tek pala “ju” duke e anashkaluar palën “Ai”. Veshja dhe uniforma varet nga tradita, kultura dhe norma fetare. Por nëse ajo është konform normave fetare, nuk shoh asgjë të keqe nëse ju do i prezantonit disa emisione me veshjen arabe dhe disa të tjera i veshur me kostum dhe kollare. Përderisa veshja është brenda normave fetare, nuk ka asgjë të keqe të prezantosh emisionin. Veç kësaj ju me anë të këtij emisioni i drejtoheni një publiku shumë të madh. Gjëja më e rëndësishme është aftësia jote për të ndikuar tek teleshikuesi. Nëse ky ndikim shtohet me anë të veshjes, atëherë ç’të keqe ka të vishesh me veshjen arabe apo me kostum dhe kollare?”

Veshjet hallall në një ambjent haram

 

Një teleshikuese nga Kanadaja: ”Shpeshherë, gruaja dëshiron të veshë veshje që e joshin dhe i pëlqen i shoqi, por has në disa pengesa. P.sh, unë kam një motër në Jordani dhe problemi qëndron në faktin se në shoqërinë e atjeshme, vëllai mund të hyjë në shtëpinë e vëllait pa trokitur fare në derë. Motra ime është e mbuluar me hixhab, ndërkohë që i shoqi nuk ka ndonjë interes në çështjet fetare. Ajo dëshiron që t’i plotësojë dëshirat dhe kërkesat, por e pengon frika, se mos vëllai i burrit hyn papritur. Si duhet të sillet ajo?”

Dr. Jusuf: ”Nga ana fetare duket, që harami është i qartë. Askush nuk ka të drejtë ta detyrojë dikë tjetër të veshë veshje joshëse në një vend të papërshtatshëm. Por burri duhet të kërkojë alternativa të tjera. Nuk është kusht që çdo gjë që e sheh jashtë shtëpisë, t’a veprojë me të shoqen në shtëpi. Gjithashtu, e shoqja duhet të përpiqet t’a bindë të shoqin mbi rëndësinë e mbulesës në Islam dhe shkakun e refuzimit të veshjeve tunduese në prezencën e njerëzve të tjerë. Padyshim që plotësimi i nevojave seksuale të burrit duhet të merret në konsideratë nga e shoqja, por jo në atë formë ku asaj i duhet të zbulojë pjesë të trupit para vëllait të bashkëshortit”.

Veshja gjatë Haxhit

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cili është komenti juaj rreth veshjes gjatë Haxhit, e cila është e bardhë si për burrat dhe për gratë?”

Dr. Jusuf: ”Veshja e Haxhit është ajo veshje, me të cilën jemi pritur kur kemi lindur në këtë botë. Njëkohësisht është dhe veshja, me të cilën do të dalim nga kjo botë. Nëse do e kuptonim siç duhet një fakt të tillë, shumë gjëra në botë do të ndryshonin”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Doktor i nderuar! A e prisnit një sasi kaq të madhe telefonatash dhe ndërhyrjesh nga teleshikuesit?”

Dr. Jusuf: ”Po, pasi jam specializuar në këtë fushë. Ajo përmban shumë aspekte të ndërthurura me njëri-tjetrin. Kështu, telefonatat e shumta ishin diçka e pritshme për mua”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund, e falenderojmë doktorin e nderuar për informacionin e dhënë. Derisa lumturia të jetë tradita jonë, u përshëndesim:

Selamun alejkum!

Artikulli paraprakAdministrata Tatimore e Kosovës nis suksesshëm vitin 2020
Artikulli tjetërInteligjenca emocionale sipas Dr. Velid Fetihij