Që ndryshimi i juaj të jetë i susksesshëm këta janë faktorët që duhet ndryshuar në raport me punën dhe shoqërinë

Niveli shoqëror

1. Kalimi nga detyrimi në inkurajim

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ne jemi mësuar me përdorimin e forcës, rregullave dhe ligjeve për t’i kontrolluar të tjerët.
Natyrisht se kjo është e lehtë dhe më pak e kushtueshme, mirëpo nuk është praktika më e mirë.
Jeta shoqërore nën rrethana të tilla do të jetë e zbrazët dhe formale. Inkurajimi do të thotë që të gjithë ne të mblidhemi, të punojmë dhe të influencojmë njëri-tjetrin. Ne do të negociojmë me njeri-tjetrin pa përdorur forcë ose kërcënime. Ne duhet ta bëjmë këtë duke u bazuar në admirim të përbashkët, në respekt dhe mëshirë ndaj njëri-tjetrit. Ne duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe të njohim gjërat që i kemi të përbashkëta. Ne duhet ta konsiderojmë këtë inkurajim si bazë për mësimdhënie dhe edukim, si dhe bazë për jetën martesore, shoqërore, profesionale dhe politike. Nëpërmjet kësaj metode, ne mund të jetojmë një jetë paqësore, të sigurt, të kënaqshme dhe produktive.

Kur të ndikosh tek i biri nëpërmjet inkurajimit, kjo do të thotë se ai do ta admirojë personalitetin tënd, do të jetë i tërhequr nga metoda e edukimit tënd. Për më tepër, kur punëtorët në kompaninë ose fabrikën tënde ndjejnë se ata janë pjesë e biznesit tënd, ata do të kenë një ndjenjë të përkatësisë dhe do të ndjejnë se ju u jepni të drejtat e tyre. Ata do ta çmojnë punën dhe kontributet në biznes pasi e ndjejnë kujdesin, dashurinë dhe konsideratën tuaj.

Nëse përdorim këtë metodë të tërheqjes si bazë të lidershipit, influencës dhe formimit të opinionit publik, kjo do të thotë se ne jemi njerëz të mirë dhe do të kemi mundësi të mposhtim të gjitha llojet e dhunës.

Me qëllim të lëvizjes nga ‘detyrimi’ në ‘inkurajim’, njeriu ka nevojë të posedojë një cilësi esenciale. Ai duhet të jetë më i mirë sesa ata që e rrethojnë në moral, sjellje, të kuptuar dhe dhembshuri për gjendjen e njerëzve të tjerë. Natyrisht se ky ideal është gjithmonë i mundur nëse koncentrohemi në të, nëse e bëjmë prej preokupimeve tona kryesore, nëse përpiqemi ta arrijmë dhe ta mbajmë atë.

2. Kalimi nga vëzhgimi në veprim

Jeta shoqërore nuk do të lulëzonte pa sakrificën dhe dhënie të pakushtëzuar. Virtyti i çdo shoqërie bazohet në madhësinë e sektorit që jep donacione vullnetare dhe sakrifikon për hir të të tjerëve.

Në shoqëri dhe komunitete të prapambetura dhe të degraduara njerëzit dëgjojnë për problemet dhe vuajtjet e bashkëqytetarëve, mirëpo ata fare nuk preken e as nuk motivohen. Sa i përket shoqërisë islame, e cila i përmbahet besimit islam, njerëzit duhet të jenë përkrahë vëllezërve të tyre si një trup, i cili ndien dhimbjen si tërësi, nëse një pjesë e tij lëndohet (siç është përmendur në një hadith profetik). Çdonjëri duhet të lë ulësen e spektatorit, në të cilën njeriut i intereson vetëm vetja e tij dhe çeshtjet e tij personale, të cilat i ka vendosur mbi çështjet e çdokujt tjetër.

Kjo mund të arrihet nëpërmjet:

A. Përpiqu të mësosh se çfarë po ndodh në vendin tënd. Përpiqu ta kuptosh mirë, me qëllim që të ofrosh shërbimin e përshtatshëm nga ana jote.
B. Ki besim të vendosur se individi gjithmonë mban një barrë të përgjegjësisë për sigurinë e tërë grupit të njerëzve në mesin e të cilëve jeton. Ne të gjithë jemi mbi një anije dhe nëse anija fundoset, ne të gjithë do të fundosemi së bashku me të.
C. Çdonjëri prej nesh duhet të jetë i angazhuar në garë vullnetare, me qellim që t’i ndihmojmë individët më të dobët në shoqëri.
D. Ne duhet ta praktikojmë këtë rregull: “Fol pak e vepro shumë”. Çdonjëri duhet ta fillojë një projekt ose të formojë grup me qellim të mbushjes së një zbrazëtire në komunitet, për të filluar një iniciativë ose për të tërhequr vëmendjen lidhur me një temë të caktuar, e cila është në dobi të grupit si tërësi.
E. Mos i prit të tjerët, bëje projektin tënd dhe ndriçoje rrugën tënde. Kur Allahu i Madhërishëm të shohë se ti je serioz dhe besnik, Ai do të të sigurojë shumë ndihmëtarë dhe mbështetës që të ndihmojnë në misionin dhe projektin tënd. Mbështetu në Allahun.
F. Masa e vëzhgimit dhe preokupimit nuk duhet të jetë më e madhe sesa përformanca, ndikimi dhe veprimi. Besoj se është e mjaftueshme 20% e përpjekjes të shkojë në të kuptuar të kërkesave të reformimit, ndërsa 80% të përpjekjes duhet të shkojë në ndryshime praktike.

3. Kalimi nga të qenurit i mbyllur në të qenurit i hapur

Shumë individë janë të prirë të kufizojnë rrethin e tyre të kontakteve në minimumin e mundshëm, duke kërkuar paqe ose duke kursyer veten financiarisht dhe moralisht. Megjithatë, kjo është vërtetuar se nuk është opsioni më i mirë në jetë. Një person nuk zhvillohet mirë nëse nuk përzihet dhe nëse nuk ndervepron me të tjerët në shoqëri. Në fakt, një individ nuk mund t’i realizojë aftësit dhe potencialin e tij sa i përket të arriturave dhe dhënies së kontributit përveç nëpërmjet ndërveprimit me të tjerët në komunitet.

Izolimi strikt e bën personin më pak sesa njeri, sepse të kuptuarit e këtij individi të realitetit është më i vogël sesa duhet të jetë. Po ashtu ai jeton në një shoqëri në të cilën duke pasur kontakte me njerëz, e zbukuron sjelljen e tij. Sigurisht se kjo në fund të ditës shpie në produktivitet shumë të kufizuar për familjen dhe shoqërinë te një person, i cili është tepër i izoluar.

Në vijim po i paraqes disa këshilla për të kaluar nga izolimi në hapje në shoqëri:

A. Lexo të paktën një gazetë në ditë. Përfshiju në diskutime për atë që po ndodh me familjen dhe me shokët.
B. Merr pjesë në aktivitetet e lagjes, ndihmo në ngritjen e një qendre për të mbështetur edukimin e individëve të ndryshëm në shoqëri dhe për të ndihmuar në zgjedhjen e problemeve dhe brengave të tyre.
C. Zgjero rrethin e shokëve që të luftosh çdo ndjenjë të huajësimit brenda vendit tënd. Merr pjesë me kolegë në raste të ndryshme shoqërore.
C. Preokupoje veten me çështjet e mëdha të shtetit tënd, për shembull me moralin e dobet te njerëzve, papunësinë, analfabetizmin, ndotjen, korrupsionin dhe padrejtësinë. Kontribuo në zgjidhjen e këtyre çështjeve sipas aftësisë dhe energjisë tënde.

Motoja që të gjithë ne duhet ta kem është: “Jepi shoqërisë më tepër sesa ti merr prej saj.” Dora e ngritur është më e mirë sesa dora e ulur. Allahu sigurisht se do t’ia zëvendësojë dhe do t’ia shpërblejë shumëfish atë që e jep robi i Tij për hir të Tij.

 

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar

Artikulli paraprakParlamenti Evropian vendos: Një karikues për të gjithë telefonët
Artikulli tjetërElementet profesionale që u mundësojnë ndryshim transformues