Fjalor bazik i termave që kanë të bëjnë me financa islame

Fjalor bazik i termave që kanë të bëjnë me financa islame

Avakë (njejësi ukijeh): Njësi matëse e peshës që përdoret për argjend, (angl. “ounce”) dhe ka vëllimin 28,35 gramë.

Bei’atejni fi Bej’a: Dy shitje në një tregti. Është për qëllim që një kontratë tregtie të kushtëzohet me një tjetër, sikurse të thuhet: po ta shes makinën time për kaq para, me kusht që ti të më shesësh shtëpinë tënde për kaq para”. Gjithashtu ka edhe kuptime tjera dhe në përgjithësi, këto forma të kontratave të tregtisë, janë të ndaluara me hadithe të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Bej’u Emaneh: Shitblerje me besë. Është ajo lloj shitblerjeje, në të cilin tregtari, gjatë shitjes së mallit, e tregon çmimin me të cilin e ka blerë vetë mallin dhe kështu dihet edhe përqindja e fitimit të tij.

Bej’u Exhel (Muexhel): Tregti me borxh. Janë ato tregti në të cilat malli shitet me pagesë të vonuar. Ky term përdoret për tregtitë me këste dhe disa bashkëkohorë e kanë përdorur edhe konkretisht për tregtinë murabaha.

Bej’u i’neh: Shitje e dyfishtë. Tregti në të cilin blerësi ia rishet shitësit, më lirë, mallin qe e ka blerë prej tij, por me borxh, përderisa shitja e parë ka ndodhur me para të gatshme. Kio formë tregtie është manipulim me anë të së cilës njeriu në vend që të marrë hua haptas me kamate të ndaluar, bën disa veprime të cilat sipërfaqësisht mund te duken tregti, por në esencë janë mbulojë, për të legalizuar marrjen e parave borxh me kamatë.

Bej’u ma Lejse Indek: Shitja e asaj që nuk e posedon. Njeriut i ndalohet që të shesë një mall ose artikull që nuk e posedon, respektivisht është pronë e dikujt tjetër. Pra atij i ndalohet që të realızoj kontratën e tregtisë për një mall që nuk e ka në dispozicion dhe pas kësaj, ai të shkojë e ta gjejë atë mall, ta blejë dhe t’ia dorëzojë klientit të tij. Ai me këtë rast bën shitje me hamendje e dredhi, duke i siguruar vetes fitim të mundshëm nga një mall që nuk është ende i tij dhe nuk ka mundësi t’ia dorëzojë klientit të cilit ia ka shitur.

Bej’u Murabaha: Rishitje e mallit duke e deklaruar çmimin sa është blerë dhe duke i shtuar një fitim të caktuar atij çmimi (resale with a stated profit).

Bej’u Musauemeh: Shitblerje me ujdi. Kjo formë shitblerjeje realizohet me rënien dakord mes tregtarit dhe blerësit për çmimin e mallit, pa shikuar çmimin e parë, me të cilën e ka blerë mallin tregtari. Shitblerja me ujdi ose me pazarllëk është forma më e përhapur e tregtisë te njerëzit, sikurse shitja e mallrave në tregje, dyqane, firma, fabrika, etj.

Bej’ul Muvaeda: Shitblerje me premtim. T’erm i murabahasë bashkëkohore.

Beiu Muzajedeh: Shitblerje me ankand. Shitja e një malli duke i ftuar të interesuarit të japin çmimin me të cilin do ta blinin atë. Pas bërjes së ofertave nga të interesuarit, në fund i jepet e drejta e blerjes së mallit atij blerësi që ka dhënë çmimin më të lartë.

Bej’u Selem: Tregti me parapagim. Shitja e përshkruar e një malli i cili nuk është në dispozicion, me pagesë të parakohshme të vleftës. Në këtë lloj tregtie hyn edhe blerja e ndonjë gjëje e cila do te punohet apo prodhohet, sikurse dyert, dritaret, ndërtimi i shtëpisë nga mjeshtri, etj.

Bej’u Taksit: Tregti me Këste. Shitblerja me këste është kontrata ndërmjet shitësit dhe blerësit, që nënkupton se malli i dorëzohet blerësit menjëherë, ndërsa pagesa shtyhet në disa afate të prera dhe në secilin afat bëhet pagesa e një shume të caktuar e çmimit të përgjithshëm.

Bej’u Teulijeh: Është lloj i tregtive me besë dhe nënkupton shitjen e mallit me të njëjtin çmim që është blerë, pa fitim fare.

Bej’u Uediah: Është lloj i tregtive me besë dhe nënkupton shitjen e mallit me çmim më të lirë se ç’është blerë; kur tregtari dëshiron vetëm të lirohet nga malli që i ka mbetur nëpër depo apo per ndonjë arsye tjetë.

Buju’u Emanat: Shumës i Bej’u emaneh-Shitblerje me besë.

Dairetul Iftail Am: Departamenti i Përgjithshëm për Fetva. Është institucioni më i lartë shkencor i dijetarëve islamë në Mbretërinë e Jordanisë.

Damanul Xhidije: Garancia e seriozitetit. Është praktikë e bankave dhe institucioneve financiare islame të cilat e konsiderojnë obligues, premtimin e dhenë nga klienti gjatë tregtisë murabaha. Kështu që gjatë fazës së premtimit marrin një shumë të caktuar nga klienti si kapar, per tu siguruar se ai është serioz në marrëveshje. Nëse realizohet shitblerja murabaha, atëherë ajo shumë llogaritet si pjesë e çmimit te malit. Por në rast se klienti tërhiqet nga shitblerja, atëherë institucionit financiar i lejohet të mbajë për vete nga shuma e kaparit, vetëm aq sa është dëmtuar realisht institucioni financiar islam, per shkak të tërheqjes së klientit. Sipas këtij kushtëzimi, kuptimi i kaparit dallon nga ai që njihet në praktikën tregtare. Për këtë edhe në terminologjinë e ekonomistëve islamë ky lloj kapari nuk emërtohet “el urbun”‘, ashtu siç quhet kapari në terminologjinë islame, por emërtohet

Damanul Xhidije-Garancia e seriozitetit ose Hamishul Xhidije- Pjesa e seriozitetit

Dijaneten: Fetarisht. Kur një veprim të jetë i padrejtë nga aspekti ose ndërgjegjja fetare, por për të njëjtën gjë, mos të ekzistoj ndonjë dënim juridik në këtë botë.

EI Akdu (shumësi El Ukud): Kontrata. Janë për qëllim marrëveshjet të cilat realizohen në mes dy apo më shumë palëve, për nje gjë apo veprim të caktuar dhe si rrjedhojë e kësaj secila nga palët merr përsipër detyrime të caktuara dhe gëzon të drejta përkatëse, sikurse kontratat e tregtisë, kontrata e martesës, e qirase, etj..

El Bej’u: Tregtia, shitblerja. Shkëmbimi i pasurisë me pasuri me pëlqim të dyanshëm, ose kalimin e diçkaje që ke në pronësi te dikush tjetër, në mënyrë të përhershme, kundrejt një vlere, me pelqim të dyanshëm

El il-le: Motivi. Cilësia, shkaku ose arsyeja mbi të cilën është ngritur një dispozitë sheriatike. Sikurse që arsyeja e ndalimit të alkoolit është dehja.

El Kabdu: Shtënia në dorë (marrja e mallit të blerë). Është për qëllim veprimi që tejkalon vërtetimin se ai mall është pronë e dikujt, por së bashku me këtë, blerësi duhet ta marrë mallin dhe ta verë në pronën e tij, qoftë konkretisht apo juridikisht.

EI Lexhnetud Daimeh Lil Buhuthi Vel Ifta: Komisioni i Perhershëm i Fetvave. Është institucioni më i lartë shkencor i dijetarëve islamë në Arabinë Saudite.

El Mexhmeul Fikhi el Islami ed Dueli: Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam. Është një institucion shkencor në të cilin janë anëtarësuar dijetarët më eminentë të kohës, nga mbarë bota. Kjo akademi u themelua në vitin 1401 h-1981 dhe e ka selinë në Xheda të Arabisë Saudite. Ajo mban takime të rregullta në vende të ndryshme të botës, për të diskutuar çështjet aktuale, që kanë nevojë për vlerësim dhe sqarim, nga pikëpamja e jurisprudencës islame.

El Murabaha lil amiri bish shira: Murabaha për atë që urdhëron blerjen. Term i murabahasë bashkëkohore.

El Murabaha lil vaidi bish shira: Murabaha për atë që premton blerjen. Term i murabahasë bashkëkohore.

El Vadu: Premtimi. Klienti dhe banka bëjnë një marreveshje në të cilën të dyja palët premtojnë se do ta realizojnë shitblerjen e atij artikulli, pasi ta blejë banka, me çmimin e blerjes plus fitimin që i takon bankës. Pra me premtim është për qëllim marrëveshja e ndërsjellë ndërmjet klientit (urdhëruesit të blerjes) dhe bankës për realizimin e blerjes së artikulit te kerkuar.

El Vadu Gajru Mulzim: Premtimi jo obligues. Disa dijetarë bashkëkohorë kanë kushtëzuar që premtimi i klientit- në të cilin ai i thotë bankës se, nëse e blini atë artikull, unë do ta blej nga ju- të mos jetë obigues.

EI Vadu Mulzim: Premtimi obligues. Disa dijetarë bashkëkohore kanë kushtëzuar që premtimi i klientit – në të cilin ai i thotë bankës se, nëse e blini atë artikull, unë do ta blej nga ju- të jetë obligues.

El Vekale: Autorizimi. E drejta që i jepet një personi nga një tjetër, që të përfaqësoj këtë tjetrin në çështje në të cilat lejohet përfaqësimi, si p.sh. në shitblerje, në procese giyqësore, etj.

Emanet: Amanet. Mall i lënë në ruajtje me besim të ndërsjellë dhe nëse ndodh që ai mall të dëmtohet ose të humbë, pa neglizhencën e personit që i është dhëne në amanet, atëherë ai nuk obligohet ta kompensojë.

Err Rrehnu: Hipoteka. Në jurisprudencen islame pengu është plaçka që lihet e lidhur me borxhin, në mënyrë që huadhënësi të marrë prej saj atë që i takon, nëse borxhliu nuk e shlyen borxhin.

Er Rekabetush Sherije: Bordi Sheriatik ose Auditori Fetar. Në kuadër të bankave dhe institucioneve financiare islame, funksionon organi i cili bënë monitorimin e operacioneve tregtare, se a janë në përputhje me parimet islame apo jo.

Fekih (shumësi Fukaha): Personi i cili është ekspert i jurisprudencës Islame, fikh.

Fetva: Vendim Sheriatik. Opinioni juridik i një fekihu apo i një grupi, në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, duke u mbështetur në argumente sheriatike përkatëse.

Fikh: Jurisprudenca Islame. Shkenca që merret me dispozitat praktike të sheriatit të nxjerra nga argumentet e hollësıshme.

Fikhul Beji: Dispozitat e tregtisë. Është lëmi e veçantë e jurisprudencës islame që merret me shqyrtimin e rregullave të tregtisë dhe transaksioneve tregtare në përgjithesi.
Garar: Spekulim, paqartësi. Ky term i referohet paqartësive që mund të shkaktohen gjatë tregtisë.

Hadith (shumësi Ehadith): Fjalët, veprat dhe miratimet e të Dërguarit, Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Hadith Hasen: Hadith i mirë. Është hadith i besueshëm, i sigurt, por natyrisht, jo i nivelit të hadithit të saktë (shih), sepse në mes transmetuesve mund të gjendet ndonjë element jo përpikërie edhe nëse është shumë i vogël, i parëndësishëm. Këtë dallim mund ta vërejë vetëm eksperti i shkencave të hadithit (muhaddithi).

Hadith Sahih: Hadith i saktë. Hadithi i cili e ka zinxhirin e transmetimit të ngjitur duke e përcjell personat e drejtë dhe të përpiktë në transmetim, njëri pas tjetrit deri tek i fundit, pa kundërshtime (shudhudh) dhe pa dobësi (defekte, sëmundje).

Haram: Kërkesa e Ligjdhënësit (Allahut të Madhërishëm) për mosveprim në mënyrë të prerë të një gjëje dhe ai që e vepron atë ndeshkohet.

Hamishul Xhidije-Pjesa e seriozitetit. Shih “Damanul Xhidije”.

Hijar: Mundësia e zgjedhjes. Hijari është një veprim me anë të të cilit në tregti dy palët -shitësi e blerësi- kanë të drejtë që të realizojnë një tregti, duke kushtëzuar që të ketë një afat prej disa ditësh ose javësh, që njëra palë ose të dyja palët të tërhiqen e të ndërrojnë mendje nga ajo tregti. Nëse pajtohen që ta bëjnë atë shitblerje me këtë kusht, atëherë ajo tregti është e plotfuqishme, por obligohen ti përmbahen kësaj marrëveshjeje.

Ixhma: Konsensus. Pajtimi (unifikimi) i muxhtehidve të një kohe, nga umeti i Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për një çështje të sheriatit.

Ixhtihad: Përpjekja e fekihut me të gjitha aftësitë profesionale e shkencore, për të gjetur dispozitën e Allahut rreth një çështje të caktuar nga burimet e sheriatit (Kur’ani, Suneti, Ixhmaja, etj.).

Kabdu sil’a: Shitësi duhet ta shtjerë në dorë mallin e blerë, para se ta rishesë.

Kada’en: Juridikisht. Kur një veprim është i ndaluar nga aspekti juridik dhe ai i cili e shpërfill atë, ndiqet penalisht.

Kijas: Analogji. Krahasimi i një çështjeje që për dispozitën e saj sheriatike nuk ka argument me një çështje tjetër për dispozitën e së cilës ekziston argumenti. Ky krahasim bëhet pasi që të dy çështjet janë të njëjta dhe kanë motiv (el-ile) të përbashkët.

Medhheb: Drejtim apo shkollë juridike islame. Përmbledhja e përgjithshme e vendimeve juridike të një dijetari të madh (imami), gjithashtu edhe nxënësve të tij dhe të gjithë dijetarëve të cilët i përmbahen metodologjisë së tij.

Medhhebi Dhahiri: Drejtim apo shkollë juridike islame, që i atribuohet dijetarit Imam Davud Ibën Ali Dhahiri (201-270/ 816-884m). Në të kaluarën ky medhheb ka pasur pasues në Andaluzi (Spanjën e sotme) dhe vende tjera, kurse në kohën bashkëkohore është shuar dhe nuk ka pasues. Megjithatë, librat dhe mendimete kësaj shkolle janë prezentë në literaturën islame dhe fukahatë i kanë shqyrtuar ato vazhdimisht. Gjithashtu edhe në kohen bashkëkohore mendimet e tyre elaborohen e shqyrtohen nga studiuesit islamë dhe u referohen dijetarëve që kanë mbajtur këtë metodologji, sikurse Ibën Hazmi, etj.

Medhhebi Hanbeli: Drejtim apo shkollë juridike islame që i atribuohet dijetarit të njohur Imam Ahmed Ibën Hanbel (164-241/ 780-855m).

Medhhebi Hanefi: Drejtim apo shkollë juridike islame që i atribuohet dijetarit të njohur Imam Ebu Hanife Numan Ibën Thabit (80-150h\699-767m).

Medhhebi Maliki: Drejtim apo shkollë juridike islame që i atribuohet dijetarit të njohur Imam Malik ibën Enesit (93-179h/ 711 – 795m)

Medhhebi Shafi: Drejtim apo shkollë juridike islame që i atribuohet dijetarit të njohur Imam Muhamed ibën Idris Esh Shafi
(150-204h\ 767 – 820m).

Mekruh: Kërkesa e Ligjdhënësit (Allahut të Madhërishëm) për mosveprimin e një pune, por në mënyrë jo të prerë. Pra vepruesi i saj nuk ndëshkohet, por qortohet.

Mesele (shumës Mesa’il): Temë, çështje apo problematikë e fikhut.

Mufesir: Komentator i Kuranit.

Mufti (Myfti): Dijetari që është ekspert dhe jep fetva.

Muhadith: Dijetar eksperti shkencave të hadithit.

Mukal-lid: Muslimani i rëndomtë i cili pason ndonjë dijetar ose medh’heb, pa u thelluar në argumente.

Murbaha el masrafije: Murbahaja bankare. Term i murabahasë bashkëkohore.

Murabaha murekebe: Murabahaja e përbërë (e kombinuar). Term i murabahasë bashkëkohore.

Mustehab: Ajo vepër për të cilen ai që e bën shpërblehet, ndërsa ai që e lë nuk ndëshkohet.

Muvadetun alel murabaha: Premtim për shitblerje murabaha. Termi murabahasë bashkëkohore.

Muxhtehid: Dijetari i cili është i kualifikuar për të nxjerr vendime me anë të ixhtihadit.

Riba: Kamata, interesi, fajde. Është ajo sasi e pasurisë e cila kushtëzohet të shtohet pa kompensim, gjatë transaksioneve (këmbimeve) të ndërsjella të pasurisë me pasuri.

Riba Nesie: Kamata e borxhit. Është për qëllim shtimi i kushtëzuar, të cilin e merr huadhënësi nga huamarrësi për shkak të kohës që e ka në dispozicion huamarrësi ta paguaj borxhin. Ky lloj quhet edhe “Riba Xhabilijeh”- “Kamata e injorancës”.

Sa’ë: Njësi matëse që përmban sasinë e katër palë grushteve të mbushura.

Temelukus sil’a: Shitësi duhet të jetë pronar i mallit që shet

Urbun: Kapar, parapagim, paradhënie. Shitblerja me kapar është që blerësi ose qiramarrësi t’i paguajë një pjesë të pasurisë shitësit, respektivisht qiradhënësit, para kontratës përfundimtare. Kështu që nëse blerësi ose qiramarrësi vjen në afatin e caktuar dhe kryhet procesi i shitblerjes ose qirasë, shuma e parapaguar (kapari) do të konsiderohet si pjesë e çmimit të asaj që është shitur ose dhënë me qira, ndërsa nëse kemi zmbrapsje të blerësit apo qiramarrësit nga blerja ose qiraja, humbet e drejta e tyre në kapar dhe kapari bëhet pronë e palës së dytë, e ai është shitësi respektivisht qiradhënësi.

Ukudu et-teberuat: Kontrata dhuruese vullnetare. Janë ato kontrata sikurse donacionet, lëmosha (sadakaja), huazimi i një gjëje për përdorim, premtimi, huadhënia, etj. Specifikë e këtyre kontratave është se edhe pse marrëveshja bëhet mes palëve, ato janë mirësi ndaj njërës palë dhe janë të njëanshme, pra vetëm njëra palë zotohet me obligime e përgjegjësi, kurse pala tjetër është përfituese.

Ukudul muavedat (Commutative contract) Kontrata reciproke. Janë për qëllim kontratat të cilat realizohen me marrëveshje në mes dy apo më shumë palëve për një gjë apo veprim të caktuar dhe si rrjedhojë e kësaj secila nga palët merr përsipër detyrime të caktuara dhe gëzon të drejta përkatëse, sikurse kontratat e tregtise, etj.

Urfi: Tradita dhe zakoni. Ajo që është e përhapur te njerëzit, e pranon mendja e shendoshë dhe nuk kundërshton parimet e jurisprudencës islame.

Ulema (njejës Alim): Dijetarë.

Vaxhib: Kërkesa e Ligjdhënësit (Allahut të Madhërishëm) për veprimin e një pune në menyre të prerë, mos vepruesi i saj ndëshkohet, ndërsa ai që e ekzekuton shpërblehet.

Xhumhuri: Shumica dërmuese e fukahave (juristëve) Islam.

Zekati: Çdo mysliman që zotëron sasi të caktuar të pasurisë e ka obligim që të nxjerr një shumë të saj dhe ta shpërndaj personave të caktuar. Kjo shumë quhet zekat.

Artikulli paraprakPërmbledhje e shkurtër e temës së murabahasë
Artikulli tjetërSa ndihmon Turizmi për të njohur Kosovën e re