Zbatimi i premtimit të klientit në shitblerjen murabaha

Zbatimi i premtimit të klientit në shitblerjen murabaha

Të gjithë dijetarët bashkëkohorë që kanë folur rreth mënyrës së realizimit të murabahasë bankare, kanë theksuar se nëse banka dhe blerësi bëjnë marrëveshje tregtie paraprake që blerësi të shkojë te banka dhe të thotë blijeni ju këtë makinë për dhjetë mijë euro, ndërsa unë do ta blej prej jush me këste për njëmbëdhjetë mijë euro dhe kështu ata nënshkruajnë kontratën e shitblerjes e më pas banka e blen makinën për klientin, atëherë të gjithë dijetarët, pa përjashtim, janë të pajtimit se kjo shitblerje nuk lejohet. Banka në këtë rast ka shitur një gjë që nuk e kishte në posedim dhe prej kushteve të shitblerjes së vlefshme është që shitësi duhet ta posedojë mallin që shet.

Prandaj, për t’iu shmangur kësaj ndalese, ata kanë dhënë alternativen që marrëveshja e ndërsjellë mes bankës dhe blerësit të jetë marrëveshje premtimi dhe jo shitblerjeje. Pra, blerësi shkon në bankë dhe thotë: “blijeni këtë makinë për dhjetë mijë euro dhe unë premtoj se do ta blej prej jush për njëmbëdhjetë mijë
euro me këste”. Kjo formë marrëveshjeje nuk është e ndaluar, pasi nuk ka kontratë shitblerjeje paraprake, por do të realizohet në të ardhmen, kur banka ta blejë atë makinë dhe ta ketë në pronësinë e saj. Vetëm pas këtyre veprimeve të ndërmarra, banka do t’ia shesë klientit makinën dhe atëherë do të lidhet kontrata e shitblerjes mes bankës dhe klientit.

Dijetarët bashkëkohorë dhe premtimi në murabahanë bankare

Debati mes dijetarëve bashkëkohorë fillon te çështja se a është i obliguar juridikisht klienti ta mbajë premtimin e dhënë apo jo.
Në këtë debat shohim dy mendime, që janë përzgjedhur nga dijetarët bashkëkohorë:

Mendimi i parë: Premtimi mund të jetë obligues

Disa dijetarë bashkëkohorë duke parë komplikimet dhe konsekuencat që mund të ndodhin nëse klienti nuk obligohet për realizimin e premtimit, atëherë kanë zgjedhur mendimin se ai duhet të obligohet për realizimin e fjalës së dhënë. Në këtë qasje ata janë nisur duke u mbështetur në citatet e përgjithshme, të cilat aludojnë për domosdoshmërinë e mbajtjes së fjalës së dhënë dhe rëndësisë që i jep Islami mbajtjes së premtimeve. Me një fjalë, ata e kanë bërë trajtimin e çështjes duke u nisur nga qëndrimet e fukahave të vjetër në lidhje me premtimin dhe kanë konkluduar se mendimi më i saktë në këtë, është mendimi i cili obligon mbajtjen e premtimit, ashtu siç mendojnë disa dijetarë të vjetër. Këtë mendim pastaj e kanë aplikuar edhe në çështjen e premtimit gjatë shitblerjes murabaha, pa bërë dallim mes premtimit të rendomtë dhe atij qe ndërlidhet me shitblerjen. Ata madje kanë thënë se nëse themi se premtimi i rëndomtë është obligues, atëherë premtimi gjate shitblerjes është edhe më i domosdoshëm për të qenë obligues, pasi dëmi që shkaktohet nëse ai tërhiqet nga ky premtim është shumë më i madh sesa në rethana të
rëndomta.
Ata fillimisht janë kategorikë në trajtimin e premtimit në formë të përgjithshme si obligues dhe e ndalojnë tërheqjen prej tij duke cituar ajetet kuranore dhe hadithet që qortojnë moszbatimin e fjalës së dhënë, pastaj këtë e obligojnë edhe gjatë shitblerjes murabaha.
Këtë mendim e kanë pranuar disa dijetarë bashkëkohorë, ndër të cilët dr. Sami Hamud, shejh dr. Jusuf Kardavi, shejh dr. Abdullah Bin Muni, shejh dr. Ali es Salus, shejh dr. Muhamed Tekijudin Uthmani, shejh dr. Husamedin Affane, shejh dr. Hasen Shadhili dhe të tjerë.

Mendimi i dytë: Premtimi nuk lejohet të jetë obligues

Mendimi i dytë thotë se pavarësisht përzgjedhjes së një qëndrimi në çështjen e premtimit të rëndomtë, se a është obligues apo jo, patjetër duhet bërë dallim mes premtimit të rëndomtë që bën pjesë në llojin e kontratave dhuruese (ukud teberruat) dhe premtimit të ndërsjellë, që ndodh mes bankës dhe klientit. Në këtë rast premtimi nuk është më vetëm një premtim i thjeshtë, por
një premtim i cili ndërlidhet me shitblerjen e një malli. Prandaj, nëse e obligojmë që klienti ta realizojë premtimin, atëherë atë marrëveshje të ndërsjellë që u quajt premtim, në fakt nga ana e plotfuqishmërisë dhe pasojave të saj e kemi trajtuar si marrëveshje paraprake shitblerjeje dhe jo si diçka tjetër.
Ata konsiderojnë se pavarësisht përzgjedhjes së konstatimeve
të dijetarëve klasikë, a është obligues apo jo, në shitblerjen murabaha premtimin nuk duhet ta trajtojmë obligues, sepse nëse e
trajtojmë si të tillë, atëherë ai premtim merr fuqinë e kontratës së shitblerjes dhe kështu nuk ka dallim në këtë rast a e kemi quajtur marrëveshje premtimi apo shitblerjeje. Është parim i pergjithshëm në jurisprudencën islame se në kontrata, themelore është ajo që ato nënkuptojnë dhe jo se si formulohen apo emërtohen.
Këtë mendim e kanë mbështetur këta dijetarë: shejh Abdulaziz bin Baz, shejh dr. Muhamed Sulejman Eshkar, shejh dr. Bekër Ebu Zejd, shejh dr. Refik el Misri, dr. Hasen Abdullah Emin, dijetarët e Komisionit të Përhershëm për Fetva (El Lexhnetu Daime) dhe të tjerë.

Vlerësimi i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut rreth premtimit në tregtinë murabaha

Siç e përmendem me herët, debati është shumë i gjerë mes dy palëve dhe nuk dëshirojmë ta ngarkojmë më shumë këtë studim
me qasjet e dijetarëve, por mund të përmendim se si rezultat i ketij debati shumë të gjerë, anëtarët e Akademisë Ndërkombëtare te Fikhut Islam në vendimin e tyre u munduan të sjellin një qëndrim, me të cilin tentuan që t’i përafrojnë, sadopak, këto dy qëndrime, të cilat në fakt janë të kundërta.

Në vendimin e Akademisë thuhet:
“Premtimi i cili bëhet nga urdhëruesi (klienti) apo i urdhëruari (banka) veç e veç- është obligues fetarisht (dijaneten) për premtimdhënësin, përveç nëse ka arsye. Ai obligohet juridikisht (kada’en) nëse premtimi nderlidhet me ndonjë shkak dhe premtimmarrësi futet në një veprim si rezultat i atij premtimi që ka marë. Në këtë rast përcaktohet qartë forma se si përmbushet ky detyrim; ose me realizimin e premtimit të dhënë,
ase me kompensimin e dëmit që i është shkaktuar personit të cilit i është premtuar për shkak të mos përmbushjes së premtinit pa arsye.”
“Premtimi i ndërsjellë i cili del nga të dyja palët (banka dhe klienti)- është i lejuar në shitblerjen murabaha, me kusht që ata të kenë të drejtën e zgjedhjes (el hijar), të dyja palët ose njëra palë. Nëse nuk aplikohet e drejta e zgjedhjes, atëherë nuk e lejohet, pasi premtimi i ndërsjellë obligues (nga të dyja palët) në shitblerjen murabaha i përngjan (aktit të) shitblerjes. Kështu që në këtë rast do të duhej që shitësi (banka) ta posedonte mallin, për të mos rënë në kundërshtim me atë që ka ndaluar i Derguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që njerin të shesë atë që nuk e posedon.”

Nga këto dy pika të vendimit të Akademisë, kuptohet se ishte një orvatje që të përafrohen dy mendimet, por në fakt ajo që ndodhi nga vendimi i Akademisë ishte se secila palë arriti ta mbështesë mendimin e vet në këtë vendim. Ata që e trajtojnë premtimin si jo të obliguar në shitblerjen murabaha shohin se mendimi i tyre përmendet në fjalët: “Premtimi -i cili bëhet nga urdhëruesi (klienti) apo i urdhëruari (banka) veç e veç- është obligues fetarisht (dijaneten) për premtimdhënësin…” ose kur thuhet: ..pasi premtimi i ndërsjellë obligues (nga të dyja palet) në shitblerjen murabaha i përngjan (aktit të) shitblerjes. Keshtu që në këtë rast do të duhej që shitësi (banka) ta posedonte mallin…”
Ndërsa për ata që thonë se premtimi është obligues, mendimi i tyre nënkuptohet kur thuhet: “Ai obligohet juridikisht (kada’en) nëse premtimi ndërlidhet me ndonjë shkak dhe premtimmarrësi futet në një veprim si rezultat i atij premtimi që ka marre”, pasi dihet qartë se në shitblerjen murabaha është më se e ditur se në të gjitha rastet banka do të futet në veprim, si rezultat i premtimit të marrë.
Sidoqoftë, ajo që mund të thuhet rreth këtij vendimi të akademisë është se ai konsiderohet si një nga vendimet e rralla që nuk arriti t’i vërë pikën debatit, ashtu siç është synimi i këtij institucioni, por mund ta përmendin si argument të dyja palët; edhe ata që e lejojnë edhe ata që e ndalojnë, duke e komentuar varesisht prej këndvështrimit të tyre.

Sqarim i nevojshëm para përzgjedhjes së mendimit të saktë

Nëse bëjmë një analizë të trajtimeve të dijetarëve bashkëkohorë rreth premtimit që realizohet në tregtinë murabaha, atëherë shohim se shumë prej tyre nuk kanë bërë dallimin mes premtimit të thjeshtë dhe premtimit që realizohet gjatë tregtisë murabaha.
Mes tyre ka dallim për faktin se njëra bën pjesë në llojin e kontratave vullnetare, kurse tjetra bën pjesë në llojin e kontratave reciproke. Për ta kuptuar më qartë këtë duhen sqaruar llojet e kontratave në jurisprudencën islame.

Alaudin Abazi

Artikulli paraprakBiznesi i errët i Zvicrës me thëngjillin ukrainas
Artikulli tjetërMarrja e pasurisë së të tjerëve padrejtësisht është mëkat i madh