Ndalimi i kamatës

Xhabir bin Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari i Allahut e mallkoi atë që e ha kamatën, atë që e jep, atë që e shkruan aktin e kamatës dhe dëshmitarët dhe tha: “Të gjithë këta janë të barabartë.”(Shënon Buhariu dhe Muslimi)

Komenti i hadithit
Islami fton për ndihmë dhe mëshirë të ndërsjellë mes muslimanëve dhe lufton çdo formë prej formave të mizorisë dhe të shfrytëzimit të të tjerëve pa të drejtë.
Islami kërkon nga i pasuri që ta ndihmojë vëllain e vet musliman të varfër, në mënyrë që shoqëria islame të jetë një shoqëri e solidarizuar dhe që në të të mbizotërojë dashuria, mëshira, dhembshuria dhe mirëkuptimi.
Ndër format më të këqija të mizorisë dhe të shfrytëzimit të padrejtë të pasurisë është kamata. Pikërisht për këtë qëllim, Islami e ka ndaluar kamatën dhe na mëson se marrësi dhe dhënësi i kamatës meritojnë largimin nga mëshira e Allahut të Lartësuar.
Fajdexhiu është i zhveshur nga ky moral dhe nga kjo mirësi duke e shfrytëzuar nevojën e vëllait të tij musliman dhe duke ia marrë pasurinë atij pa të drejtë përmes kamatës.
Ndërsa dhënësi i kamatës ia lehtëson atij që ha kamatën, për këtë arsye i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, i ka mallkuar që të dy.
I Dërguari alejhi selam ka mbyllur çdo rrugë që çon tek kamata. Ashtu siç mallkoi atë që ha dhe atë që e jep, mallkoi gjithashtu edhe atë që e shkruan aktin e kamatës dhe dëshmitarët për arsye të ndihmesës së tyre në këtë mëkat. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar muslimanët që të ndihmojnë njëri-tjetrin në mëkate dhe në armiqësi. Rrugët e lejuara të fitimit janë të shumta dhe të lehtësuara për atë që i kërkon ato. Prandaj, s’është e lejuar për muslimanin që ta ndjekë këtë rrugë, ngase në këtë rast do të bënte një prej mëkateve të mëdha të cilat e largojnë atë nga mëshira e Allahut të Lartësuar.

Çfarë përfitohet nga hadithi:
– Ndalimi i kamatës (fajdesë) me të gjitha format e saj.
– Dënimi i kamatës përfshin këdo që ndihmon për lehtësimin e saj.
– Kush ndihmon në mëkat konsiderohet pjesëmarrës në mëkat, edhe në qoftë se nuk e ka bërë ai.
– Është obligim për të gjithë muslimanët të ndihmojnë njëri-tjetrin në parandalimin e kamatës dhe të luftojnë çdo rrugë dhe formë që çon drejt kamatës.

Përgatiti: Almedin Ejupi
30.11.2007

Artikulli paraprakPërqindja e arit gjatë llogaritjes së zekatit
Artikulli tjetërKarakteristikat e sistemit islam mbi trashëgiminë